Obsesioni i rrezikshëm i Gjermanisë

Obsesioni i rrezikshëm i Gjermanisë
  • 13 November 2017 - 10:47

Shkruan: JEAN PISANI-FERRY

Derisa Unioni Kristian-Demokratik gjerman [CDU] dhe partia simotër e saj, Unioni socialist i Krishterë [CSU], janë duke e formuar një koalicion të paprecedent 'Xhamajka', bashkë me Demokratët e lirë [FDP] dhe Partinë e gjelbër, pjesa tjetër e Evropës me ankth është duke pritur programin qeverisës që do të dalë nga procesi i këtyre negociatave. Rreziqet për Evropën janë të mëdha, sepse këto nuk janë kohë të zakonshme. Rritja e nacionalizmit ekonomik, që shtoi kërcënimet për sigurinë, dhe me vazhdimin e krizës së refugjatëve, kanë bërë të domosdoshme përgjigjet kolektive. Kina është duke u bërë gjithnjë e më e fortë, dhe administrata e presidentit amerikan Donald Trump e ka bërë të qartë përbuzjen e saj ndaj BE-së, si dhe dyshimet në forcën ekonomike të Gjermanisë. BE-ja po testohet nga procesi i Brexitit, dhe nga qeveritë problematike në Poloni dhe Hungari - dy vende që, sipas Constance Stelzenmuller, janë duke i shijuar përfitimet e anëtarësisë në BE, duke i injoruar obligimet që iu takojnë. Në këtë kontekst, zgjedhja e Emmanuel Macronit si president të Francës ishte një lehtësim për Gjermaninë. E megjithatë, Macron e ka vënë Gjermaninë në një pozitë të pakëndshme pas propozimeve të tij për reforma në BE. Duke bërë thirrje për një fond të mbrojtjes, për një harmonizim taksash, dhe për një buxhet të përbashkët të eurozonës, Macroni po e vë në pikëpyetje status quo-në evropiane.

Buxheti i përbashkët

Pyetja që shtrohet tani është nëse vendi më i madh dhe më përparimtar i Evropës do ta mbajë pozitën udhëheqëse në këto kohë të vështira. Secila parti në bisedime për koalicion ka perspektivë shumë të ndryshme. Sa iu përket çështjeve evropiane, kancelarja Angela Merkel e CDU-së, që është në pushtet tash e 12 vjet, sjell vazhdimësinë e politikave të deritashme. Por, partia më konservatore - CSU është zhvendosur më në të djathtë nga partia populiste AFD (Alternativa për Gjermaninë), që ka përjetuar rritje të ndjeshme të votave. Sa u përket dy partive të tjera, FDP-ja e ka adoptuar një linjë të ashpër ndaj Evropës. Liderët e saj kanë sugjeruar që Greqia duhet ta braktisë euron, dhe që të hiqen mekanizmat e BE-së që merren me vendet me probleme ekonomike. Partia e gjelbër, në anën tjetër, kërkon thellimin e integrimit evropian; por ky nuk është prioriteti i tyre fillestar, dhe kjo është partia më e vogël në këto bisedime. Programi i qeverisë mund ta reflektojë dyshimin se anë- tarët e tjerë të BE-së duan të zgjedhin problemet e tyre me paratë gjermane, e jo duke ndërmarrë reforma të brendshme. Politikanët dhe opinionistët gjermanë vlerë- sojnë secilin propozim për reformat në BE përmes një prizmi distribucional. Skemat që nuk kanë qëllim të rezultojnë me transferime strukturore, pritet të konfirmojnë se nuk do të bëhen shpenzime për anëtarët e tjerë të BE-së. Për shembull, gjermanët e shohin një buxhet të përbashkët jo si mënyrë për t'i financuar të mirat e përbashkëta, sikur që janë hulumtimet ose infrastruktura, por si një mjet për ta detyruar Gjermaninë për t'i mbuluar shpenzimet e vendeve tjera. Ngjashëm, çështja e papunësisë merret si një skemë për t'i detyruar gjermanët që të paguajnë për të papunët në Spanjë dhe Francë. Dhe, një program i garancive depozituese për bankat shihet si një mënyrë për t'i bërë depozitarët e matur gjermanë të paguajnë për huat e pakthyera në Itali. Ndoshta, secili prej këtyre shqetësimeve është legjitim. Të gjitha propozimet duhen shqyrtuar për t'u siguruar që nuk do të bëhet asnjë abuzim. Solidariteti evropian nuk është rrugë me një kah. Por, në të njëjtën kohë, liderët gjermanë duhet ta dinë që fokusi i tyre ekskluziv në efektet distribucionale është helmues. Ata duhet të kujtojnë momentin e vitit 1979, kur kryeministrja britanike Margaret Thatcher marshoi në samitin evropian duke thënë: "M'i ktheni paratë e mia." E njëjta logjikë është shfaqur edhe 40 vjet më vonë përgjatë fushatës së Brexitit, kur politikanët që ishin pro largimit nga BE-ja, gënjenin se largimi do t'ua kthente atyre paratë në shërbimin e shëndetit. Pse është obsesionuar aq shumë Gjermania nga frika e pagesave të tepruara? Buxheti i BE-së ka shumë arsye për t'u kritikuar, por zor se mund të thuhet që ai e trajton Gjermaninë në mënyrë të padrejtë. Gjermania mund të jetë kontribuuesi më i madh, por kjo është për shkak të ekonomisë së madhe që ka. Në proporcion me të ardhurat kombëtare, vendet si Belgjika, Franca dhe Holanda po ashtu kontribuojnë nga të ardhurat që marrin.

