Kina, fituesja e së ardhmes

Kina, fituesja e së ardhmes
  • 16 October 2017 - 09:16

Shkruan: Fareed Zakaria

Këtë javë, faqja e parë e gazetës "New York Times" përshkruante shfuqizimin e Planit për energji të pastër (përpjekja e administratës Obama për zvogëlimin e lirimit të karbonit nga centralet me thëngjill) nga ana e administratës Trump. "Lufta kundër qymyrit mori fund", deklaroi administratori i Agjencisë për mbrojtjen e ambientit, Scott Pruitt. Mu nën atë artikull ishte një artikull nga gjysma tjetër e botës, që jepte detaje rreth investimeve masive të Kinës në pajisjet elektrike, që është pjesë e përkushtimit të Pekinit për të dominuar në epokën e teknologjisë së energjisë së pastër. Ky është një rrëfim rreth dy strategjive. Administrata Trump ka vendosur që të hyjë në një shekull tjetër: në shekullin XIX. Ka rreth shtatë dekada që qymyri ka qenë në rënie e sipër. Në vitin 1950, ai paraqiste rreth gjysmën e prodhimit të energjisë elektrike në SHBA. Për më tepër, automatizimi masiv i minierave ka bërë që në këtë industri të mbyllen vendet e punës, nga 176,000, sa ishin në vitin 1985, në vetëm 50,000 sivjet.

Kërkesat për qymyr janë të vogla

Makineritë dhe softueri janë duke zëvendë- suar minatorët e qymyrit, me të njëjtin hap sikur edhe në industritë e tjera. Kërkesat për qymyr janë të vogla, për shkak të alternativave, kryesisht të gazit natyror. Gjatë viteve të fundit, shumë nga kompanitë kryesore amerikane të qymyrit kanë qenë të detyruara të falimentonin, duke përfshirë edhe atë më të madhen, "Peabody Energy". Përkundër ndryshimit të politikës nga ana e presidentit Trump, këta trendë nuk kanë gjasa që të ndryshojnë. "Reuters" ka konstatuar se, nga 32?shërbime komunale në 26?shtete, që kanë ngritë padi ndaj Planit të energjisë së pastër, "pjesa kryesore e tyre nuk kanë plane për ta ndryshuar shkarjen e tyre multi-miliardere shumëvjeçare nga qymyri". Arsyeja pse shërbimet komunale janë duke evituar përdorimin e qymyrit ka të bëjë me çështjet ekonomike - çmimi i gazit natyror ka rënë shumë gjatë viteve të fundit dhe, pjesëmarrja e tij në krijimin e energjisë elektrike në SHBA thuajse është trefishuar që nga viti 1990. Për më tepër, kostot janë duke rënë me të madhe edhe për energjinë e erës dhe atë solare (të diellit). Dhe, natyrisht, qymyri është forma më e ndytë e energjisë që përdoret. Centralet energjetike me qymyr janë liruesit më të mëdhenj të dyoksidit të karbonit dhe, shumë shkencëtarë pajtohen se, lirimi i këtyre gazrave, çon deri te rritja e ngrohjes globale. Ato po ashtu shkaktojnë ndotje të tmerrshme të ajrit, me të gjitha problemet shëndetësore që shkaktojnë dhe me koston e trajtimit të tyre.

Kina ka investuar 78.3 miliardë dollarë në energjinë e ripërtëritshme vitin e kaluar

Kjo është njëra prej arsyeve pse Kina, e cila çdo vit ka më shumë se 1 milion të vdekjeve të shkaktuara nga ajri i ndotur, është duke bërë investime të mëdha në energjinë e pastër. Ky vend është bërë njëri ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë të turbinave të erës dhe të paneleve solare, ku subvencionet qeveritare ua mundësojnë këtyre prodhuesve që të bëhen efikase ndaj kostos dhe globalë, në aspiratat e tyre. Në vitin 2015, Kina ishte shtëpia më e madhe në botë e prodhuesve të turbinave të erës dhe e dy prodhuesve më të mëdhenj të paneleve solare. Sipas një raporti të bërë kohët e fundit nga OKB, Kina ka investuar 78.3 miliardë dollarë në energjinë e ripërtëritshme vitin e kaluar - gati dyfish më shumë sesa SHBA-ja. Tani Pekini ka filluar që të prodhojë vetura elektrike, duke shpresuar të dominojë në atë që, sipas saj, do të jetë industria transportuese e së ardhmes. Tanimë, Kina kryesor në fushën e veturave elektrike. Në vitin 2016, në Kinë, veturat e tilla u shitën gati sa dyfishi i atyre që u shitën në SHBA, gjë që paraqet një arritur të rëndësishme për një vend i cili, dhjetë vjet më parë, thuajse nuk kishte aspak teknologji të tillë. Liderët e Kinës kanë bërë me dije se, deri në vitin 2025, duan që 20% të gjitha veturave të reja, që shiten, të jenë me karburante alternative. E tërë kjo thuajse tanimë është 'përkthyer' në vende të punës, "liga e madhe", sikur që do të thoshte presidenti Trump: 3.6 milionë njerëz tanimë janë duke punuar në sektorin e energjisë së ripërtëritshme në Kinë, krahasuar me 777,000 në SHBA. Kina vazhdon që të jetë ende e varur me të madhe nga qymyri, të cilin e ka me bollëk, dhe është përpjekur që të gjejë burime të qëndrueshme të karburanteve tjera fosile. Gjatë dy dekadave të fundit ajo ka bërë blerje të mëdha, duke lidhur marrëveshje për burime natyrore dhe energji në tërë botën, shpesh duke paguar në kulmin e krizës, në mes të viteve 2000. Por, me kalimin e kohës, ajo vërejti se kjo ishte një strategji e keqe, meqë e lidhte Pekinin me projekte të shtrenjta në vendet jo stabile të Afrikës. Në vend të kësaj, Kina filloi ta shikonte SHBA-në dhe të mësonte nga ajo, derisa revolucionet teknologjike rritën në mënyrë dramatike furnizimin dhe ulën koston e gazit natyror dhe energjisë solare. Kina tani ka vendosur që ta vejë një theks më të madh te kjo rrugë e sigurisë energjetike, e cila ia siguron asaj se do të jetë prodhuesi kryesor botëror i energjisë së pastër. Trump shpesh ka folur rreth asaj sesi "Kina është duke na vrarë" dhe ai është lodhur së dëgjuari rreth shifrave të larta të rritjes së Kinës. Ai duhet të vërejë se Pekini është duke e arritur këtë rritje duke u përqendruar te e ardhmja, te fushat e ardhshme të rritjes në ekonomi dhe teknologji. SHBA-ja nën Trumpin do të angazhohet në një tentim të kotë donkishotesk për t'i ringjallë industritë e së kaluarës. Çka mendoni, kush do të fitojë?

(Kosova Sot)