Lufta Civile e Evropës

Lufta Civile e Evropës
  • 28 July 2015 - 12:21

Shkruan: Anne-Marie Slaughter

E ardhmja e përbashkët 

Gjermania dëshmoi se ekonomia është më e rëndësishme se çështjet politike

BE-ja tani po ballafaqohet me luftën e vet civile, që, për fatin e mirë, nuk përmban dhunë fizike. Pa burrështetas, që kanë aftësi për artikulimin e një vizioni të një të ardhme të përbashkët, për të cilën ia vlen të punohet, e të sakrifikohet, ana e unitetit mund të mos fitojë

Negociatat, në lidhje me arritjen e marrëveshjes për borxhin e Greqisë, kanë ndikuar në shpërfaqjen e dy vizioneve konkurruese në Bashkimin Evropian: vizionin fleksibil, human dhe atë të unionit politik të Francës dhe vizionin ligjor, të orientuar nga ekonomia, që po promovohet nga Gjermania. Siç ka thënë së fundmi François Heisbourg, “Nëpërmjet parashikimit të largimit të detyruar të Greqisë, Gjermania ka demonstruar që ekonomia vazhdon të jetë më e rëndësishme sesa çështjet politike dhe ato strategjike. Franca e shikon renditjen e faktorëve më ndryshe”. Çështja është se cili nga këto vizione do të triumfojë.

Grekët, në anën tjetër, e kanë vënë identitetin e tyre kombëtar para xhepave të tyre, në mënyra të atilla që ekonomistët vazhdimisht kanë dështuar t’i kuptojnë dhe t’i parashikojnë. Është ekonomikisht irracionale për Greqinë që ta preferojë vazhdimin e anëtarësisë në Eurozonë, kur do të mund të vazhdonin të qëndronin në BE me një valutë kombëtare, të cilën do të kishin mundësi ta zhvlerësojnë.

Mirëpo, për grekët, anëtarësia në Eurozonë nuk nënkupton vetëm faktin se ata mund ta përdorin valutën e përbashkët. Kjo gjë e vë Greqinë në një thes me Italinë, Spanjën, Francën e Gjermaninë, si anëtare e plotë e Evropës, pozitë kjo që është në përputhje me statusin e Greqisë, atë të vendlindjes së civilizimit Perëndimor.

Integrimi ekonomik

Ndonëse ishte thënë që kishte një qëndrim të përbashkët për një ‘union sa më të afërt’, që i kishte motivuar edhe themeluesit e BE-së, kuptimi i ngushtë i Gjermanisë për ekonominë e integrimeve evropiane, nuk mund t’i inspirojë qytetarët e rëndomtë që t’i mbështesin kompromiset e nevojshme për ta mbajtur BE-në të bashkuar. Ajo madje nuk mund t’i qëndrojë as sulmeve të pashmangshme, të drejtuara nga institucionet e BE-së, pas çdo veprimi dhe rregullimi, që qytetarëve nuk u pëlqen, e për të cilat, politikanët mundohen që ta shmangin përgjegjësinë.

Komuniteti origjinal Ekonomik i Evropës, i krijuar nga Traktati i Romës në vitin 1957, ka qenë, ashtu siç thuhet edhe në vetë emrin e tij, i natyrës ekonomike. Traktati, në vete ishte themeluar për shkak të interesave të Francës dhe Gjermanisë, me shtetet e Beneluksit dhe Italinë që e shtronin bazën e një ekonomie të re evropiane.

Mirëpo, integrimi ekonomik ishte mbështetur nga një vizion i paqes dhe prosperitetit për njerëzit e Evropës, pas shekujve të tërë të dhunës së paprecedentë, që kishte kulmuar me dy luftëra botërore, duke ngulitur atë që duket të jetë armiqësi e përjetshme në mes të Francës dhe Gjermanisë. Në fakt, gjuha e një unioni më të madh politik ishte ngulitur në traktatet e Evropës, për t’u interpretuar më pas edhe nga Gjykata Evropiane për Drejtësi, në atë mënyrë që mbështeste ndërtimin e identitetit dhe politikave të përbashkëta evropiane si dhe ekonominë e unifikuar.

