Rruga e pafund e Kosovës për të hyrë në BE dhe në NATO

Rruga e pafund e Kosovës për të hyrë në BE dhe në NATO
  • 16 November 2017 - 08:27

SHKRUAN: EDMOND EKREM KRASNIQI,BRUKSEL

Premtimet e përsëritura të perëndimorëve të shoqëruara nga udhëheqësit institucionalë të Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe në NATO nuk kanë të ndalur. Kjo kështu përkundër faktit të madh që buron nga rregullat e brendshme të këtyre dy organizatave për pranimin e anëtarëve të rinj me konsensus. BE-ja dhe NATO-ja zgjerohen vetëm me pajtim të plotë të krejt vendeve anëtare. Mjafton një vend të vendosë veto dhe pranimi i vendeve të reja bllokohet. Përvoja e Maqedonisë me Greqinë, është ilustrimi i kësaj tashmë. Kosova aktualisht nuk njihet nga pesë shtete të BE-së (Greqia, Spanja, Qipro, Rumania dhe Sllovakia) dhe nga katër shtete të NATO-s (Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia). Në këtë gjendje të tashme Kosova nuk do të mund të anëtarësohet në asnjërën nga këto dy organizata. Përkundër kësaj, zyrtarët e institucioneve të BE-së si dhe krerët e vendeve anëtare e përsërisin premtimin e tyre të vjetër se Kosova, ashtu si edhe vendet e tjera të rajonit ballkanik, ka perspektivë euro-atlantike të anë- tarësimit. Por, për shkak të pesë mosnjohjeve brenda BE-së dhe katër brenda NATO-s, Kosova nuk mund të jetë anëtare në këto dy organizata. Ashtu si edhe qeveria e kaluar, edhe kjo e tashmja e Kosovës thotë se do të aplikojë për hyrje në BE. Se ky aplikim do të bëhet në 2018, e thanë së fundi ministrja Dhurata Hoxha dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Por, gjasat që Kosova të fitojë statusin e vendit kandidat për hyrje në BE, pas këtij aplikimi janë jashtëzakonisht minimale, pikërisht për shkak të mos njohjes së pavarësisë nga pesë shtetet. Nëse bëhet aplikimi nga Prishtina, atëherë kur të bëhet, premtuesit në BE do të zihen pisk, sepse do të detyrohen që të sqarojnë të vërtetën nëse Kosova do të mund të jetë udhëtare për anëtarësim në BE konkretisht apo jo.

