Çka është "republika në suspendim"?

Çka është
  • 14 October 2017 - 17:32

Shkruan: Francesc Badia i Dalmases 

KATALONASIT E HUTUAR!

Qeveria në Madrid do ta shfrytëzojë mundësinë për ta ushqyer bazën e saj nacionaliste

Fjalimi i Carles Puigdemontit tronditi ata që prisnin shpalljen e fitores. Federalizmi, në vend të shpëtimit të fytyrës, mund të jetë një rrugë për të shkuar përpara

Derisa isha duke shkuar në shtëpi, nga zyra ime në Barcelonë, një mbrëmje, ndesha me qindra mbështetës të pavarësisë që ishin mbledhur për të festuar atë që shpresonin të ishte kulminacion i një marshi të gjatë kah republika katalane. Atyre u ishte thënë se kishin votuar të ishin të lirë; se kësaj here referendumi ishte 'përnjëmend' dhe se qeveria, 48 orë pasi parlamenti t'i verifikonte rezultatet zyrtare, do ta shpallte pavarësinë. Fundja, ata qëndruan krenarë në rreshta të gjatë me krenari, përkundër frikës se do të rriheshin nga policia, vetëm dhjetë ditë më parë. Duke bartur me vete flamuj dhe bluza, ata kanë marrë pjesë në aq shumë demonstrata masive gjatë pesë a gjashtë viteve të fundit. Ata prisnin tani me shpresë që presidenti i tyre do ta shpallte pavarësinë. Por, ata mbetën duke pritur para një ekrani gjigant që transmetonte programin e TV publik katallan, e që gjendej në një bulevard disa kilometra nga parlamenti i cili ishte duke u ruajtur me të madhe nga policia. Ky nuk ishte një ogur i mirë rreth asaj që pritej të ndodhte. Nëse kjo ngjarje ishte një festim paqësor i bërjes së historisë, atëherë pse qytetarët mbaheshin larg?

Konfuzioni dhe zhgënjimi

Pas një shtyrjeje të mundimshme prej më shumë se një ore, ata dëgjuan një hyrje të zbehtë, ku u përmend një listë e gjatë e ankesave të popullit katalonas. Dhe, më pas, Carles Puigdemont deklaroi solemnisht se do të vepronte në bazë të rezultateve të referendumit të kontestuar dhe do të angazhohej për një "shtet të pavarur në formë të një republike" - këtu njerëzit brohoritën - vetëm për ta përfunduar fjalinë duke thënë se, një pavarësi e tillë, ishte 'në suspendim'. Mosbesimi dhe befasia shumë shpejt u zëvendësuan nga konfuzioni dhe zhgënjimi, derisa njerëzit mundoheshin ta kuptonin se çka, në të vërtetë, donte të thoshte një 'republikë në suspension'. Qeveria e Katalonisë është duke u munduar që ta shpëtojë fytyrën para votuesve të cilët kishin mbrojtur kutitë e votimit me trupat e tyre. Ajo tani nuk mundet t'u thotë atyre se referendumi ishte fals dhe i padobishëm dhe se përsëri jemi kthyer në pikën zero. Qeverisë i duhej që të pranonte se, jo vetëm që pavarësia aktualisht është e pamundur - shteti spanjoll i ka të gjitha kartat në duar dhe e ka një mbështetje të madhe të bashkësisë ndërkombëtare - por edhe e padëshirueshme, pasi katalonasit që duan ta mbrojnë unitetin spanjoll tani janë mobilizuar dhe ekziston një rrezik real për një thyerje sociale, bile edhe për dhunë në rrugë.

Autonomia me gjasë do të suspendohet pjesërish


Por, shpallja e pavarësisë dhe, në të njëjtën fjali, suspendimi i saj, mund të çojë deri te suspendimi i autonomisë të cilën e gëzon aktualisht Katalonia. Qeveria në Madrid do ta shfrytëzojë mundësinë për ta ushqyer bazën e saj nacionaliste dhe për të arritur një avantazh zgjedhor nga kjo situatë, derisa përpiqet që ta kthejë dinjitetin dhe autoritetin pas poshtërimit që përjetoi gjatë tentimit patetik dhe të dështuar për ta ndalur mbajtjen e referendumit. Sipas të gjitha gjasave, Madridi do ta vazhdojë presionin ligjor ndaj liderëve katalonas dhe do t'i konsiderojë ata përgjegjës për shkelje të ligjit. Pyetja që shtrohet tani, është se a do ta përdorë kryeministri Mariano Rajoy nenin 155, duke suspenduar në tërësi vetëqeverisjen e Katalonisë. Pa mbështetjen e Partisë Socialiste, ai nuk ka gjasa që ta bëjë një gjë të tillë. Autonomia me gjasë do të suspendohet pjesërisht, ashtu sikur që është e suspenduar edhe republika e pavarur. Pasi ka humbur fuqinë dhe prestigjin e saj (e majta radikale pro pavarë- sisë tani ndihet e tradhtuar), qeveria e Katalonisë do të presë anketat e opinionit publik, për të treguar se kush do ta paguajë çmimin për këtë episod sfilitës, pendues dhe tendosës të nervave. Kjo, natyrisht, do të ndodhë përderisa Rajoy nuk bën ndonjë gabim tjetër katastrofal, i cili do t'i ringjallte radhët e mbështetësve të pavarësisë, të cilët tani janë në depresion. Këtë mëngjes lajmet sugjeronin se një zgjidhje federale, nëpërmes reformës kushtetuese, mund të jetë në rrugë e sipër. Pasi të qetësohen gjakrat, do të shohim nëse dhe, kur, do të caktohen zgjedhjet regjionale. Por, tani, për fatin e keq të të gjithëve, ideja e mbajtjes së një plebishiti të dakorduar dhe obligativ, nuk është e fortë. Fundja, referendumi në Kataloni tregoi të ishte tepër polarizues, toksik dhe metodë mashtruese, e cila është bërë më shumë problem, sesa zgjidhje. 

(Francesc Badia i Dalmases është redaktor i "DemocraciaAbierta" dhe ekspert i çështjeve ndërkombëtare) 

(Kosova Sot)