Votuesit kosovarë dinë të bëjnë VETTING-un me votë

Votuesit kosovarë dinë të bëjnë VETTING-un me votë
  • 15 November 2017 - 08:39

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPIT

Shumë më të pjekur moralisht dhe demokratikisht sesa votuesit në Shqipëri

Unë i ftoj shqiptarët e Kosovës që mos të rrinë indiferent, por të shkojnë masivisht në votim, që vota e tyre të ndëshkojë ata që meritojnë dëbimin nga pushteti dhe t'ua besojnë qeverisjen vendore dhe Prishtinën të merituarve

Votuesit shqiptarë të Kosovës janë shumë më të pjekur moralisht dhe më inteligjentë e me të pjekur demokratikisht sesa votuesit në Shqipëri. Janë gjithashtu edhe më të ndjeshëm dhe më të guximshëm patriotikisht kundër së keqes dhe të këqijve në mesin e tyre. Votuesit në Shqipëri, pavarësisht se edhe faktori demokratik ndërkombëtar, miqtë e shqiptarëve, SHBA-të, u kanë bërë gjithnjë thirrje shqiptarëve që të votojnë për të ndëshkuar politikanët e kriminalizuar dhe të korruptuar, ata gjithnjë dhe vazhdimisht kanë gabuar duke zgjedhur dhe votuar të korruptuarit, hajdutët dhe ata me rekorde tepër kriminale. Fatkeqësisht edhe vetë shoqëria shqiptare në Shqipëri ka rënë pre dhe është infektuar rëndë nga korrupsioni, krimi, droga, si dhe nga shitblerja e votës së lirë. Në Shqipëri qarkullojnë politikisht në politikë dhe në pushtet qendror dhe vendor po të njëjtët individë, sikur ta kishin marrë pushtetin, politikën dhe shtetin e shoqërinë me tapi, sikur ato t'i kishin prona private të tyre. Ndërsa, ndryshe nga votuesit në Shqipëri, votuesi inteligjent në Kosovë nuk është infektuar ende rëndë nga korrupsioni dhe kriminalizimi i politikës. Ai ka ditur ta vlerësojë dhe ta ndëshkojë politikën e keqe në Kosovë me vote, por edhe me indiferentizëm, duke mos marrë pjesë masivisht në votime prej zhgënjimeve të mëdha të politikës së inkriminuar në tërësi. Pra, votuesit kosovarë dinë të bëjnë VETTING-un për politikën dhe këtë VETTING (pastrim) ata e kanë bërë dhe e bëjnë me votën e tyre. Shembull është ndëshkimi i rëndë që votuesi kosovar i dha me meritë ishkoalicionit të korruptuar dhe amoral bashkëqeverisës PDK-LDK, duke i skualifikuar si ish-forca kryesore politike. Në ato zgjedhje të përgjithshme parlamentare të 11 qershorit si forcë e parë doli "Vetëvendosje", pasi ajo nuk ishte konsumuar në qeverisjen qendrore dhe se votuesi shqiptar i Kosovës nuk kishte një alternativë tjetër për ta ndëshkuar keqverisjen e gjatë PDK-LDK, përveçse kështu siç veproi. Por ajo për të cilën është për t'u përmendur aktualisht është fakti se "Vetëvendosje" në zgjedhjet e pushtetit vendor pas vetëm katër muajsh mori edhe ajo shumë shpejt nga votuesi kosovar ndëshkimin e ashpër me afro njëqindmijë shuplaka 'kundër" - ose me pak vota, duke e rrëzuar atë shpejt nga froni si forcë kryesore politike dhe duke e zbritur atë në renditje si të tretën, ku e kishte vendin. 

Abuzimi i Shpend Ahmetit

Kjo ndodhi për faktin se votuesi kosovar e kishte regjistruar e spikatur degradimin dhe korrupsionin e "Vetëvendosjes" kryesisht përmes keqmenaxhimit, abuzimit dhe korrupsionit deri në krim të organizuar të kryetarit aktual të Komunës së Prishtinës, të Shpend Ahmetit dhe të kompanisë se bashkëvepruesve të tij burokratikekorruptive rreth tij në mandatin e tej abuzuar katërvjeçar. Për këtë shkak "Vetëvendosje" në rundin e parë të zgjedhjeve për pushtetin vendor nuk fitoi në asnjë komunë. Pra, kjo më jep të drejtën e asaj që kam konstatuar se votuesit inteligjentë të Kosovës dinë të gjykojnë e të bëjnë vlerësimin, pra dinë të bëjnë VETTINGun ose pastrimin e zyrtarëve të këqij për korrupsionin, papërgjegjshmërinë dhe antiligjshmërinë e politikës dhe të politikanëve të korruptuar të Kosovës. Por atë për të cilën unë i ftoj shqiptarët e Kosovës është që mos të rrinë indiferentë, por të shkojnë masivisht në votim, që vota e tyre të ndëshkojë ata të cilët meritojnë dëbimin nga pushteti dhe t'ua besojnë qeverisjen vendore dhe Prishtinën të merituarve që ta qeverisin pushtetin vendor, i cili është pushteti më i prekshëm dhe më pranë qytetarëve.

(Kosova Sot)