Opsioni i parë dhe i dytë i përgjigjeve të BE-së

Mosdhënia e statusit do të mund të ndodhë në dy mënyra. Së pari, përgjigjja do të ishte jo, sepse pesë shtete nuk e njohin pavarësinë e saj. Por, BE-ja është mjeshtre e komunikimit publik. Një përgjigje e këtillë zyrtare do të ishte e rrezikshme, sepse opinioni publik në Kosovë do ta dëgjonte dhe mësonte të vërtetën e hidhur. Prandaj, në sirtarët e BE-së tashmë po konsiderohet përgjigja tjetër ndaj aplikimit të premtuar nga Prishtina për anëtarësim. Kjo përgjigje pritet që të do të jetë e dyfishtë: Kosova ka perspektivë për anëtarësim në BE, por kushtet për reforma nuk janë përmbushur nga institucionet vendore kosovare. Në këtë mënyrë faji do t'iu hidhej institucioneve në Kosovë, për ta fshehur të vërtetën, e BE do të shfajësohej nga rregullat e saj se pranimi i Kosovës nuk mund të bëhet pa njohjen e pavarësisë nga të gjitha shtetet anëtare. Në këtë mënyrë pritja dhe rrugëtimi pafund i Kosovës për hyrje në BE do të vazhdojë. Por edhe sa kohë do të mund BE-ja të mbajë të pathënë përgjigjen zyrtare dhe të vërtetën për rrugën e bllokuar të Kosovës për hyrje në BE? Opsioni i tretë do të ishte dhënia e statusit të vendit kandidat për në BE. Por ky opsion nuk duket në horizont, sepse në këtë rast pesë shtetet që nuk e njohin Kosovën do të bënin një hap praktik, por të heshtur - drejt njohjes së saj edhe pse juridikisht (de-jure). Përplasjet në Spanjë midis Madridit dhe Katalonjës e bëjnë qeverinë e Spanjës të parën për të bllokuar këtë opsion. E njëjta perspektivë e zbehtë për Kosovën vlen edhe për NATO. Kryeministri Haradinaj të martën tha se synohet që të "përmbyllet" anë- tarësimi në aleancën e madhe ushtarake perëndimore deri në vitin 2020. Por të njëjtat rregulla si edhe në BE për zgjerimin e NATO-s janë ato që ia pamundësojnë këtë Kosovës. Në këtë situatë faktike e të hidhur, Kosova do të duhej të shpresonte në "mrekullinë" e të pranohej në të dy organizatat pa u njohur pavarësia e saj. Kjo thjesht nuk është e mundur. Por ëndrra do të vazhdojë ndoshta me një formë tjetër komunikimi publik që do të mund të imagjinohej nga të dy këto organizata. Opsioni i katërt dhe ekstrem Serbia në fund të bisedimeve të anë- tarësimit në BE do të përballet me kushtin e Kosovës. Por, BE-ja ende nuk e di se çfarë duhet të bëjë konkretisht ajo me pavarësinë e Kosovës. BE-ja dhe 23 vendet anëtare (e pas Brexit të marsit të 2019 do të jenë 22) që e njohin Kosovën, nuk do të ketë të drejtë t'i kërkojë Serbisë që ta njohë atë përderisa pesë anëtare të saj nuk e njohin. Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka vënë në hall BE-në me enigmën e tij për 'dialogun' e brendshëm në Serbi se çfarë 'zgjidhje' të kërkohet në raport me Kosovën. Ai tashmë po e luan enigmën, duke e lënë të hapur mundësinë e kërkesës për copëtimin e Kosovës apo shkëmbimit të territoreve (veri i Kosovës me Luginën e Preshevës). Ky opsion thuhet publikisht nga ministri i tij Ivica Daçiq. Kur Serbia të përmbyllë 34 kapitujt e bisedimeve të anëtarësimit, BE-ja pritet që të përballet edhe më konkretisht me shantazhet e Serbisë për ndryshimin e kufijve të Kosovës, nëse BE nuk do të pranojë që Serbia të anëtarë- sohet pa gjetur një 'zgjidhje' për Kosovën. Me refuzimin që BE do t'i bënte Serbisë, duke e lënë atë në prag të derës pa u futur brenda që të hyjë, Serbia pritet që të ndihmohet nga Rusia në destabilizimin e veriut në Kosovë apo edhe Bosnjës. Kjo shantazhë e Serbisë ( të ndihmuar nga Rusia për shkak të interesave të saj gjeostrategjike për burimet energjetike dhe tregun e fuqishëm konsumues evropian) ndaj BEsë do të tingëllojë kështu: nëse nuk na pranoni do të digjet Ballkani. Në këtë situatë BE do të testohej vërtetë dhe do të duhej që të gjente një përgjigje edhe për Serbinë, por edhe për Kosovën, përkatësisht për hyrjen e tyre në BE. Por aktualisht askush në BE nuk ka përgjigje tash për tash për këtë skenar. Ky kërcënim stabiliteti në këtë situatë do të mund të pasonte me një kompromis të BE-së ndaj Serbisë, duke e pranuar atë të anëtarësohet pa pasur njohje të Kosovës nga Serbia. Në këtë skenar Kosovës brenda BE-së do t'i bëheshin 6 shtete që nuk e njohin pavarësinë e saj.

Opsioni i pestë, shpëtim për të gjithë

Për të zhdukur bllokadat aktuale të anë- tarësimit dhe ato të ardhshme ndaj vendeve aspiruese, heqja e vetos individuale dhe vendosja e kriterit të votës së shumicës për zgjerimin e BE-së do të ishte zgjidhja e përkryer. Por, shtetet anëtare i frikohen marrjes së kësaj të drejte, përkatësisht kësaj fuqie të tyre individuale për vendosje për zgjerimin e BE-së. E deri atëherë, perspektiva euroatlantike e të gjitha vendeve të Ballkanit është ë pakthyeshme, do të thonë në BE dhe NATO. Kësaj i thonë se Kosova aktualisht ndodhet në një rrugë të pafund drejt BE-së dhe NATO-s.

 (Autori është gazetar dhe themelues i Agjencisë së Lajmeve në gjuhën angleze për Ballkanin Perëndimor: dtt-net.com)

(Kosova Sot)