Nuk ka demokraci pa shtyp të lirë

Nuk ka demokraci pa shtyp të lirë
  • 19 November 2017 - 09:54

Shkruan: Christiane Amanpour

Kur gazetarët nuk vriten me gjakftohtësi, ata ballafaqohen me peshën e padurueshme të censurës dhe veprimeve të dyshimta ligjore. Dhe, ky sulm kundër së vërtetës dhe fakteve tani ka shkuar deri te vendi i amendamentit të parë, ku shtypi i lirë konsiderohet Pasuria e Katërt.

Pak ditë më parë, këtu në Britani shënuam Ditën e Armëpushimit. Jam e sigurt që ceremoni të tilla ndodhin po ashtu edhe në shumë pjesë të tjera të botës, por disi Britania duket vendi më i përshtatshëm për ta nderuar shërbimin, sakrificën dhe se si "vendi i vogël, i cili mundi" t'i mblidhte miqtë e saj në një koalicion të fuqishëm për mposhtjen e tiranisë monstruoze, jo vetëm në Luftën e Madhe, por përsëri edhe në Luftën e Dytë Botërore. Për këtë shkak, festimi i së Dielës së Kujtimit është një manifestim vjetor i modestisë, nderimit, falënderimit dhe, mbi të gjitha, i asaj që të përkujdesemi që një sakrificë kaq e madhe të mos harrohet kurrë. Me pjesëmarrjen e mbretëreshës dhe të gjithë pjesëtarëve të familjes mbretërore, si dhe të të gjithë paraardhësve të saj të gjallë, me pjesëmarrjen e liderëve të të gjitha partive politike, liderëve të më shumë se dhjetë feve, shërbimeve të armatosura dhe disa shteteve të Komonveltit, të gjithë të bashkuar në një mëngjes të ftohtë, por me diell, të së dielës, paraqet një rikujtim të fortë të humanizmit të përgjithshëm, me vlera dhe qëllime të përbashkëta. Kjo ditë tregon edhe si mbijetuan demokracitë tona. Unë gjithmonë kaplohem nga emocionet, por për mua arsyeja pse kjo ditë ka rëndësi kaq të madhe është edhe pse burrat dhe gratë e profesionit tim, gazetarët, asnjëherë nuk u larguan nga beteja për të vërtetën.

Ankthi distopik

 Të rënët tanë nuk kujtohen në këto shërbime, por pa të vërtetën të cilën e kërkojmë nuk ka demokraci, vetëm diktaturë. Pa të vërtetën që e sjellim këtu nuk ka sundim të ligjit, vetëm anarki dhe shkatërrim. Pa të vërtetën, ka vetëm rrena të cilat na çojnë drejt një mjegulle të rrezikshme të konfuzionit, duke mos ditur ku të shkojmë apo kujt t'i kthehemi. Ky ankth distopik është veçanërisht akut sot. Çdo vit, shumë prej nesh plagosen apo vriten në këtë betejë të madhe. Vetëm pak muaj më parë, në Maltë, një reportere trime, me emrin Daphne Caruana Galizia, u vra në një sulm të tillë që zakonisht bëhet në zonat e luftës, të shkaktuar nga një pajisje e improvizuar shpërthyese, apo IED. Paramendoni për një moment. Ajo ishte një gazetare hetuese që angazhohej për mundësi të barabarta, dhe ishte kundër korrupsionit, duke kritikuar si qeverinë, po ashtu edhe opozitën. Postimi i saj i fundit përmbante fjalët e pavdekshme: "Kriminelët gjenden gjithandej. Situata është e dëshpërueshme". Gjysmë ore më pas, ajo u bë copë e thërrime nga bomba e vendosur në veturë. Para shtëpisë së saj. Në Evropë. Veni re: në Evropë. Nuk do të duhej, por kjo duket shumë më e papranueshme sesa arrestimi dhe vrasja e kolegëve tanë dhe sulmet kundër fjalës së lirë në vendet me të cilat sikur jemi mësuar: Turqi, Rusi, Meksikë, Filipine, Iran, Arabi Saudite, Indi, Mianmar, etj. Kur gazetarët nuk vriten me gjakftohtësi, ata ballafaqohen me peshën e padurueshme të censurës dhe veprimeve të dyshimta ligjore. Dhe, ky sulm kundër të së vërtetës dhe fakteve, tani ka shkuar deri te vendi i amendamentit të parë, ku shtypi i lirë konsiderohet Pasuria e Katërt. Gjatë kësaj kohe prej zgjedhjes së Donald Trumpit në postin e presidentit të SHBA-së, ai dhe hordhia e tij kanë përdorë 'lajmet e rreme' si armë politike, për të na detyruar që të nënshtrohemi. Ne nuk do të dorëzohemi, e as të përkulemi, por kokat i kemi të gjakosura.

Shtypi i lirë nuk duhet të demonizohet

Ekzistojnë dy lloje të lajmeve të rreme: së pari e kemi llojin që njihen edhe si rrena; pastaj kemi llojin e dytë që mund të quhet me fjalinë: "Nuk më pëlqen ajo që je duke thënë për mua". Asnjëra prej tyre nuk janë legjitime. Që të dyja janë mishëruar në bisedën tonë. Fjalori "Collins" e shpalli shprehjen "lajm i rremë" ("fake news") si shprehje të vitit. Zhvillimi më i tmerrshëm ka të bëjë me faktin se kjo shprehje është duke hasur në mbështetje të shumicës në disa shtete, të cilat thjesht, refuzojnë që të besojnë në fakte. Duket se çdo ditë më shumë kemi lajme të këqija rreth 'armatosjes' së mediave sociale, ku "Facebook" pranon se një 'mashtrim' (troll) me lidhje me Kremlinin, ka sulmuar më shumë se 150 milionë përdorues, duke u munduar që të ndikonte te ta gjatë zgjedhjeve të vitit 2016. CNN sapo ka zbuluar se 'trollët' rusë kishin pushtuar hapësirën Ditën e referendumit të BE-së, më 23 qershor të vitit 2016, duke shkaktuar ndjenja pro-Brexit derisa njerëzit ende ishin duke votuar. Një raport thoshte se, vendi më i rrezikshëm ku mund të gjendet një reporter sot në Amerikë, është në një miting të Trumpit. Mendoj se as kjo nuk është befasuese: fundja, Trump i ka cilë- suar të gjitha mediat si "armiq të popullit amerikan". Në këtë kohë të vitit do të bënim mirë ta kujtojmë faktin se, në të vërtetë, ne jemi miqtë më të mirë të popullit. Mos harroni se, kudo në botë, vetëm e vërteta për të cilën ne luftojmë, e garanton lirinë. Dhe, rrenat e panumërta çojnë vetëm deri te skllavërimi. Ne gazetarët do të vazhdojmë që ta zhvillojmë këtë betejë. Shtypi i lirë nuk duhet të demonizohet.

(Kosova Sot)