GABIMI I QEVERISË ME RASTIN "KUMANOVA"

GABIMI I QEVERISË ME RASTIN
  • 13 November 2017 - 08:46

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ 

Dëmtohet imazhi i Kosovës

Vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj, që t'i kompensojë familjarët për rastin "Kumanova", e konfirmon se ata djelmosha janë nisur drejt vdekjes nga Qeveria e Kosovës për ta destabilizuar Maqedoninë dhe paqen në rajon. Është për keqardhje që kryeministri Ramush Haradinaj zhvillon politikë qeveritare si në oda të Deçanit dhe Junikut, pa këshilltarë njohës të diplomacisë Perëndimore

Vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj që të kompensohen materialisht familjarët e luftëtarëve është një gabim i rëndë që pa dyshim e dëmton imazhin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përkrahja materiale familjarëve të luftërave dhe të burgosurve aktualë në burgjet maqedonase nga Qeveria e Kosovës e konfirmon se Kosova është shtet me qëllime destabilizuese të vendeve në rajon. Është për keqardhje që kryeministri Ramush Haradinaj zhvillon politikë qeveritare si në oda të Deçanit dhe Junikut, pa këshilltarë njohës të diplomacisë Perëndimore. 
Si trajtohet grupi i luftëtarëve të ashtuquajtur rasti "Kumanova"?

Të shkruash realitetin objektiv, shqiptarët automatikisht të quajnë armik të popullit. Ne si popull ende jemi shumë subjektivë dhe ende jetojmë me përralla e legjenda, ndërsa në librat tanë heronjtë i veshim me folklorizëm, duke menduar se vetëm në këtë mënyrë duhet të pasqyrohet jeta e dëshmorëve dhe të gjithë atyre që ranë në altarin e lirisë. Për luftëtarët e rastit "Kumanova" është shkruar shumë, e madje janë thurur edhe këngë nga këngë- tarët tanë të njohur, duke ngritur në superlativ rezistencën e tyre. Tani, të shkruaj unë një realitet, i cili mund të zbardhet vetëm pas shumë dekadave, do të më etiketojnë me lloj-lloj nofkash e fyerjesh nga më të pistat, pikërisht ata që fshihen pas kësaj ngjarjeje që më vonë historianët tanë do ta quajnë tradhtia në Kumanovë. Djelmoshat tanë, luftëtarët tanë, të cilët u nisën për në Kumanovë ishin të tradhtuar dhe kjo ngjarje nuk është bërë brenda një muaji, por strategjia e kësaj nisme ka qenë e përgatitur muaj të tërë. Ne këta djelmosha i trajtojmë si trima sypatrembur, guximtarë dhe luftë- tarë të denjë, të cilët nuk hezituan të nisën drejt vdekjes për interesa madhore të atdheut. 

Ishte kurth apo u zunë rastë- sisht nga policia maqedonase?

