Dasma pompoze e borxhlinjve shtetarë

Dasma pompoze e borxhlinjve shtetarë
  • 21 October 2017 - 09:21

SHKRUAN: SHEFIK SHKODRA 

Asnjë shpresë për të rinjtë

Krejt familjarët e politikanëve janë punësuar, prej shtatë-tetëmbëdhjetë vjetësh e deri te halla e fundit, që s'i ka mbetur një dhëmb në gojë, për pak pa i mbërri vjetët e pleqërisë. E kanë zgjeruar rrethin, daja, tezja, dhëndëri, kushëriri, kojshia, dashnorja etj.

Vjeshta ka marrë me ndryshim kohe. Bie temperatura e shënon stinën e dimrit. Të nesërmen ngrihet dhe shënon vapën e verës. Mileti sapo ka vu palltot e mantot e gjata, tash dalin sërish me këmisha të shkurtra. Oborri i hotelit mbushet me figura të njohura e më shumë të panjohura. Tuba-tuba si shtegtarët mblidhen e kuvendojnë, me nga një kafe kalojnë kohë të gjatë, sidomos pensionistët. Grupe-grupe ikin nga restoranti dhe të fillohen në vend-takimet e brohorive të "muhabetit" me përralla të palaçove. Një grup sa shkon, vjen tjetri. Që të gjithë orvaten që sa më shumë klientë të përfitojnë. Edhe brenda restorantit sallat janë të zëna. Është instaluar teknika me altoparlantë në të katër anët. Rrugët e qytetit ushtojnë nga mizoritë e sirenave të veturave e të çallgive dhe asgjë nuk mund të dëgjosh tjetër. Janë krushq të dasmës tradicionale, apo synetit në vlugun veror të njerëzve të diasporës?! Është gëzim i madh sigurisht! Po. Parada me portrete parulla dhe mbishkrime të partisë. Hë! Po. Do të duhej të ishin të gëzuar e të lumtur këta pjesëtarë që vrapojnë dhe brohorasin pas atyre flamujve me tupanë e surle ...Britmat marrin hov në kupë të qiellit me "Rroftë...rroftë..." po herë-herë nuk kuptohet nga grumbulli dhe përzierja e zërave se, kush ishte ai që duhej të rrojë (!). Duhet gjetur arsyen që po ngarendkemi me vrap e pa frymë pas atyre ceremonive. 

Tam-tumet e shurdhëta 

Edhe tingujt e muzikës, britmat e njerëzve dhe sirenat e veturave, të stolisura me flamuj dhe bilborde e parulla të pa kontrolluara, që çojnë peshë njerëzit anë e kënd, janë vetëm refrene të kahershme. Janë trakë të e incizimeve përsëritëse, gati të çjerra dhe krrakatëse! Janë melodi të shtjerra pa pikë ndryshimi. Dalin si zëra korbi. Asnjë shpresë nuk do t'i lidh këta të rinj e këtë popullatë me këto dasma të shtrenjta në këtë kohë varfërie. Asnjë këngë nuk do të këndohet për këta këmbësorë qyteteve dhe fshatrave. Çdo gjë është shterë në arkën komunale. Janë lodruar në "kalin e qyqes" mjetet financiare! Populli thotë: "I ka hangër dreqi!" Buxheti ka ngelë në hejbet e imagjinuara, nuk po lejohet asgjë për këtë anë. Jo, po u duhen për veti... Vetëm ata që bëjnë rrobat e këtij mileti e dinë se ku i kanë lënë dhe cila është Krye-fantazma përgjegjëse. Asnjë obligim ndaj qytetarëve nuk është kryer (me përjashtim të klientëve dhe militantëve partiak) nga komuna. Sidomos Anamorava janë "Rrypitoll". Prandaj, krejt kjo muzikë dhe këto duartrokitje janë veç për grupe njerëzish me padronë të njëjtë. Kënaqësia e tyre është për të jetuar në mënyrë pashallarësh dhe jo tjerët. S'ka ekonomi (punësim), s'ka shëndetësi të mirë, administratë kapadahish, arsim nëpërkëmbësh, s'ka kulturë (është e tepërt për kuadrot tona politike, si të pakulturuar që janë), më mirë është të shkojnë diku tjetër ato para të kulturës. P.sh., në ndonjë aheng, në ndonjë veturë zyrtarësh, në telefona shumë ekspres, në dreka e darka, në shkuarje dhe ardhje në botën e jashtme, madje familjarisht, nëse duhet. Po s'ka as gjyqësi, ku të ankohesh për dertet tua?! Një borxh për komunalit po të mbetet, vijnë me dhunë, edhe dhjetë euro t'i marrin. Kjo vjen nga paralelja qendrore (e Qendrës - e Zemrës) deri këtu në këto kasabat e rrethet. S'ka para për të paguar invalidin dhe të varfrin; s'ka para për t'ua paguar pagat (tri) pensionistëve nga arsimi...Po ku shkoj buxheti për këto paga? Pse merret vendimi që nuk mund të arsyetohet? Një vjet konkurron kandidati për një projekt të vogël (një mijë euro) në kulturë, sot nesër - s'ka buxhet...Ku është ai buxhet, ku shkuan para? Përgjigjja e shefave e e nëpunësve është: "Nuk dimë gjë..." Çfarë dimë ne? Çfarë të mirash na sollën deri më sot kaq vite pas '99-ës të njëjtat figura? Sa shumë fjalë kanë harxhuar për gënjeshtra para këtij populli. Dhe janë të kënaqur. E mendojnë sukses. Po, të mirat prej tyre kemi pasur të mbrapshta: çmimet e larta në rrymë (disa hise duhet të paguhen), në artikuj ushqimorë (jo krejt të sigurt për konsum - për shqiptarë s'ka dert), telefoni i shtrenjtuar (nëse mund të afrohet borxhi që kanë bërë dallavere "ekspertët" tanë). Na morën edhe frymën...Krejt familjarët e politikanëve janë punësuar, prej shtatë-tetëmbëdhjetë vjetësh e deri te halla e fundit, që s'i ka mbetur një dhëmb në gojë, për pak pa mbërri vjetët e pleqërisë. E kanë zgjeruar rrethin, daja, tezja, dhëndëri, kushëriri, kojshia, dashnorja etj. 

