SHBA, na shpëtove e na ke fikë!

SHBA, na shpëtove e na ke fikë!
  • 27 July 2015 - 18:41

Shkruan: Haki N. Bunjaku

PERËNDIMI IA QËLLOI ME RUGOVËN, GABOI ME THAÇIN

Nuk duhet mbështetur politikanët mafiozë

Ju lutem ta keni në konsideratë gjendjen tonë të mjerueshme e të shtypur, nën kryebanditin me shokët banditë e kriminelë të ndihmuar nga SHIK-u i tyre

Ishim keq nën agresion animal serb. Ne, në diasporë e ndjenim thellë në shpirt shtypjen e egër në Kosovë. Këtë e kishim temë bosht të diskutimeve. Në një ndejë u thashë: Mos harxhoni llafe se Serbinë, qysh ka zënë pozicionet strategjike në Kosovë, vetëm avionët mund ta nxjerrin nga ato pozicione e bira. Nuk ma pranuan, por as nuk kundërshtuan. Ibrahim Rugova me ndihmën e miqve ndërkombëtarë do të jetë çlirimtari ynë. Vërtet me urtësinë dhe mësimin e politikanëve amerikanë e të tjerëve u bë lidershipi i Kosovës i pakundërshtueshëm. Ndërsa injorantët e politikës komuniste enverostaliniste e tallnin dhe e kundërshtonin, si paqësor në kohë lufte. Ndërsa ai burrë zhvillonte luftën në dy fronte: luftën me mjete paqësore në tavolinën e politikës dhe luftën frontale me mjetet e luftës (FARK). Por, ai nuk e shihte t`udhës të fryhet si quran, në stilin e "komandantëve" të UÇK-së. E çliroi vendin, formoi shtetin dhe Republikën, president i parë i së cilës u zgjodh me votën e sovranit. Tash ka diçka që nuk ecën. Rugova ishte këmbëngulës në mendimin e vet. Nuk lakohej. Vdekja e tij ka analogji me vdekjen e Stalinit, të cilit KGB-ja ia largoi mjekët personalë dhe solli mjekë të KGB-së, të cilët ia "dhuruan" vdekjen me shiringa. Nuk lejohej askush të piqej me të. Edhe vajzën e vetme ia thirrën pas vdekjes. Kam dëgjuar që edhe te Rugova, kohët e fundit, nuk janë lejuar të asistojnë mjekët shqiptarë. Është diskutabile, si e rroku kanceri në liri e jo më herët. Zbulimi i kësaj fshehtësie zgjat një jetë njeriu, kur shuhen të gjithë dëshmitarët e kohës. Sido që të jetë, e keqja është se Rugova shkoi në pa kthim. E keqja më e madhe erdh nga SHBA-të dhe aleatët e tyre; kur për lidership kryesor të Kosovës afirmuan një hajn, një kriminel, një enverostalinist dhe një kundërshtar të papërmirësueshëm të Dr. Ibrahim Rugovës, ndaj të cilit ushtroi edhe atentat politik, një injorant me emrin biologjik të rrëshqanorëve dhe me emrin e regjistruar: Hashim Thaçi.

Sundimi mafioz i Hashim Thaçit 

Nën sundimin e tij nuk e patëm më mirë se nën regjimin e Serbisë. E zhbëri Republikën, e copëtoi Mitrovicën, e bëri kantonizimin serb të Kosovës. Ndikoi në eksodin masiv të popullatës, të cilët n`atë acar dimri e pësuan shumë keq. Pat edhe "përmendore" të ngrira. Por asnjë fjalë për shtytjen dhe për pasojat. Me fjalë tjera bëri atentat kolektiv në popullatën e Kosovës. E hëngrën me bashkë banditët gjithë pasurinë publike shtetërore, mbylli të gjitha fabrikat dhe kombinatet, të cilat i shiti në akrabatë e tij për një çmim qesharak. Varfëria është në kulm, por edhe vetëvrasjet e shpeshta si dhe divorcet e përditshme japin fytyrën e politikës së kalbur e kryekëput mafioze. Të nderuar miq amerikanë dhe ju ndërkombëtarët tjerë: Populli liridashës dhe miqësor i Kosovës nuk e meriton gjithë këtë frustrim, gjithë këtë përbuzje deri në zhdukjen e qenies fizike. Ju lutem ta keni në konsideratë gjendjen tonë të mjerueshme e të shtypur, nën kryebanditin me shokët banditë e kriminelë të ndihmuar nga SHIK-u i tyre! Ani tash, për habinë tonë, të gjitha veprimet i ka pozicionuar për të marrë Presidencën, çka do t`ishte katastrofë për Kosovën.

Isa dirigjohet nga Hashimi

Bashkë me kryeministrin e tashëm, poshtërsisht bën hazardin mafioz politik: -Unë të bëjë kryeministër, ti më bën president dhe ende rrahin këtë kambanë sherri, po sovrani ku po mbetet?! Këtë lojë të fëlliqur dhe shumë të rrezikshme që po e ndihmon dhe kryeministri i zgjedhur jo në mënyrë të rregullt e që nuk ndryshon fare nga bashkëveprimtari i tij, Hashim Thaçi, nga i cili edhe dirigjohet. Nëse zbatohet drejtësia dhe liria, për të cilat u bë shumë mund e sakrifica, që të dytë duhet të largohen dhe të japin llogari para drejtësisë. Ne s'e kemi atë fuqi, prandaj po na rrjepin të gjallë. Kam nderin të shpresoj në ndihmën tuaj miqësore!