Duke i nisur nga fakti se të gjithë këta djelmosha kishin një eksperiencë të luftës dhe se nuk ka asnjë fije dyshimi në patriotizmin e tyre, të gjithë këta u nisën duke menduar se po e fillojnë një fazë të re të luftës në Maqedoni, kur çdo gjë kishte përfunduar vite më herët. Të gjithë këta ishin të sinqertë dhe të flaktë që të shohin të gjitha trojet shqiptare të çliruara. Disa prej tyre i kam njohur personalisht, e njërin nga ata e kisha fqinj të parë, në dasmën e tij isha mysafiri më i respektuar. Andaj, mund të konkludoj se vendosja e tyre për aktivitete kombëtare asnjëherë nuk ka qenë e dyshimtë. Asnjëri prej tyre nuk kanë qenë njerëz që do mund të manipuloheshin lehtë nga të panjohurit, mirëpo secili prej tyre kanë besuar në liderët e luftës me të cilët kanë pasur relacione të mira e disa të tjerë relacione të ngushta, e në të cilët kanë besuar verbërisht. Lufta në Maqedoni kishte përfunduar. Gjendja e shqiptarëve nuk ishte as më e keqe, e as më e mirë se tash. Shtrohet pyetja : pse u nisën këta djelmosha t'i " çlirojnë " vëllezërit tanë në Maqedoni dhe si u nisën ?! Asnjë aksion i armatosur nuk fillon rastësisht pa përkrahje logjistike dhe morale nga një forcë e padukshme për opinionin. Aksioni i armatosur i një individi mund të fillojë rastësisht, por grumbullimi i dhjetëra ishluftëtarëve me eksperiencë, që u nisën për Kumanovë, nuk ka filluar rastësisht dhe pa një përkrahje materiale, logjistike dhe morale. Lidhur me këtë ka shumë spekulime se janë derdhur miliona euro që ky grup të futet në Kumanovë, por këto janë vetëm spekulime e jo konfirmime, sepse asnjëri prej të mbijetuarve nuk ka guxim të tregojë realitetin nga një anë, dhe nga ana tjetër këta u qëndrojnë besnikë parimeve të luftës konspirative edhe duke e sakrifikuar veten. Lidhur më këtë ekzistojnë tri hipoteza a) përgatitje nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe Maqedonisë, b) eliminimi fizik i disa dëshmitarëve që kanë ditur fakte të tmerrshme gjatë luftës, c) megalomania politike e Ali Ahmetit… Ka shumë gjasa që kjo nismë është përgatitur nga dy shërbimet sekrete : i Serbisë dhe i Maqedonisë. Serbia gjithnjë ka mbajtur shënime për t'i kontrolluar familjet patriotike dhe ata kanë kryer hakmarrje ndaj anëtarëve të atyre familjeve brez pas brezi. Serbia kurrë nuk i ka falur ata që kanë vrarë serbë, siç nuk fal as Franca e asnjë shtet në botë. Djelmoshat që janë nisur për Kumanovë, gjatë luftës së fundit është e natyrshme që kanë vrarë ushtarë serbë e maqedonas , ose gjatë angazhimit të tyre në luftë me metoda të tjera kanë ndikuar që të pësojnë ushtarët serbë në Kosovë. Këta nuk ishin personalitete me ndikim të lartë në luftë e as në paqe, por ishin në shërbim të atdheut dhe ndaj tyre Serbia nuk ka mundur të ngrejë padi për Tribunalin e Hagës. Për shtetin serb, këta djelmosha duhet të eliminoheshin me çdo kusht, por jo që të hetohej dora e Shërbimit Sekret të tyre. Të vriteshin një nga një, do hetohej shpejt se pas vrasjeve qëndron shërbimi sekret i tyre. T'i fusnin në grindje ndërshqiptare, siç kanë vepruar me disa të tjerë më herët , përsëri do të hetoheshin. Metoda më e mirë ka qenë grumbullimi i tyre për gjoja aksion çlirimtar. Hipoteza e dytë që të vriten dëshmitarët për raste që mund të shkojnë në Tribunalin e Hagës, nuk është e qëndrueshme. Ka mundësi edhe ky version, por shumë pak dihet në opinion aftësia e tyre dhe roli i tyre gjatë luftës që në kohën e pasluftës të rrezikojnë liderët më të cilët ishin bashkëluftëtarë. Hipoteza e tretë lidhur më megalomaninë politike të Ali Ahmetit , po ashtu ka shumë gjasa që ky version të jetë i qëndrueshëm. Ali Ahmeti është një personalitet, i cili gjatë kohës së LPK-së ka luajtur një rol të mesëm, por gjithnjë e ka penguar hija e Bardhyl Mahmutit dhe disa të tjerëve. Ngritja e figurës politike të Ali Ahmetit është bërë në kurriz të bashkëluftëtarëve të tij në radhë të parë e pastaj në dëm të qytetarëve shqiptarë në Maqedoni, si dhe në dëm të çështjes kombëtare. Është i njohur fakti se për karrierë politike, Ali Ahmeti nuk kursen mjete dhe metoda vetëm e vetëm të qëndrojë në majat më të larta të pushtetit. Asokohe ishte Zajevi me " bombat " e tij që po ngritej në piedestal të karrierës së tij dhe po i rrezikonte kundërshtarët politikë. Partia e Ali Ahmetit ishte në rënie e sipër e figura e tij politike po shembej jo vetëm nga dobësimi i partisë, por edhe nga publikimi i dosjeve sekrete të Shërbimit Sekret të Serbisë, në të cilat dosje ky personalitet kishte qenë i rekrutuar edhe gjatë kohës ë LPK-së, siç kishte fakte edhe për Musa Xhaferin e disa të tjerë. Duhet theksuar për opinionin tonë, se Serbia e ka si kusht nga BE-ja zbardhjen e dosjeve sekrete të bashkëpunëtorëve, si dhe zbardhjen e të gjitha vrasjeve politike, dhe se ato dosje nuk guxojnë të falsifikohen, siç pretendojnë disa liderë shqiptarë në Maqedoni dhe në Kosovë. Ali Ahmeti për ta treguar forcën e tij jo vetëm politike, por edhe ushtarake ndaj kundërshtarëve të tij politikë në Maqedoni dhe për t'i treguar atyre sa ka fuqi për ta destabilizuar shtetin maqedonas, ka shumë gjasa që ky të jetë organizatori i rastit Kumanova. Ekziston mundësia që Ali Ahmeti, duke i shfrytëzuar lidhjet e tij me disa liderë të njohur në Kosovë, pa ua treguar atyre qëllimet e tij personale të ketë keqpërdorur relacionet e tij për t'i futur në këtë aventurë të rrezikshme e natyrisht duke i joshur me pagesa të mëdha. Se për nxitjen e djelmoshave për rezistencë në Kumanovë janë premtuar shuma të mëdha është e njohur për opinionin tonë, por ne nuk jemi të njohur nga kush u premtuan ato të holla. Pavarësisht hipotezave të shumta, një është e sigurt se ata shkuan dhe disa u vranë e disa u burgosën. 

