Ndërkombëtarokracia

Ndërkombëtarokracia
  • 19 October 2017 - 21:02

Shkruan: Albinot Maloku

 

Se ç’cilësi ka sasia e ndërkombëtarëve të angazhuar në Kosovë, më së miri e tregon sentenca filozofike popullore “ndërkombëtarët ua kanë zënë bishtin me derë vendorëve”. Në mungesë të një transparence, në një kohë mjegullnajash politike, ky mendim e përshkruan për mrekulli raportin e ndërsjellë ndërkombëtarë-vendorë, çuditërisht, duke mos i lënë aspak hapësirë imagjinatës. Ka vite qëkur Kosova, e qe besa edhe këto vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, udhëhiqen nga një sistem politik i atillë, që s’mund ta definojë qartë as teoria më e avancuar e shkencave politike. Këtë sistem ne po e quajmë ndërkombëtarokracia. Ky pra është sistem politik i një vendi të caktuar, i cili udhëhiqet nga ndërkombëtarët, përmes garniturave politike vendore të preferuara nga ata. Ai identifikohet si i tillë kur raporti i tyre mbahet i mbyllur, por që saktësisht zbulohet sapo të vije momenti kur vendorëve u vije puna pick.

 

Ky lloj sistemi politik bëhet i rënd kur i ekspozohet popullit si miqësor, i veçantë, special, i pa parë, e kur propagandohet se patjetër duhet ruajtur kjo lloj lidhje, se bëhen keq punët për vendin në rast të kundërt. Ndërkombëtarët e shesin për ndihmë, e garniturat vendore e pranojnë pa hezitim si të tillë. Bile po u rekomandua diçka që i bije tamam vendit e kuvendit, e që mund të mos u konvenojë garniturave vendore politike, këto me yrysh të fusin frikën në palcë, se të rekomanduarat nuk janë “në koordinim me faktorin ndërkombëtar”. Kjo “në koordinim me faktorin ndërkombëtar” e ‘në frymën e Kosovës Evropiane” e dërmojë Kosovën e qytetarin e saj deri në tëhuajsimin e tij fizik, mendor e shpirtëror.

 

Si u bë puna që bash tash shkruajmë për këtë marrëdhënie që po di të dalë jashtë kontrollit e për të cilën publiku po informohet? Ishte ekspozeu i Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi në lidhje me punën e Gjykatës Speciale, që nxori në dritë marrëdhënien e tij me ndërkombëtarët, e që ra si mort, e u bë edhe një mekanizëm i drejtësisë për të gjykuar ushtarin e Kosovës së lirë. Ai gjatë këtij ekspozeu tha se “vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale erdhi si nevojë politike ndërkombëtare e akterëve ndërkombëtarë, sesa për drejtësi të mirëfilltë”. Tutje ai shtoi se i ishte premtuar nga ndërkombëtarët që si kundërpeshë e themelimit të kësaj gjykate, Kosova do të pranohej në Këshillin e Evropës, që do të anëtarësohej në UNESCO, liberalizimi do të ndodhte e edhe FSK-ja do të bëhej FAK, mirëpo në fund ishte tradhtuar nga këta të fundit. Këtij ekspozeu të të parit të vendit, nga mediet në Kosovë iu bë leximi në atë formë aq sa të nxirrej konkluzioni i pritur që presidenti është në panik e po frikësohet nga Gjykata Speciale. Pa dyshim, ky lexim nuk është rezultat i ndonjë ekspertize, e aq më pak do të mund të cilësohej si zbulim epokal. Gjykata Speciale si peshqesh i ndërkombëtarëve për Kosovën, e posaçërisht për Hashim Thaçin, emri i të cilit është edhe akronimi tjetër për te, është cirku më interesant i drejtësisë ndërkombëtare pas ICTY, si instancë më shumë përfshirëse e drejtësisë. Por, çështja është te raporti vendor-ndërkombëtar.

 

Marrëdhënia e vendorëve me ndërkombëtarët në raport me Kosovën e për Kosovën, prej vitit 1999 e këndej, ka bërë që shteti të konsiderohet jo vetëm i dështuar, por siç do të shprehej profesor Riza Smaka, e ka bërë atë impotent në çdo situatë. Kjo marrëdhënie është imponuar të prezantohet si miqësore, e natyrshme, reale, por faktikisht ishte kushtëzuese, e pa natyrshme, e interesit krejtësisht ditor. Kjo ka ndodhur bash për shkak të një qëndrimi ambiguinal të klasave politike vendore, ku para ndërkombëtarëve përmes një tëhuajsimit krejtësisht artificial janë prezantuar si pulat më të dëgjueshme të fermerit, kurse para bashkëqytetarëve si shqiponjat më të egra. Duke e marrë parasysh këtë, edhe këto kokorisjet e kohëpaskohshme të klasës politike vendore kundër ndërkombëtarëve, e sidomos këto të presidentit Hashim Thaçi, vijmë në një përfundim se krrokamat e tilla janë jo bindëse, pavarësisht se janë shumë të drejta. Kur Gjykata Speciale shihej me shumë kritikë dhe kërkohej një qasje më rigide nga ana Kosovës, që të mos vije deri te miratimi siç ishte sjellë në tavolinë nga miqtë ndërkombëtar, ishte vet presidenti Thaçi që si shqiponjë hidhej ndaj kritikëve se nuk po ia duan të mirën vendit.

 

Priremi të besojmë se ka mundur të ketë edhe premtime sikurse që ka edhe kushtëzime nga ndërkombëtarët për vendorët dhe Kosovën. Funksionimi i tillë i marrëdhënieve në politikë nuk është zbuluar as krijuar në rastin e presidentit Thaçi me ndërkombëtarët. Kjo gjë ka ndodhur gjithmonë dhe është krejt normale në krejt jo normalitetin e një raporti që pretendon të prezantohet si miqësor, i natyrshëm dhe real. Mirëpo, në të gjitha rastet ku ka pasur raporte mes vendorëve e ndërkombëtare siç i ka pas Kosova, kanë dështuar e asnjë herë nuk kanë prodhuar ndonjë gjë që të ketë jetëgjatësi. Garniturat politike në Kosovë, pa dallim, prej pas luftës e këndej, me ndonjë moment teke-tuk të kundërshtimit të ndonjë oferte nga ndërkombëtarët, gjithmonë kanë qenë shfrytëzues personal e grupor nga qafë-shtrirja që u kanë bërë atyre, duke mos ruajtur tek e fundit as vetën e lere më shtetin e shtetësinë e vendit.

 

Në një moment shterjeje të shpjegimit të këtij raporti mes vendorëve e ndërkombëtarëve, dikush do të mund të thoshte me të drejtë, ‘tek e fundit shtetet njohin interesat, jo miqësitë’. Po, pajtohem dhe bash për këtë Republika e Kosovës e garniturat e saja politike duhet të njohin interesat shtetërore, jo vetëm para interesave personale e grupore por çoftë nevoja edhe para miqësive ndërkombëtare.

 

(Kosova Sot)