Me pushtetarët e tashëm, të korruptuar, vendi nuk ecën përpara

Me pushtetarët e tashëm, të korruptuar, vendi nuk ecën përpara
  • 29 July 2015 - 08:17

Shkruan: Mr Bislim Aliu

Kosovës i duhet një kastë e re politike 

Shteti po vuan nga keqqeverisja

Gazeta numër një në Republikën e Kosovës, “Kosova Sot”, përherë në faqet e saj paraqet realitetin e institucioneve tona dhe të pushtetarëve tanë mafiozë. Dhe, për këtë realitet konstant, ajo në vazhdimësi është e kritikuar dhe e shantazhuar nga pushtetarët e korruptuar, të cilëve nuk po u pëlqen fakti se po u zbulohen aferat e tyre korruptive dhe keqmenaxhimi i shtetit  

Tashmë e 16 vjet pas luftës dhe sidomos shtatë vjet pas pavarësisë, populli po e dëgjon në vazhdimësi “këngën” e mjerimit, të vuajtjes shpirtërore dhe humbjen totale të demokracisë.

Dhe, me këtë qeverisje të keqe që 16 vjet Kosova po vuan nga kjo kastë e pushtetarëve, që e kanë kapur dhe e kanë kriminalizuar totalisht rrjedhën e zhvillimit të shtetit. Pra, po vuan nga një elitë e një kaste “të fortësh”, të cilët varg e vijë dhe padrejtësisht po e kontrollon çdo aspekt të shoqërisë. Ata vazhdimisht premtuan e premtuan mirëqenie ekonomike e sociale, por më kot asgjë në praktikë nuk u realizua.

Dhe, që 16 vjet ky popull po vuan, nga pushtetarët, qeveritë, kuvendarët, ministrat zv.ministra e shumë zyrtarë të tjerë, por përmirësim të gjendjes nuk ka për qytetarët e Kosovës dhe me këta pushtetarë faqezi, as që pritet ndonjë qeverisje më mirë dhe më ndryshe.

Janë mësuar këta pushtetarë “zaptues” të këtij vendi vetëm të flasin e të premtojnë zhvillim ekonomik e social dhe hapje të reja vende të punës e konkretisht asgjë nuk u realizua. Andaj, deri kur me këto premtime të rrejshme, këta pushtetarët t’i marrin votat nga populli dhe ta zhvatin këtë popull të mjerë. Dhe, aq lirshëm, këta pushtetarë premtojnë para popullit, thuajse Kosova është pronë private e tyre dhe duke mos u interesuar fare për gjendjen e përgjithshme të popullit. Ata me këtë “lirizëm solidarë”, nuk i frikohen as ligjit, as marrës, as drejtësisë, por as demokracisë.

Me veprimet e veta mafioze dhe të kundërligjshme janë pasuruar në kurriz të këtij populli të vuajtur dhe të përvuajtur. Ata me këto veprime antiligjore dhe antinjerëzore, janë përherë mbi shtetin, mbi ligjin dhe mbi demokracinë.

Ndaj edhe mund të pyetemi, mos vallë, këta pushtetarë, mafiozë e “supermenë” të pangopshëm, mos po e çojnë vendin në katastrofë dhe në rrënimin shtetëror, ligjor dhe të demokracisë në çdo aspekt?

Ku mbeti intelektualizmi në Kosovë?

Gazeta numër një në Republikën e Kosovës, “Kosova Sot”, përherë në faqet e saj paraqet realitetin e institucioneve dhe të pushtetarëve tanë mafiozë. Dhe, për këtë realitet konstant, ajo në vazhdimësi është e kritikuar dhe e shantazhuar nga pushtetarët e korruptuar, të cilëve nuk po u pëlqen fakti se përditë po u zbulohen aferat e tyre korruptive dhe keqmenaxhimi i shtetit. Këta qeveritarë që po e çojnë popullin drejt mjerimit po denoncohen në faqet e gazetës më të madhe në vend” Kosova Sot” si mashtrues të korruptuar, të cilët po e çojnë vendin kah rrënimi shtetëror.

Andaj, rritja e pakënaqësisë ndaj qeverisjes së keqe që 16 vjet, sipas analistëve dhe pjesës më të madhe të qytetarëve, e rrit nevojën urgjente për daljen në shesh të një kaste të re intelektualësh, profesionistësh dhe akademikësh për ta shpëtuar vendin.

Mirëpo, heshtja e tyre ishte një gabim katastrofal për vendin dhe për shoqërinë kosovare. Ndaj edhe më tutje nëse heshtin intelektualët dhe profesionistët e vërtetë, ndaj dukurive mafioze të pushtetarëve, kjo do të ishte vetëvrasje e elitës së kombit dhe e intelektualizmit në shtetin e Kosovës.

Gjithsesi, për kyçjen e këtij intelektualizmi dhe të profesionalizmit të vërtetë, nevojitet një vetëdijesim më i lartë i qytetarëve për angazhimin e intelektualëve të vërtetë në shoqërinë dhe në institucionet tona.

Dhe moskyçja e tyre në institucionet tona, ua bëri të mundshme që të keqqeverisin pushtetarët mafiozë e kriminelët e pangopshëm, të cilët me analfabetizmin dhe mjerimin e skajshëm e zaptuan në tërësi shtetin, drejtësinë, ligjin dhe duke e shkatërruar në tërësi.

Zaten, kjo kastë e pushtetarëve dhe e mafiozëve të korruptuar, nuk jep as më të voglën shpresë, se në Kosovë do të bëhet më mirë. Dhe, ata “të fortët” e kanë bllokuar çdo gjë; shtetin, ligjin, drejtësinë dhe demokracinë…

Vetëm kasta e re e pakorruptuar do ta shpëtojë Kosovën

A thua, kush do ta shpëtojë Kosovën dhe a thua a është momenti i duhur që gjithsesi të vijë një kastë e re, e pakorruptuar e cila do ta shpëtonte vendin. Pra, gjithsesi nevojitet një mentalitet i ri dhe një gjak i ri  i qeverisjes. Një gjak i ri intelektualësh, të edukuare dhe me një profesionalizëm të vërtetë.

Ata do ta qeverisnin vendin me dashurinë më të madhe për vendin dhe për popullin. Ata i duhen Kosovës sot e gjithmonë.

Dhe këtë vitalitet të lartë atdhetar e shpirtëror populli po i pret krahëhapur. Ata do ta shpëtojnë vendin dhe shtetin. E shpresën për ta nuk do ta humbë asnjëherë populli. Pra, po e pret gjeneratën e re, të emancipuar, të edukuar me një intelektualizëm të lartë menaxhues në mënyrë që shteti të ecë përpara e jo të mbetet vendi më i varfër në Evropë dhe më gjerë.