Rasti "Kumanova", shikim nga ndërkombëtarët

Rezistenca në Kumanovë cilësohet si akt i gabuar. Rezistenca në Kumanovë cilësohet si akt për destabilizimin e shtetit të Maqedonisë. Luftëtarët tanë konsiderohen mercenarë të paguar nga një shërbim sekret. Vendimi i fundit i Qeverisë sonë, e konfirmon se ata ishin mercenarë të paguar nga shteti i Kosovës. Luftëtarët tanë të vrarë në Kumanovë, nuk mund të konsiderohen as dëshmorë e as heronj të çështjes kombëtare nga asnjëra qeveri shqiptare deri në unifikimin e tërësishëm të trojeve etnike shqiptare. Çdo tentativë për t'i dekoruar me merita të larta shtetërore, do ta zbehte imazhin e Kosovës dhe të çdo qeverie shqiptare. Rasti i Kumanovës mund të cilësohet si një sulm diversantësh të cilët dështuan në misionin e tyre, siç kemi shumë sulme të ngjashme gjatë periudhave të mëhershme. Në vitet e '70-ta, një grup kroatësh nga diaspora, në krye më M.Herkaçin, e thyen kufirin jugosllav rezistuan dhe disa u vranë e tjerët u burgosën. Në natën e 25 shtatorit 1982, një grup shqiptarësh nga diaspora, në krye me Xhevdet Mustafën, zbarkuan në Divjak, të cilët brenda pesë orë rezistence u asgjë- suan nga policia shqiptare, disa prej tyre u vranë e disa u dënuan. Andaj, rasti i Kumanovës trajtohet vetëm si një grup diversantësh, të cilët dështuan në operacionin e tyre, që pa asnjë dyshim ishin të tradhtuar nga ata që u dërguan. Asnjë shtet në botë nuk i përkrah operacionet diversante, të cilat dështojnë. Ka shumë shembuj në botë që shtetet e ndryshme për interesa të ndryshme organizojnë sulme të tilla diversante me mercenarë të specializuar dhe kur ata dështojnë shteti që i ka dërguar i injoron. Shumica e këtyre sulmeve diversante me mercenarë të specializuar ilegalisht ia fillojnë sulmeve për ta ngritur pakënaqësinë në popullsinë vendore kundër sistemit. Zakonisht sulme të tilla fillojnë disa muaj para fillimeve të luftërave të ndryshme në forma guerile. Ekipe të tilla kanë të gjitha shtetet si Belgjika, Franca , SHBA, Anglia e madje edhe Serbia, por asnjë shtet nuk i pranon si njësi të rregullta ushtarake, mirëpo si njësite të dala jashtë sistemit. Rasti "Kumanova" nuk mund të jetë njësit i izoluar pa komandë dirigjuese! Rasti "Kumanova" ka pasur direktiva dhe udhëzime kur , ku dhe çka duhet bërë ! Cili është ai " trim " që do të ketë guxim të tregojë të vërtetën se ishte komandues dhe udhëheqës i djelmoshave që i drejtoi drejt vdekjes së sigurt ?! 

