Së pari, demarkacioni me Serbinë, pastaj me Malin e Zi!

Së pari, demarkacioni me Serbinë, pastaj me Malin e Zi!
  • 21 October 2017 - 11:24

Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Pse Serbia  për liberalizimin e vizave nuk e pati kusht demarkacionin me Kosovën?!

- Nga doli që Kosova ta ketë kusht liberlazimin e vizave në këmbimin  me miratimin e demarkacionit me Malin e Zi?!

-Kush e ngriti këtë metodë deduktive të gabuar politike dhe diplomatike të zgjidhjes së këtij problem?

-Kush e bëri këtë kusht, qeveria e Kosovës, Brukseli, apo Podgorica?

-Sa ia vlen, ta zgjidhnim problemin e demarkacionit me Malin e Zi, derisa  këtë, së pari, nuk e kemi të zgjidhur  me Serbinë ish-kolonialiste dhe gjenocidale?

Kushti i BE-së për liberalizimin e vizave Kosovës, nuk është i ligjshëm, demokratik e as  standard parimor

-Sepse, së pari, BE-ja dhe lidershipi  i Kosovës, do të duhej të kërkonin nga Serbia, që të përmbushte një kusht të tillë-demarkacionin me Kosovën, pastaj lejimi I vizave për qytetarët e saj, si dhe kandidatura për të hyrë në BE.

Mirëpo, këtë çështje, së pari, do të duhej ta ngrinte ish-kryeministri Hashim  së bashku me qeverinë dhe me parlamentin e tij të Kosovës, duke kërkuar  kërkuar nga BE-ja, që  ta kushtëzonte Serbinë me tërheqjen e vijës së demarkacionit territorial ndërshtetëror me Republikën e Kosovës,  pastaj, t’ia njihnin të drejtën e liberalizimit të vizave, si dhe ta “kandidonin” për anëtar të mundshëm të BE-së.

-Po  të kishte pasur Kosova liderë të mirëfilltë politikë, qytetarët e saj, do të pajiseshin me viza nga BE-ja, para qytetarëve të Serbisë.

Mirëpo, çfarë të bëjmë, duhet të durojmë, sepse çdo gabim politik e ka edhe çmimin e vet të lartë, duke qenë se vasalët tanë nuk janë të vetëdijshëm se, asnjë problem politik nuk zgjidhet, duke filluar nga shkronja “ZH”, por nga shkronja  “A”. Ky ishte gabimi trashanik, edhe me ngritjen e demarkacionit me Malin e Zi, në vend se, SË PARI,  të fillohej me Serbinë, e cila ende nuk njeh kufijtë shtetërorë të Kosovës, por vetëm adaministrativë  artificialë të  ish-RSFJ-së së Josip B. Titos.

-“Të rrimë shtrembër e të flasim drejt”, si thotë një fjalë e urtë popullore, sa ia vlen ta përmbyllim çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, kur, së pari, nuk kemi zgjidhur problemin e demarkacionit me Serbinë?

Me të drejtë kërkohet dhe dokumentohet se “ Zhlebi, Kulla dhe Çakori etj.” janë pjesë e teritorit të Kosovës nën Mal të Zi. -Nuk ka asnjë dyshim, ka edhe më shumë kilometra katrorë të territorit shqiptar nën Mal të Zi. Mirëpo, ne, së pari, duhet ta zgjidhim problemin e demarkacikonit me Serbinë, sepse jashtë kufirit të Kosovës kanë ngelur Presheva, Bujanoci dhe Medvegja etj. Për më tepër, Kosova si shtet i pavrur dhe sovran, ende nuk ka përcaktuar demarkacionin e kufijve ndërshtetërorë me Serbinë, gjëqë kjo është një nga kushtet themelore për njohjen e Kosovës si  shtet sipas së drejtës ndërkombëtare.

-Sot, vetëm qytetarët e Kosovës jetojnë në “geto” paliberlazimin e vizave, kjo është në kundrshtim me standardet  e BE-së, si dhe me konventat ndërkombëtare për lëvizjn e lirë të  qytetarëve.

Mirëpo, për shkak të politikës së praptë, ka ndodhur e kundërta. Serbia që ka kryer gjenocid mbi shqiptarët dhe mbi Kosovën (1998-1999) u  shpërblye me njohjen e liberalizimit të vizave nga BE-ja, kurse Kosova  si viktimë ngeli në geto për gabimin dhe për fajin e drejtuesve të saj me Hashim Thaçin në krye, të cilët pranuan politikën imponuese të Serbisë.

Kryeministri Ramush Haradinaj në potez

Për të dalë nga rrethi vicioz i disonancave të krijuara mes qeverisë së Kosovës dhe BE-së, për shkak të mosmiratimit të demarkacionit ndërkufitar të Kosovës me Malin e Zi, kryeministri aktual i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj,  në mënyrë  imediate, do të duhej t’i drejtohej  BE-së me kërkesën, që ta heqë “kushtin e saj- ratfikimin e demarkacionit me Malin e Zi” në këmbimin me lejimin e  vizave” për  shtetasit e Kosovës.

Ky nonsens, duhet të heqet nga “rendi i ditës” së bashkëpunimit të qeverisë së Kosovës me BE-në, sepse që nga fillimi, ngritja e këtij problemi ishte e gabueshme nga të dy palët, kur dihet se Kosova si shtet sovran, ende nuk ka të caktuar kufijtë shtetërorë me Serbinë.

Pra, logjikisht dhe juridikisht sipas normave, rregullave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare, Kosova, së pari, do të duhej të kërkonte tërheqjen e vijës kufitare ndërshtetërore me Serbinë ish-kolonialiste, e cila, nuk po e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Këtë e provon edhe moslejimi i caktimit të kufijve shtetërorë  mes Serbisë dhe Kosovës ngaqë   Beogradi zyrtar pranon vetëm kufijtë administrativë  sipas Kushtetutës së RSFJ-së dhe të KSAK të vitit 1974, JO  kurrsesi kufijtë  shtetërorë të Republikës së Kosovës,17 shkurt 2008, edhe pse, deri tani këtë e kanë njohur 114 shtete të OKB-së.

Së pari, demarkacioni me Serbinë, pastaj me Malin e Zi!

Ky është problemi numër 1, i pazgjidhur, edhe për Bashkimin Evropian (BE), edhe për Amerikën, edhe për Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, Jo Mali i Zi, i cili ka njohur Republikën e Kosovës. Ndaj, demarkacioni me Malin e Zi, duhet të jetë në plan të dytë, pasi që Kosova dhe BE-ja dhe Amerika, ta zgjidhin problemin e demarkacionit të Kosovës me Serbinë.

Pra, së pari, Qeveria e Kosovës me Ramush Haradinaj në krye, duhet  të kërkojë nga BE-ja dhe nga Amerika, që ta detyrojnë Serbinë për tërheqjen e vijës së demarkacionit ndërshtetërorë me Kosovën (duke vendosur simbolet shtetërore të Kosovës në kufirin me Serbinë).

(Kosova Sot)