Nëna ime, një belge e re në vitet e 1950-a, e kujton idealizmin dhe ngazëllimin e lëvizjes federaliste evropiane, me premtimin që ajo gjeneratë do të krijonte një të ardhme më ndryshe për Evropën dhe Botën. Për të qenë më e saktë, vizioni për një SHBA të Evropës, që ishte përqafuar nga shumë njerëz të asaj kohe, shikonte prapa tek themelimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke mos shikuar në aventurat që e prisnin Evropën. Pra, BE-ja, që ishte shfaqur, që mëton të jetë një superfuqi në botën, që ka mbi 200 shtete, duke i ruajtur gjuhën dhe kulturën e shteteve anëtare, është diçka e re.

Ky eksperiment nuk mund të mbijetojë nëse mbështetet nga rregullat rigoroze të ekonomisë. Çka mund të vazhdojë ta justifikojnë entitetin politik pasi që realitetet urgjente, që kishin çuar në krijimin e tij, të veniten në librat e historisë?

Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këto pyetje ishin shfaqur në vitet e 1840-a dhe të 1850-a, kur nevoja urgjente për një union që siguronte pavarësinë ishte venitur, duke shkaktuar konflikte, që rishfaqeshin herë pas here. Në veçanti, skllavëria ishte lejuar në disa shtete, e ishte ndaluar në disa të tjera, mirëpo, kompromisi i vitit 1787 për numërimin e një skllavi sa tri të pestat e një personi, kur të vinte puna tek përcaktimi i numrit të popullsisë dhe përfaqësimi i taksave, ka qenë një moment që ka sjellë shumë tensione. Dallimet ekonomike në mes të veriut industrial dhe jugut bujqësor nënkuptonin që diskutimet mbi të drejtat e shteteve kishin të bëjnë me jetesën dhe vetë jetën. Si rrjedhojë kishte plasur një luftë e tmerrshme, në të cilën SHBA-ja e kishte mposhtur Konfederatën jugore dhe e kishte imponuar vizionin e vetë në union.

Kushtet e përditshme të jetesës së qytetarëve evropianë

Para përfundimit të luftës, presidenti Abraham Lincoln kishte krijuar një narrativ të ri, duke deklaruar që ishte luftuar për demokraci si dhe për barazi, me qëllimin e krijimit të ‘qeverisë për njerëzit, prej njerëzve dhe të njerëzve, që nuk duhej të shkatërrohej prej tokës’. Kjo e kishte thjeshtësuar historinë dhe shënimet e saj. Si rrjedhojë, fjalimi ishte bërë pjesë e rëndësishme e identitetit kombëtar, aq sa edhe Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta.

BE-ja tani po ballafaqohet me luftën e vet civile, që, për fatin e mirë, nuk përmban dhunë fizike. Pa burrështetas, që kanë aftësi për artikulimin e një vizioni të një të ardhme të përbashkët, për të cilën ia vlen të punohet, e të sakrifikohet, ana e unitetit mund të mos fitojë. Himni kombëtar i Evropës, rrethi i yjeve dhe fjalimet për drejtësi fiskale e reforma strukturore, nuk mund të bëjnë garë me mesazhet e fuqishme të oponentëve të BE-së.

Këta kundërshtarë, edhe nga partitë e majta edhe nga ato të djathta, po fokusohen në kushtet e përditshme të jetesës së qytetarëve evropianë, të atyre që ndihen të kërcënuar nga migruesit dhe të atyre që po i vuajnë pasojat e masave të ashpra, shtrënguese. Në mënyrë që BE-ja ta vazhdojë marshin e saj drejt një ekonomie dhe politike më të afërt, ajo duhet të ofrojë perspektivë më të besueshme për një jetë më të mirë të qytetarëve.

Pak para raundit final të negociatave të fundit me Greqinë, presidenti francez, François Hollande, ka thënë që ai nuk e dëshiron një Evropë që ‘nuk përparon’. Shumë e drejtë. Mirëpo, çfarë përparimi? Drejt lirisë, barazisë dhe miqësisë së të gjithë Evropës? Drejt dinjitetit e solidaritetit të qytetarëve evropianë? Drejt një Evrope të përbashkët, që mirëmbahet në vazhdimësi?

Këto janë pyetjet, të cilave duhet t’u japin përgjigje politikanët e gjeneratës së re evropiane.

Anne-Marie Slaughter ka qenë drejtoreshë e planifikimit të politikave në Departamentin e Shtetit në SHBA (2009-2011). Ajo tani është presidente dhe shefe ekzekutive e Fondacionit ‘Amerika e Re’ dhe profesoreshë e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prinstonit.

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”