Vendimi i Qeverisë për kompensim material është i gabuar

Të shkruhet se Qeveria ka bërë një gabim të pafalshëm diplomatik, me rastin e vendimit që t'i kompensojë familjarët e rastit "Kumanova", shumica do të thonë të kundërtën. Që nga shpallja e pavarësisë e këtej, çdo aktivitet ushtarak jashtë territorit të Kosovës pa vendimin e Qeverisë, është shkelje flagrante e Kushtetutës së Kosovës. Që nga shpallja e pavarësisë e këtej, çdo sulm qoftë nga një individ apo një grup individësh pa leje të Qeverisë kundër sovranitetit të një shteti tjetër është akt ilegal dhe akt politik për destabilizimin e shtetit tjetër. Që nga shpallja e pavarësisë e këtej, çdo luftim i një individi apo grupi pa leje të Qeverisë për interesa të një shteti tjetër konsiderohet akt tradhtie ndaj interesave të Kosovës. Që nga shpallja e pavarësisë e këtej, gjendja e shqiptarëve të mbetur në shtete të tjera, mund të rregullohet vetëm me vullnetin e forcave politike në forma demokratike e jo me dhunë. Kjo nënkupton se gjendja e shqiptarëve në Malin e Zi, Maqedoni, Preshevë e në Greqi mund të rregullohet me kërkesat e tyre që të vetëvendosin për mirëqenien e tyre, e jo nga ndërhyrjet e jashtme duke e përdorur forcën ushtarake të Shqipërisë apo Kosovës, apo Serbisë ndaj Kosovës. Shembulli më i mirë për këtë është Serbia, e cila përmes faktorit serb që jeton në Kosovë është duke përfituar. Kjo gjendje do të jetë e aplikueshme deri në ndonjë ndryshim tjetër të interesave të Fuqive të Mëdha, pa ndihmën e të cilave ne as që do kemi mundësi të ekzistojmë të lirë. Ai apo ata të cilët i kanë nxitur këta djelmosha për të luftuar në Kumanovë, ose ka qenë patriot naiv folklorik, ose ka qenë i paguar nga shërbimi sekret serbo-maqedonas, sepse ata i kanë nisur drejt vdekjes pa asnjë mëshirë. Vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj që t'i kompensojë familjarët për rastin "Kumanova" e konfirmon se ata djelmosha janë nisur drejt vdekjes nga Qeveria e Kosovës për ta destabilizuar Maqedoninë dhe paqen në rajon. Mirëpo, destabilizimi i Maqedonisë është një proces shumë më kompleks, e që Kosova nuk ka assesi mundësi ta destabilizojë. Maqedonia shumë herët e ka nënshkruar marrëveshjen me Perëndimin pikërisht duke e parë rrezikun nga faktori shqiptar. NATO është garantuese e stabilitetit të shteti maqedonas, sepse Maqedonia për t'ia lehtësuar bombardimet për sulmet ajrore kundër caqeve serbe e ka liruar hapësirën ajrore forcave të NATO-s e si kundërshpërblim ka kërkuar stabilitetin nga faktorët e jashtëm të fqinjëve. Qeveria e Kosovës nëse çështjen e rastit "Kumanova" e ka me seriozitet, do të shtronte si kusht të domosdoshëm që të zbardhet ngjarja, duke kërkuar nga organet kompetente që të zbulohen autorët e nxitjes, të cilët djelmoshat tanë i nisën në rrugën pa kthim. Qeveria e Kosovës, në vend të kompensimit material, do të duhej të kërkonte të zbulohen autorët e kësaj masakre, të cilët sot më indiferencë janë duke i përcjellë dënimet drakoniane të atyre djelmoshave të mbijetuar, siç i kanë përcjellë pak kohë më parë edhe varrimin e atyre që u vranë. Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet të kërkojë zbardhjen e incizimeve të bisedave telefonike dhe bisedave me disa personalitete që aso kohe këta djelmosha kanë zhvilluar si në Ferizaj e qytete tjera. Djelmoshat tanë nuk ishin kriminelë, por kriminelët e vërtetë qëndrojnë në poste të ndryshme në Kosovë, Tetovë, Shkup dhe Beograd, e të cilët duhet të japin përgjegjësi. Mendoj se Qeveria e Kosovës nëse ka vullnet për t'i ndihmuar familjarët të rastit Kumanova, ka mënyra të tjera më diskrete dhe të pazhurmshme. Me këtë vendim, Ramush Haradinaj e ka fituar simpatinë në popull, por e ka humbur te faktori ndërkombëtar, që është faktor kryesor për krijimin dhe ruajtjen e shtetit të Kosovës. Ramush Haradinaj këtë vendim e ka bërë më interes të pastër kombëtar pa qenë i vetëdijshëm që po e shkatërron imazhin e shtetit që ai është kryeministër. Nganjëherë është mirë më pyet kur nuk di, mirëpo krenaria e shqiptarit nuk qëndron kur e pyesësh tjetrin, sepse të gjithë shqiptarët janë të dijshëm. Më komplekse të inferioritetit shteti nuk mbahet e as nuk përparon. Këshilltarët nuk duhet t'i mbajnë sa për figura dekorative, por për t'i angazhuar secilin në fushën e tij. Nuk ekziston kryetar apo kryeministër që i dinë të gjitha punët e vendit të tij, për këtë ekzistojnë këshilltarët, madje edhe kundërshtarë qofshin ata. Këshilltarët që ia bëjnë qefin shefave, ata janë zhvatës. 

(Kosova Sot)