Rrënojnë Kosovën për interesa të veta

Rrënojnë Kosovën për interesa të veta
  • 18 November 2017 - 07:59

SHKRUAN: SHEFIK SHKODRA

T ë gjithë shqiptarët nëpër epoka historike nuk kanë qenë barbarë. Përveç interesxhinjve e tradhtarëve, ka pasur edhe njerëz shumë të ngritur dhe të kulturuar. Pjesa më e madhe e tyre në botën e jashtme, që nga mesjeta e hershme kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shkencë, në arte dhe në politikë. Ne, sot, gëzohemi kur studiuesit shqiptarë zbulojnë dokumente nëpër arkiva dubrovnikase, vjeneze, venedikase, pariziene, por edhe në ato të Turqisë etj. Do të thotë, njerëzit e kulturuar i kanë ruajtur shenjat në muze kombëtare e institucione të vendit të tyre. Ne e bëjmë të kundërtën, si duket, po sa të vijmë në pushtet i fshijmë gjurmët. Të keqe dhe të mira. Të mos flasim për fillet e komunizmit në Ballkan, e sidomos te shqiptarët, kur të gjitha simbolet dhe ndërtesat e vjetra, shenjat e monumentet janë asgjë- suar dhe zhdukur, sepse vetëm komunizmi është rendi shtetëror, i pari dhe i fundit. Kështu e kanë menduar veten ideologët e këtij sistemi, të përshtatur për klasën sundimtare.

Militantët e partive janë kudo

Krejt në emër të popullit, lirisë e vetëqeverimit janë bërë aktet më të poshtra historike e kulturore. Qyteti i vjetër s'ka nevojë të ruhet. Ato janë gjurmët e të kaluarës armike. Ne nuk na intereson për të kaluarën - Te para!...Kështu bëri komunizmi andej e këndej. Edhe varrezat nuk i lanë në këmbë. Erdhi koha, të shembet edhe monumenti i E. Hoxhës. Dhe sa ishte gjallë ai, askush nuk guxoi të përballet, me politiken e tij egoiste, pos individët, po tash gjithë mileti në këmbë. Që të hakmerret edhe me gurët, me bronzin, me shenjat... Edhe sot, militantët janë kudo të disa partive. Vetëm e bëjnë rekomandimin prijësit e tyre, - shtëpia e vjetër në qendër duhet të prishet! Ngase duhet të ndërtohet një rrokaqiell me pasuritë që i kanë në dorë.

Shprehja e përmendores dhe mënjanimi i saj

 Pak fjalë për rastin e fundit të përmendores në Gjilan. Po s'është për herë të parë e as e fundit kjo, e thamë më lart. Nuk mbroj ideologji të askujt, as andej e as këndej. Por, që të luftosh me objekte e varreza, s'është shenjë e kulturës. Kuptohet, kur serbi vendos përmendore të carëve në tokën e shqiptarëve, kisha në komplekse të universiteteve, si në mesjetë, është diçka për t'u shqetësuar dhe për të reaguar. Atje nuk po guxojmë ku duhet, se po i mbron 'tuta' dhe shenjat dhunshëm i lë okupatori, i përshtat apo inauguron të reja në trevat tona shekuj më herët. Dallkaukët tanë pa i njohtë rrethanat historike, pa e ditur mirë shkakun, pa pasur njohuri elementare kulturore, edhe më pak politike, ngrihen si "bashibozukë", në emër të atdheut dhe rrënojnë përmendore, shtëpi shekullore, e shenja të tjera historike që i përkasin këtyre trojeve të banuara me shqiptarë. Të lëna edhe nga shqiptarët e për shqiptarët. Një përmendore e Car Llazarit e ngritur në qendër të Gjilanit, ishte një shenjë që qytetarit ia ka tërhequr vërejtjen në mënyrë kontinuele. Kjo është dashur të zhduket, të mos lejohet në këtë vend dhe ashtu ka ndodhur. Ka shprehur një simbolikë të pakëndshme përballë këtij populli. Është paraqitur si okupator, etj. Përmendorja "Ushtari i panjohur"(?) apo si është quajtur, nuk e di, nuk më ka interesuar kurrë për te. Nuk e kam shikuar në detaje asnjëherë. Po sipas meje, ky monument paraqiste një vuajtje nga Lufta e Dytë Botërore, (që ishte e tmerrshme në Gjilan), nga vrasjet dhe zhdukjet e më se tetëmijë qytetarëve me rrethinë, brenda disa muajve (dhjetor 1944- janar 1945). Monumenti shpreh një të plagosur pa gjymtyrë, duke bartur tjetri në parzmoren e tij. Kjo figurë është e ngjashme me pikturat e Gjelosh Gjokajt e të ndonjë surrealisti tjetër. Po kjo skulpturë paraqet edhe mundimet tjera për njeriun hendikep...krejt kjo ka mundur të shihet në këtë prizëm. Pra, ata që vuajtën, u vranë e u masakruan ishin shqiptarët e këtij terreni, jo të tjerët. Dhe kjo përmendore vetëm sa dëshmon mjerimin e këtyre qytetarëve në këto troje të një kohe historike. Por, asgjë nuk është tragjike që është larguar, sikur kjo të bëhej me debate publike e pa një ngarkesë individuale, apo të një këshilli.

(Kosova Sot)