Identiteti shekullor në ditën e sotme

Identiteti shekullor në ditën e sotme
  • 17 November 2017 - 08:40

SHKRUAN: SHEFIK SHKODRA

Nga libri i Eqrem bej Vlorës, 'Kujtime' (1885 - 1925), u njoftova, më në fund, për epokën e fundit historike, të trashëguar nga osmanët në shumë aspekte. Kështu bie fjala jeta e bejlerëve dhe e agallarëve shqiptarë; oxhaqet e fiset shqiptare, marrëdhëniet e tyre; bajraktarët dhe bajraqet, pushteti i tyre; ambienti oriental i jetës së brendshme (banesa, veshja, ushqimi, mikpritja, por edhe paradoksi dhe luksi i standardit të familjeve që ishin nëpër administratën shtetërore), i ndryshëm prej klasës së ulët e fshatare me pasuritë e paluajtshme dhe të ardhurat e tyre stinore. Pastaj, një mori pamjesh të tjera, të përshkruara nga vetë autori pjesëmarrës e përjetues i asaj etape kohore, ishin shënime në kujtimet e tij shumë atraktive, të begatshme dhe të besueshme. Këtu hynte edhe njohja e shumë figurave historike e kulturore, që fatkeqë- sisht, nuk kanë qenë të spikatura si duhet, realisht e në mënyrë autentike nga studiues të kohës sonë. Spektri i gjerë i përfaqësuesve të klasës së feudalizmit pasqyronte kapitalin grabitës nga bujkrobet. Kush ishte atdhetar e kush tradhtar. E kemi gjykuar këtë sistem, por nuk e fshijmë, sepse ajo është traseja jonë historike nëpër të cilën kemi shkelur.

Sistemet që po riprodhohen

Për shumë çështje të mbrapshta si dikur moti. Është punë e çuditshme me ne shqiptarët dhe ndoshta jo veç me ne. Gjatë moshës sime të deri sotme e kam përcjellë gjendjen shoqërore në kushtet materiale dhe shpirtërore që kemi jetuar. Pjesën më të madhe të jetës tonë, gjenerata ime dhe rreth asaj, (para dhe pas) mësimdhënës, administratë, qytetarë e katundarë, kishin trashëguar shumë elemente të feudalizmit dhe po i përtërijmë ato të keqet e komunizmit. Po një kohë nuk është ditur cili është i sinqertë e cili është me dredhi. Rrallë kush ka guxuar të thotë diç për realitetin historik. Ata me detyrë, por edhe ata vullnetarët e "para agimit e të natës", si lakuriqë qarkullonin shpejt nëpër labirintet e organeve të shtetit serb, natyrisht në përcjellje të lajmeve të reja. Po ky grup, i paguar - zyrtar apo pa pagë - vullnetar janë njerëz frikacakë, besëprerë, hajdutë, egoistë, intrigantë e qyqarë (deri në ditën e sotme), të cilët për interesa të veta personale të tjerët i kanë shkatërruar. Që do të thotë, nuk kanë punuar për shumicën. Historikisht dihet se një pjesë e mirë ishin (tinëzarët e frikacakët) shndërruar edhe në tradhtarë. Një shembull shumë primitiv: gratë e tyre janë përshëndetur me serbët si vëllai me motrën, por shqiptarit (edhe pak më i afërt) nuk u kanë folur. Dhe askush prej Beogradit nuk e ka potencuar me emër e mbiemër, apo shumë rrallë, që ta kapin dhe ta dëmtojnë ndonjërin prej shqiptarëve, para se të kenë futur në regjistër njerëzit e rrethit. Këtë punë ua kanë lënë (me kërcënime, edhe me vullnet) njerëzve tanë. Ata që i njohim si shqipfolës edhe me emër e mbiemër. Natyrisht me urdhër të padronit - Serbisë. Nuk e di cili politikan, gjykatës, prokuror, polic etj. që ka dhënë dorëheqje në ato kohë për çështjen e burgosjeve, ndjekjeve dhe vrasjeve të njerëzve të vet - shqiptarë. Ata madje, një pjesë e tyre, kanë qenë shumë të bindur se, politika jugosllave është aq e fortë dhe e mbarë, sa që do të thyhen të gjithë krahët e nacionalizmit shqiptar në Kosovë. Sepse? Interesi i madh që të jetohet mirë e pa dert familjet e atyre e të servilëve. Të komandojë ku të dojë dhe kur të dëshirojë. Madje edhe me katër vjet shkollë shqiptari e çonte kokën lart e më lart prej të gjithë të tjerëve. I kemi lënë ato sjellje të të gjithëve po thuaj. Kemi heshtur për hir të gjendjes së përgjithshme shqiptare. Nuk kemi kërkuar hakmarrje për ta. Po si duket kjo na ka kushtuar. Ata (pjesa më e madhe) nuk janë penduar e nuk kanë kërkuar falje publike as intime. Përkundrazi, janë shfaqur me gjuhën repetitore e petkun e një atdhetari më të devotshëm dhe janë gjetur në partitë e ndryshme në pluralizmin tonë të ngathtë. Janë zgjedhur sërish prokurorë, gjykatës, avokatë, udhëheqës të sektorëve të ndryshëm në jetën shoqërore e politike në këtë vend. Askush nuk ka reaguar lidhur me këtë, sepse kanë qenë të nevojshëm sërish, sidomos për liderët partiakë. Ata janë kushtëzuar nën tutelën e përfaqë- suesve partiakë për mbrojtjen e interesave të tyre dhe të klanit. Nuk ka qenë interesant ideologjia e Enver Hoxhës, kur është dëgjuar se e ka shkretuar dhe zhdukur pjesën më të madhe të inteligjencës shqiptare. Edhe këtu kemi servilizmin e të gjitha shtresa shoqërore. Njëri kundër tjetrit. Cili përpara do ta fundoste tjetrin. Njësoj, si në vendet e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, mos edhe më keq. Janë dëmtuar grupe të ndryshme e individë, shkrimtarë, politikanë, njerëz të kulturës, etj. Vetëm nga frika se do të shkaktojnë rrëzimin e Kalasë së Egos. Pra, kosa binte edhe andej kufirit, me regjim shqiptar për një fjalë, sikur këndej nën thundrën e huaj...As ideologjia e Titos nuk zgjonte kureshtje për ne. Ajo ecte në hapa të një tutele serbomadhe.

