Gjermania e re e Angela Merkelit

Gjermania e re e Angela Merkelit
  • 17 November 2017 - 11:06

Shkruan: MARCEL FRATZSCHER

Unioni kristian-demokrat (CDU) i kancelares gjermane, Angela Merkel, mund ta ketë fituar shumicën në zgjedhjet federale të shtatorit, por kjo nuk d.m.th. se e ardhmja e vendit është e qartë. Ajo që do të rezultojë nga përpjekjet e Merkelit për ta formuar një koalicion të ri me Të gjelbrit dhe me Demokratët e lirë, nuk do ta përcaktojë vetëm trajektoren ekonomike të Gjermanisë përgjatë katër viteve të ardhshme, por do ta përcaktojë edhe fatin e transformimit të vendit në një shoqëri me të vërtetë të hapur. Për më pak se në një gjeneratë, Gjermania, e cila dikur ishte i sëmuri i Evropës, doli si fuqi ekonomike globale. Por, e vërteta është se suksesi aktual ekonomik i Gjermanisë është më pak rezultat i politikave të mira, sesa e rrethanave të favorshme të jashtme, sidomos në Evropë, e cila pati një kërkesë të fortë për eksportet gjermane. Thënë të vërtetën, reformat e rëndësishme ekonomike ia mundësuan Gjermanisë që të përfitonte nga kërkesat e jashtme. Por, ato ishin ndërmarrë shumë kohë para se Merkel të vinte në pushtet dhe, gjatë 12 viteve të saj në post, janë të pakta reformat ekonomike domethënëse që janë implementuar. Për shembull, investimet private vendore mbesin të dobëta, pjesërisht për shkak të shërbimeve tepër të rregulluara dhe barrës së rëndë të burokracisë.

Gjermania është bërë shoqëria e hapur

Për më tepër, derisa Gjermania iu predikonte fqinjëve të saj masat e kursimit, ajo ka rritur shpenzimet sociale në pensione dhe transferime, duke lejuar gjatë tërë kësaj kohe që investimet publike neto të bëheshin negative. Ka dështuar së realizuari reforma më se e nevojshme e sistemit tatimor, që dikur përmendej me të madhe nga CDU. Dhe, edhe pse punësimi është rritur gjatë mandatit të Merkelit, krijimi i vendeve të punës nuk ka rezultuar me zvogëlimin e segmentit me të ardhura të ulëta në tregun e punës. Partitë që më së shumti kanë të ngjarë që ta formojnë qeverinë e re - CDU (dhe partia simotër e saj në Bavari, Unioni kristian-social), Të gjelbrit dhe Demokratët e lirë - tani janë duke 'luftuar' rreth asaj se si më mirë të përdoret bilanci i madh pozitiv i Gjermanisë, me qëllim që t'iu shërbejë votuesve të tyre. Cilindo vendim që ata do ta marrin, performanca ekonomike e Gjermanisë ka të ngjarë që të mbetet e fortë, të paktën në aspektin e tregtisë dhe të një buxheti të balancuar. Sprova reale për të ashtuquajturin koalicion Xhamajka gjendet gjetiu. Atë që Merkelit i ka munguar në të arriturat e politikës ekonomike, ajo e ka kompensuar me ndërmarrjen e ndryshimeve sociale. Nën udhëheqjen e saj, Gjermania është bërë shoqëria e hapur, e tillë sikur që është sot. Por, ajo është gjithnjë e më shumë edhe një shoqëri e ndarë. Ashtu sikur qëndrojnë gjërat, rreth 20% të popullsisë së Gjermanisë prej 82 milionë banorësh, kanë prejardhje migrante dhe, rreth 5 milionë sish janë myslimanë. Multikulturalizmi reflektohet në ndryshimin e perspektivës për tërë gjermanët. Katër nga pesë gjermanë tani mendojnë se islamizmi dhe homoseksualizmi janë pjesë e shoqërisë gjermane; tre nga katër e thonë të njëjtën gjë për migrantët dhe refugjatët. Dhe, Gjermania ka njërën prej popullsive më proevropiane në kontinent. Tri qeveritë e fundit, që të tria të udhëhequra nga Merkel, kanë kontribuuar fuqishëm në këtë transformim. Kritikët e quajnë Merkelin kancelarin e parë social-demokrat nga një parti konservatore, meqë ajo përqafoi shumë politika progresive, derisa predikonte stabilitetin dhe vlerat tradicionale. Vendimi i saj më i rëndësishëm - cili sa s'i kushtoi me humbjen e postit të kancelarit, por që mund të ndikojë në trashëgiminë e saj - ishte vendimi i saj i vitit 2015 që, përkundër kundërshtimit të ashpër nga shumë prej partisë së saj, të pranonte rreth 1.5 milionë azilkërkues dhe të insistonte në integrimin e tyre në shoqërinë gjermane. Qeveritë e udhëhequra nga Merkel po ashtu kanë mbështetur edukimin e hershëm të fëmijëve dhe të drejtat e fëmijëve, duke realizuar edhe një progres substancial në barazinë gjinore. Për më tepër, një qasje më fleksibile ndaj tregut të punës, zgjerimi i objekteve për fëmijë të vegjël dhe iniciativat financiare, kanë shkaktuar një rritje të pjesëmarrjes së femrave në fuqinë punëtore, në më shumë se 70%, gjë që është njëra ndër shifrat më të larta në botën e industrializuar. Qeveria aktuale e Gjermanisë po ashtu ka implementuar një kuotë prej 30% për femrat në bordet mbikëqyrëse të kompanive të mëdha, si dhe një ligj për transparencë të rrogave, me qëllim të zvogëlimit të dallimit të rrogave sipas gjinisë, i cili dallim ende vazhdon që të jetë rreth 21%

