Tundimi populist i Arabisë Saudite

Tundimi populist i Arabisë Saudite
  • 20 November 2017 - 10:17

Shkruan: ISHAC DIWAN

Shumica e përpjekjeve për të kuptuar tërmetin politik që po ndodh në Arabinë Saudite janë përqendruar në psikologjinë e princit të ri, Mohammed bin Salman. Por, ka po ashtu edhe arsye strukturore për orientimin populist të princit Mohammed. Kuptimi i këtyre faktorëve paraqet çelësin për gjetjen e një rruge më të mirë përpara. Në të kaluarën, stabiliteti politik në Arabinë Saudite mbështetej te tri marrëveshje të ndara: brenda familjes mbretërore; midis familjes mbretërore dhe elitave tradicionale të mbretërisë; dhe, midis shtetit dhe popullatës. Marrëveshja brenda familjes Al Saud rrënjët i ka te "asabiyya" - aftësia e një fisi ambicioz që ta ruajë unitetin, me qëllim të monopolizimit të pushtetit. Por, familja mbretërore është bërë tepër e madhe dhe tepër e ndarë, për ta justifikuar koston e ruajtjes së unitetit. Nga një vlerësim i fundit, del që 5.000 e më shumë princa të gjeneratës së tretë me rrethin e tyre, konsumojnë deri në 50 miliardë dollarë në vit. Sa iu përket elitave tradicionale, ato e kanë rrënjën te gjeneza e mbretërisë. Këto familje fisnike ishin inkurajuar që të mblidhnin sa më shumë fuqi ekonomike. Ato kishin qasje të privilegjuar në kontratat qeveritare, në subvencione, në kapital, gëzonin mbrojtje nga konkurrenca, dhe kishin mundësi të importonin falas. Kjo elitë e mbrojtur e sektorit privat është rritur aq shumë sa tashmë paraqet mbi 50% të GDP-së së Arabisë Saudite.

Më shumë se 75% e qytetarëve arabë punojnë për shtetin

Popullatës, në ndërkohë, i ishte ofruar një siguri ekonomike në këmbim të besnikërisë së saj - një aranzhim i institucionalizuar përmes një rrjeti të patronizuar të punëve me paga të majme të sektorit publik, dhe nga një varg përfitimesh dorëlira të mirëqenies sociale dhe të subvencioneve. Si rezultat, më shumë se 75% e qytetarëve arabë punojnë për shtetin, ndërsa pjesa tjetër e buxhetit publik shpenzohet në mbështetjen sociale jetësore. Por, tashmë ky sistem është bërë shumë i kushtueshëm. Sfida për princin Mohammed ka të bëjë me mbikëqyrjen e tranzicionit drejt një rendi politik më të lirë, që në të njëjtën kohë do të siguronte një efikasitet më të madh ekonomike, me qëllim të parandalimit të ndonjë trazire të mundshme qytetare. Regjimet e tjera autokratike në rajon, me popullsi më të mëdha dhe me më pak naftë - si Iraku, Egjipti, Algjeria dhe Siria - kanë ndjekur një 'strategji republikane' duke i qetë- suar të varfrit përmes një varg formash të patronazhit dhe përmes elitave shtypëse ekonomike. Kjo e ka bllokuar ngritjen e një opozite të besueshme, me çmimin e mbrojtjes së një ekonomike anemike, tejet joformale dhe të bazuar te konsumi. Një qasje e këtillë, e stilit venezuelas, mund të jetë joshëse për princin Mohammed, për shkak se zelli i tij populist shoqërohet me spastrimin e elitave nga ana e tij dhe me neutralizimin e çdo lloj opozite. Kompanitë e jashtme dhe ato të kontrolluara nga shteti mund t'i zëvendësojnë elitat e përmendura në ofrimin e shërbimeve të nevojshme private. Dhe balanca e pagesave mund të stabilizohet me uljen e konsumit dhe të importeve, pjesërisht atë të familjes mbretërore dhe të të pasurve. Problemi i kësaj qasjeje qëndron te vonesa që do t'ua bënte ndryshimeve thelbësore për rritjen e produktivitetit të punës. Ndërsa autokratë të tjerë nën presion - siç është Recep Tayyip Erdogan dhe Vladimir Putin - janë duke zgjedhur në vazhdimësi rrugët miope në sakrifikimin e sektorit privat për t'i dhënë mbijetesë regjimeve të tyre, mbretëria mund të bëj më mirë se kaq, duke ua dhënë atyre asetet në dispozicion.