Keqpërdorimi e shpërdorimi

Gjithnjë për çështje shqiptare ishim, por tash të mendojnë ndryshe, si kundërshtar. - Si të veprohet që të pranojnë edhe ty në rresht? Duhet t'u këndosh Ode te dera. T'u biesh në gjunjë këtyre idiotëve. T'i lavdërosh e t'ua pranosh krejt "veprimtarinë" e tyre të suksesshme, duke aluduar se, këta tipa e këto parti ishin e janë "selameti" i këtij populli. Këtë nuk kemi mundur ta themi, prandaj kemi mbetur pak (disa) si "dhia e zhugavtë". Se, korrupsioni, mitoja, kriminaliteti, tradhtia me njëritjetrin janë elemente shoqërore legale të këtij sistemi...natyrisht, mendoj për këtë shtetin tonë. Këtë që po e ndërtojmë, apo po e shkatërrojmë?!. Sidoqoftë, qefin duhet bërë kalorësiakëve të këtyre froneve, ata, ato që e përfaqësojnë shtetin amull si këneta me plot kërma e fëlliqësira. Krejt është vija direktivë nga qendra. Nga paaftësia? Jo krejt nga paaftësia sa nga keqpërdorimi e shpërdorimi. Ata kështu kanë vepruar me vite e me vite. Kështu do të veprojnë edhe më tej. Kështu do të jetë gjendja edhe nëpër lokalitetet regjionale. Ju që shkoni pas tyre kudo, sigurisht i keni punët mirë me ta. Jeni të punësuar edhe me macet e shtëpisë! Pjesa tjetër e mjerë, sipas premtimeve gënjeshtare, shpresojnë që do t'u gjendet ndonjë vend si roje nate (security), konobar në ndonjë restorant, fshisaxhinj në ndonjë tualet publik. Po. Nëse dikush është kah "kllaku" mirë, bukurosh a bukuroshe, me pak shkollë do të gjendeni, ndonjëri, edhe nëpër zyrat e poterexhinjve. Më në fund, dikush do të shpresoj edhe diçka tjetër më larg. Si p.sh: Nëpërmes lidhjeve tërthorazi, deri te ato agjencitë e famshme me pagesa të mëdha, me të "njohshëm", të furnizohet si qytetar i vendit me leje udhëtimi (leje të Bajram begut) për në Evropë. Atje, ikni pra, sa më shumë. Zoti qarën...! Se këtu s'ka vend për të gjithë!...E jo. Me siguri që dikush nuk do të mund të jetojë në vendin e vet, ngase tam-tumet ushtojnë kur vjen vakti vetëm për figurat e "merituara" në zgjedhje. Asgjë më!...

(Kosova Sot)