Primitivizmi i partive politike te ne

Kur themi se jemi anëtarë të një partie, u krye...! Nuk e dimë fundin. E njohim veç liderin, i cili bën akrobacione me fjalë. Ne do të flasim e do të bëjmë çfarë të dëshirojmë. Ne do të plaçkitim e do vjedhim krejt çka na do shpirti, deri në pasurimin e kuptimit makrodimenzional, por vetëm të grupeve të ngushta familjare - klanore - nepotike - ilegale. Po para se t'i bëjmë "lezetet" e veta, klasa sundimtare edhe opozitare, do të përpiqen të vejnë një farë ideologjie mashtrimi sui-generis e përsëritës. Teza që do të mbështillte të palarën është një "patriotizëm" i rremë dhe në emër të kësaj do të përfitojnë, sepse masën më lehtë do ta heshtin duke i kërcënuar se, ne nuk bën të na kundërshtojë askush. Prej nesh varet atdheu! Kështu, më lehtë ishte për udhëheqësit e zgjedhur, që të thyejnë natë e ditë pjesën më të madhe të qytetarëve të ndershëm, sesa të vënë në zbatim ndonjë ligj për mbrojtjen e tyre dhe pacenueshmërinë e pronës materiale dhe atë shpirtërore shoqërore. Parulla se, asnjë historian, asnjë shkrimtar, asnjë dramaturg e artist, asnjë këngëtar e muzikant i kohëve të kaluara nuk vlen, sepse "ne jemi" më të mirët dhe me ne fillon epokë e re, është dogmë e komunizmit. Ata janë të gjithë të soc-realizmit, atë vazhdë duhet fshirë tërësisht. Që të gjithë ishin shërbëtorët e Serbisë(?), sipas mendimit të interesxhinjve të së sotmes. Që të gjithë kanë vepruar në favor të tjerëve e në dëm të shqiptarëve!...E në anën tjetër, marrëdhëniet e udhëheqësve partiakë e institucionalë janë të pranishme po me ata tradhtarë e armiq të brendshëm e të jashtëm të deri djeshëm. Në ideologjinë e tyre kuazi të "re", i kanë futur në institucione qeverisëse, pjesën më të madhe që ishin pro Serbisë një kohë. Po kanë rekrutuar të rinj (jo pse duan të punësojnë e emancipojnë), por që të jenë të dëgjueshëm dhe shumë veprues në disfavor të qytetarëve e në dobi të liderëve partiak. Njësoj si dogmatizmi komunist. Kjo metodë është shumë imituese. E bëjnë historian pa qenë fare. E bëjnë shkrimtar pa aftësi fare. E bëjnë gjykatës e prokuror pa vlerë dhe injorant të materies në profesionale. E bëjnë prof. dr. sc. pa ndonjë rezultat fare, kompilues e gjithashtu shumë injorant. Nga të gjithë resorët kemi të rinj e të vjetër që e "kallin" për padronin - militantët. S'ka rëndësi, a janë në rrugë të drejtë apo kah një greminë e pafund. Ani këta të rinjtë që nuk e përjetuan të kaluarën, janë më të devotshëm se komunistët e dikurshëm! Çka mendon qytetari i ri sot në mese tona, kur një "politikan" e ndan Kosovën në regjione: Gollaku, Karadaku, Drenica, Llapi, Dukagjini, këto janë pika gjeografike, është e vërtetë. Po jo, qëllimi është të tregohet se kah, në cilën mini-provincë bën pjesë apo shpreh simpatinë personaliteti i politikës surrogate. Cila edukatë e arsimim mund të merret prej këtyre gjysmakëve politikanë, mëhallaxhinj, më mirë të thuash dilenxhinj, në këtë agërshakun tonë gjeometrik e gjeografik. Për një ditë i del anë e mbanë krejt Kosovës...Primitivizmi i këtyre politikanëve s'ka fund. Këta janë hakmarrës ndaj qytetarit të ndershëm, ndaj kulturës, ndaj shkencës, ndaj ekonomisë, ndaj arsimit, ndaj shëndetë- sisë...sepse vetë nuk kanë kurrfarë kulture e dije. Vetë janë të varfër me njohuritë e informacionet që kanë në veten e tyre. Prandaj, janë zemërngushtë...Trashëgimtarë të përrallave të gjyshërve në kohën e feudalizmit. Veç dy-tri fjalë i thonë: 'demokraci, liri, të dashur qytetarë...', por pa ndonjë rëndësi në jetën praktike. S'është demokraci, kur dikush për cilëndo punë krye në veti. Çfarë demokrati është ai. Kujt i jep llogari me atë sjellje të tij - egoiste?! Cilat janë pasojat e një vendimi nga një njeri? (Vijon)

(Kosova Sot)