Produktiviteti i ulët i elitave të sektorit priva

Alternativa e koalicionit autoritar sundues të elitave tradicionale është edhe më pak e favorshme për sunduesit aktual të Arabisë Saudite, sepse do ta impononte uljen e nivelit të konsumit për njerëzit e zakontë dhe kësisoj, do ta rriste nivelin e represionit. Konflikti i brendshëm është gjëja e fundit për të cilën ka nevojë princi i kurorës. Një rrugë më e mirë përpara kërkon më shumë balanca dhe një koordinim më të mirë. Dhimbja nga rregullat e vëna duhet të ndahet më barazisht mes njerëzve, dhe reformat duhet të përqendrohen më shumë në zgjerimin e përfitimeve ekonomike. Kjo rrugë është e mundshme, falë faktit që Arabia është e pasur me opsione të lehta: një shoqëri të re, e cila kërkon një emancipim social, me gra të shkolluara që kërkojnë një pjesëmarrje më të madhe dhe, me miliona vende të punës, të krijuara për imigrantët, që tani janë në dispozicion për popullsinë lokale. E meta e këtij skenari është produktiviteti i ulët i elitave të sektorit privat. Që ta çlirojë këtë pjesë, Arabia Saudite ka nevojë për një demokratizim, nëse jo në politikë, atëherë në tregjet e saj, përmes një mbështetjeje më të madhe te ligji dhe te një konkurrencë korrekte. E shikuar nga kjo perspektivë, fushata aktuale antikorrupsion e princit Mohammed duhet të përcillet me përpjekjet për të vendosur një rend më përfshirës në sektorin privat. Nëse do të mund të funksionalizohet sektori privat i mbretërisë, atëherë sfida ekonomike do të bëhet më modeste. Rreth 200.000 të rinj do të futen në tregun e punës për çdo vit. Kështu edhe gratë do të mund të punësohen duke i dhënë frymë sektorit privat. Aktualisht janë nëntë milionë punë- torë, shtetas të jashtëm, që punojnë në mbretëri. Më shumë se investimet e mëdha, të reja në teknologji të lartë, rruga e vështirë e saudizimit, e iniciuar një dekadë më parë, mund të kryej punë gradualisht, nëse bëhet përmes një mbështetjeje për konkurrencën dhe për kompanitë e vogla e të mesme. Por, pika fillestare është sfiduese, sepse shërbyesit e sektorit publik marrin paga tri herë më të mëdha se punëtorët e sektorit privat. Me qëllim të unifikimit të tregut të punës, një qëllim afat-mesëm mund të zvogëlojë rrogat e punëtorëve sauditë, duke rritur produktivitetin e tyre dhe duke subvencionuar pjesën e mbetur nga kasaforta e shtetit. Tundimi populist premton, në rastin më të mirë, një shtet autoritar të mirëqenies sociale, me të ardhura mesatare. Arabia Saudite do të përfitonte më shumë nga një strategji e përfshirjes ekonomike dhe sociale, i cili zgjeron bazën e mbështetjes politike, duke bindur grupet me ndikim - mbretërorët, të dalluarit dhe njerëzit e rëndomtë - që t'i shohin humbjet e tyre afatshkurtra si një investim për të ardhmen e mbretërisë

(Ishac Diwan është profesor në Universitetin "Columbia", në Shkollën e çështjeve ndërkombëtare dhe publike) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për 'Project Syndicate', pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot)

(Kosova Sot)