Kthimi i krizës evropiane?

Kthimi i krizës evropiane?
  • 13 October 2017 - 10:23

Shkruan: Daniel Gros

Vetëm katër muaj më parë, kur eurofili Emmanuel Macron u zgjodh president i Francës, dukej sikur BE-ja përfundimisht mund të shikonte përpara duke shkuar drejt një periudhe të qetësisë. Por, qetësia është gjëja e fundit e cila mund të shihet në rrugët e Barcelonës, ku demonstratat pro pavarësisë së Katalonisë janë ndeshur me protesta njësoj të fuqishme kundër pavarësisë. Derisa ky problem i brendshëm i Spanjës është duke eskaluar, një kthim i krizës evropiane mund të duket i paevitueshëm. Megjithatë, ajo që është duke ndodhur në Spanjë, aktualisht tregon se rimëkëmbja ekonomike evropiane është duke u forcuar, duke vënë në pah kufijtë e asaj që mund të bëjë BE-ja. Fuqia e rimëkëmbjes ekonomike evropiane është vënë në pah nga mungesa e ndonjë reagimi të rëndësishëm të tregjeve financiare ndaj skenave kaotike në Kataloni. Sikur një situatë e këtillë të kishte ndodhur disa vjet më parë, atëherë ajo do të kishte ndikim te bonot e qeverisë spanjolle dhe tregu spanjoll i aksioneve do të ishte mbytur. Por, sot kemi një situatë tjetër. E tërë ekonomia e eurozonës është duke u rritur në mënyrë të denjë, edhe pse jo spektakulare. Dhe, ekonomia e Spanjës është rritur më shpejt sesa mesatarja e eurozonës.

Kriza në Kataloni po ashtu nënvizon limitimet e modelit evropian të integrim

Rimëkëmbja ekonomike e Spanjës bazohet te rritja e furnizimit, në vend se të kërkesës vendore, sikur që ishte rasti gjatë bumit ndërtimor të para krizës. Nëse kësaj ia shtojmë ekzistimin e institucioneve të eurozonës, të cilat mund t'i adresojnë vështirësitë e përkohshme financiare, me të cilat ballafaqohen bankat dhe shtetet, bëhet e qartë pse kriza e thellë politike e Spanjës nuk është shoqëruar nga ndryshime të rrezikshme financiare dhe të tregut. mPor, kriza në Kataloni po ashtu nënvizon limitimet e modelit evropian të integrimit, të cilat i kanë rrënjët te fakti se Unioni në fund bazohet te shtetet kombëtare. Ky model nuk mund të përshkruhet si ndër qeveritar. Në vend të kësaj, ai bazohet te një implementim indirekt: gati gjithçka që bën dhe vendosë BEja, bazohet dhe vendoset nga qeveritë e shteteve kombëtare dhe nga administratat e tyre. Ky dallim më së miri mund të shihet në fushën e politikës monetare, ku mekanizmi vendimmarrës nuk është aspak ndërqeveritar: Këshilli drejtues i Bankës Qendrore Evropiane operon në bazë të një shumice të thjeshtë. Por, mekanizmi i implementimit është qartazi indirekt: pasi që të merret një vendim, atëherë ai implementohet nga bankat qendrore nacionale - një qasje, e cila mund të ketë implikime të rëndësishme. Për shembull, operacionet e gjëra të blerjes së bonove, të ndërmarra nga BQE gjatë viteve të fundit, kryesisht janë realizuar nga bankat qendrore nacionale, të cilat blenë bonot e qeverive të tyre. Gjykata evropiane e drejtësisë në Luksemburg, një institucion tjetër i përbashkët me rëndësi të madhe, po ashtu mbështetet te një mekanizëm vendimmarrës, i cili nuk është ndërqeveritar. Megjithatë, gjykatësit e tij emërohen nga qeveritë kombëtare dhe gjykatat dhe administratat shtetërore zbatojnë vendimet e kësaj gjykate.

Problemet e brendshme

Një krahasim me SHBA-në vënë në pah dobësitë e një qasjeje të tillë. Derisa Banka Qendrore e SHBA-së po ashtu ka një strukturë regjionale, bankat e veçanta të distrikteve mbulojnë disa shtete dhe nuk janë të lidhura me ndonjë qeveri, apo institucion shtetëror. Ngjashëm me këtë, gjykatësit e Gjykatës supreme të SHBA-së nominohen nga institucionet federale, e jo nga qeveritë shtetërore. Për BE-në, mbështetja te shtetet e saj anëtare për ndërtimin e institucioneve të përbashkëta me gjasë ishte mënyra e vetme për ta filluar procesin e integrimit, duke pasur parasysh mosbesimin e thellë midis vendeve, të cilat në të kaluarën kanë bërë shumë luftëra brutale kundër njëra-tjetrës. Por, megjithatë, një union i cili bazohet te shtetet kombëtare, jo vetëm për sa i përket implementimit, por edhe për legjitimitet, mund të funksionojë vetëm aq mirë sa edhe shtetet e tij anëtare. Por, tani, kur shumica e këtyre shteteve kanë probleme të brendshme, ky model ka arritur kufijtë e vet. mNë Greqi, sistemet e dobëta administrative dhe gjyqësore, kanë penguar rimëkëmbjen ekonomike. Në Poloni dhe Hungari, qeveritë 'joliberale' janë duke rrezikuar pavarësinë e Gjyqësorit. Dhe, në Spanjë, sistemi politik duket i paaftë për zgjidhjen e konfliktit midis qeverisë regjionale në Kataloni, me aspirata për një vetëvendosje më të madhe dhe qeverisë qendrore në Madrid, e cila thotë se edhe vetë shqyrtimi i kësaj çështjeje do ta rrezikonte rendin e saj kushtetues. Bile edhe Gjermania është duke u ballafaquar me sfida të brendshme politike. Pasi që humbi rreth një të pestën e votuesve në zgjedhjet e fundit federale, kancelarja Angela Merkel është e detyruar që të mbështetet te tre partnerë të padisiplinuar të koalicionit, gjatë mandatit të saj të katërt dhe, me gjasë, të fundit. Sa i përket Italisë, anketat tregojnë se një shumicë e votuesve tani mbështetë partitë populiste dhe/ose euroskeptike. Derisa partitë tërësisht euroskeptike duket se nuk kanë të ngjarë që ta marrin pushtetin ndokund, këto ndryshime politike nuk kanë të ngjarë që të sjellin diçka të mirë për integrimin evropian. BE-ja nuk ballafaqohet me ndonjë kundërshtim të madh, të hapur. Në vend të kësaj, ajo sot ballafaqohet me një "indiferencë obstruksioniste", derisa shumica e shteteve anëtare të saj janë gjithnjë e më të preokupuara me sfidat e tyre të brendshme, duke e bërë integrimin evropian një çështje të rëndësisë së dytë në tërë kontinentin. mAta liderë të BE-së të cilët ende duan ta çojnë përpara integrimin, më nuk mund të llogarisin te argumenti, të përdorur gjatë krizës financiare, se nuk ka ndonjë alternativë tjetër. Dhe, konsensusi tolerant, i viteve të para të integrimit, tanimë i takon së kaluarës. Nëse dëshirohet që të bëhet një përparim më i madh kah një "union edhe më i ngushtë", atëherë liderët e Evropës do të duhet ta gjejnë një model të ri i cili mund ta tejkalojë apatinë e thellë të qytetarëve të tyre.

(Daniel Gros është drejtor i Qendrës për Studime Politike Evropiane, me seli në Bruksel) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për 'Project Syndicate', pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

 (Kosova Sot)