Frikësimet e pabaza

Gjermania frikësohet që mekanizmat e stabilitetit evropian (ESM) që shërbejnë si kanale të transferimeve të fshehura, por këto frika nuk kanë asnjë bazë. Është e vërtetë që ESM-ja përfiton nga kushtet e ulëta të huamarrjes, të cilat miratohen te shtetet huamarrëse. Nëse Greqia nuk mund të paguajë borxhin e saj, aksionarët e ESM-së do të vuajnë pasojën; dhe ky rrezik nuk shënohet në ratën e interesit që Greqia paguan. Por, deri tash, ESM-ja ka arritur mjaft profite, dhe çdo humbje që e pëson do të shpërndahet te të gjithë aksionarët e saj duke përfshirë, për shembull, edhe Italinë. Disa të tjerë në Gjermani po ashtu po flasin për të ashtuquajturin "Balancë Target2", e cila i shënon tepricat dhe mungesat bilaterale të bankave qendrore kombëtare visa-vis Bankës Qendrore Evropiane. Hans-Werner Sinn nga Universiteti i Munihut, argumenton që ky sistem është bërë kanal për operacionet e fshehta në mënyrë që të përfitojnë shtetet me borxhe në Evropën jugore. E vërtetë, në shtator, Bundesbanka e kishte një tepricë prej 878 miliardë eurosh, ndërkaq Italisë dhe Spanjës i ranë deficitet në 432 respektivisht 373 miliardë eurosh. Këto pozicione e reflektojnë shkallën në të cilën rrjedhja zyrtare ende po zëvendësohet me rrjedhjen private. E prapë, kjo marrëveshje nuk i ka kushtuar Gjermanisë asnjë euro të vetme. Do të jetë gjithnjë interes i partive politike që t'i përgjigjen frikave që ka elektorati i tyre. Por politikanët po ashtu e kanë për detyrë që t'iu tregojnë votuesve kur frikat që kanë janë të pabaza. Evropës i duhet Gjermania që do t'iu bëj veto propozimeve të dëmshme. Por, po ashtu i duhet Gjermania që i kalon obsesionet e saj të ngushta dhe që ofron lidership. Me bisedimet aktuale për koalicion, liderët gjermanë e kanë një mundësi për të ofruar zhvillime të reja globale që do të kishin implikime të mëdha për Evropën dhe Gjermaninë. Ata duhet të vendosin nëse është e rrezikshme të mos bëjnë asgjë, ose nëse duhet të marrin iniciativë. Askush nuk pret një ndryshim të plotë dhe të shpejtë. Por, ka shpresë qeveri që do të jetë më e përgatitur në ofrimin e zgjidhjeve.

 (Jean Pisani-Ferry është profesor në Shkollën e qeverisjes "Hertie" në Berlin)

(Kosova Sot)