Sfidat e shumta

Edhe pse Merkel nuk i udhëhoqi këto reforma, ajo ofroi një mbështetje të heshtur për to. Ngjashëm me këtë, edhe pse në fillim të vitit Merkel votoi kundër legalizimit të martesave homoseksuale, gjë që nuk mbështetet nga shumëkush prej partisë së saj, ajo pranoi dorëhapur vendimin e Bundestagut, duke thënë se ajo shpresonte që ky votim nuk do të promovonte vetëm 'respektimin e mendimeve të ndryshme', por do të sillte një stabilitet më të madh dhe një paqe sociale. Në fund të fundit, është talenti i Merkelit për tejkalimin e ndarjeve politike, ai që e ka mundësuar transformimin e Gjermanisë në një shoqëri të hapur. Dhe mu kjo, e jo politika ekonomike, mundet që të bëhet e arritura më e madhe e karrierës së saj politike. Në njëfarë mënyre, Gjermania tanimë ka kaluar përtej pikës së pa kthim, në rrugën e saj drejt hapjes, falë politikës së Merkelit të vitit 2015 ndaj refugjatëve. Megjithatë, ka edhe shumë sfida të tjera përpara. Përtej sfidave teknike dhe sociale, të shoqëruara me integrimin e suksesshëm të refugjatëve, ekziston edhe nevoja për një tolerancë më të madhe ndaj islamizmit dhe diversitetit nga ana e të gjithë gjermanëve. Do të nevojiten edhe ndryshime shtesë të politikave familjare dhe gjinore dhe një reformë në thellësi të sistemit edukativ. Derisa Gjermania vazhdon që të debatojë rreth asaj se çka d.m.th. të jesh gjerman, rezultati i negociatave aktuale për formimin e koalicionit, do ta përcaktojë se a do të ballafaqohet me sukses qeveria e re e Merkelit me këto sfida. Nëse po, atëherë Merkel do të mbahet mend si arkitektja e një shoqërie të re të Gjermanisë.

(Marcel Fratzscher është president i grupit të ekspertëve "DIW Berlin" dhe profesor i makroekonomisë dhe financave në Universitetin Humboldt, Berlin) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për 'Project Syndicate', pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)