Trafikantët e drogës mësuan të pasurit që t'i fshihnin paratë në parajsat tatimore

Trafikantët e drogës mësuan të pasurit që t'i fshihnin paratë në parajsat tatimore
  • 22 November 2017 - 11:50

Shkruan: Roberto Saviano

Kanë kaluar vetëm 19 muaj që nga publikimi i "Panama Papers". Tani, janë "Paradise Papers" ato që mbushin faqet e para të gazetave angleze dhe evropiane. Kur ishin publikuar "Panama Papers", kisha shkruar se, sikur emri i David Cameronit të mos gjendej në ato dokumente, ato me gjasë nuk do ta kishin ndikimin e njëjtë. Tani, mendoj se, sikur të mos përmendej emri i mbretëreshës Elizabeth, ne as që do të flisnim rreth kësaj teme. Mekanizmat mbesin të njëjtë. Kanë ndryshuar vetëm firmat e përfshira konsultuese dhe ishujt ku lindën lajmet. Në "Paradise Papers" ka thuajse gjithçka nga pak: nga formimi legjitim - edhe pse me dilema etike - i kompanive 'offshore', me qëllim të uljes së detyrimeve tatimore, e deri te kompanitë inaktive, të cilat mund të fshehin asetet me origjinë kriminale. Parajsat tatimore janë vendi ku kapitalizmi kriminal dhe ai legal takohen dhe bashkohen. Këtë e kam thënë edhe më parë, por ia vlen që ta përsëris. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për faktin që, organizatat mafioze ishin të parat që krijuan dhe lehtësuan mekanizmat e shpëlarjes së parave nëpërmes parajsave tatimore.

Legjitimizmi i kësaj praktike financiare

Në vitet 1980, Gilberto Rodriguez Orejuela, lideri i Kartelit kolumbian "Cali", u bë hisedari më i madh i Bankës "First Interamericas" të Panamasë. Karteli e bëri këtë me qëllim të lehtësimit të shpëlarjes së parave të drogës dhe rifutjes së këtyre parave në qarkullim. Dhe, vitin e kaluar, u zbulua se rezidenca e njërit prej kryemafiozëve meksikanë të drogave, Rafael Caro Quintero, i takonte një kompanie 'offshore' me seli në Panama, bashkë me asetet e biznesmenëve dhe politikanëve kryesorë evropianë. Këto asete kanë origjinë të ndryshme - disa legale, disa ilegale - por që të gjitha ato kërkojnë shërbime të njëjta dhe gëzojnë beneficione të njëjta. Panama, Bermuda, Singapori, Qiproja, Malta - bashkë me Londrën, në qendër të këtij rrjeti - që të gjitha këto janë territore ku mund të fshihni para. Kjo nuk është gjithmonë ilegale. Në fakt, kur rrjedhin dokumentet e ngjashme me ato që i pamë në "Paradise Papers", ato kryesisht rezultojnë me dëmtimin e imazhit të personave të përfshirë, në vend se të dënimit të tyre me burg. Megjithatë, dëmtimi i reputacionit nuk paraqet rrezik aq të madh kur korporatat e mëdha multinacionale - që janë emra të njohur - shpëtojnë përkundër posedimit të aseteve "offshore". Kur marrim vesh se kompanitë, si 'Microsoft', 'Google' ose 'Apple', kanë llogari "offshore" - dhe përkundër kësaj nuk pësojnë as imazhi e as çmimi i aseteve të tyre - atëherë kjo çon deri te legjitimizmi i kësaj praktike financiare. Sikur një mbulojë mbrojtëse, ato mbrojnë këdo tjetër që është i përfshirë në këtë lojë. Falë tyre, pagimi i taksave duket se mbetet vetëm për ata që nuk mund ta evitojnë pagimin e tyre. Një studim i bërë nga Instituti i taksimit dhe politikës ekonomike, i botuar sivjet, tregon se 366 nga 500 kompani amerikane, me të ardhurat më të larta (ato që janë pjesë e "Fortune 500") përdorin kompani ndihmëse, që gjenden në parajsat tatimore, me qëllim të zvogëlimit të taksave në të ardhurat e tyre. Në mesin e tyre gjenden banka të rëndësishme, institute financiare, korporata farmaceutike, si dhe kompani multinacionale të komunikimit, veshjeve dhe ushqimeve. Si rezultat i kësaj, një elektricist në periferi të Romës, apo një biznes i vogël në Liverpul, ballafaqohen me një presion pakufi më të madh, sesa këto kompani gjigante që fitojnë pakufi më shumë para. Në fakt, nuk është e rastit që - përkundër skandaleve "Panama Papers" dhe "Paradise Papers", si dhe të deklaratave të panumërta qeveritare (duke përfshirë edhe ato të bëra nga shtetet që historikisht konsiderohen parajsa tatimore, si Zvicra dhe Austria) rreth luftimit të evazionit tatimor dhe shpëlarjes së parave - sasia e pasurisë së mbajtur "offshore" ka vazhduar që të rritet gjatë disa viteve të fundit.

Maja e ajsbergut

Sipas një studimi të bërë tash vonë nga Byroja nacionale e kërkimeve ekonomike, kjo pasuri tani është e barabartë me 10% të GDP-së globale, por ky është vetëm një vlerësim, meqë vetë natyra e parajsave tatimore pengon zbulimin e shifrave të vërteta. Për më tepër, sapo juridiksionet e caktuara ballafaqohen me kritika (qoftë nëpërmes vendimeve politike, apo duke u gjetur në qendër të sulmeve mediatike), asetet që ato i mbanin shpesh thjesht transferohen te "parajsat" e reja, më të respektuara dhe më të volitshme. Jam i bindur që "Panama" dhe "Paradise Papers" paraqesin vetëm majën e ajsbergut dhe se ne nuk e kemi idenë rreth formës dhe madhësisë së vërtetë të këtij problemi. Ajo që doli në pah si me "Panama", po ashtu edhe me "Paradise Papers", dëshmon se, në parajsat tatimore, paratë nga kokaina, nga evazioni tatimor, si dhe paratë legale, që të gjitha gjenden në një vend, duke e legjitimizuar njëra-tjetrën. Kapitalizmi legal ka mësuar nga kapitalizmi kriminal se, në botën e parave, vetëm shkelësit e rregullave mbijetojnë. Trafikantët e drogës ishin pionierë të modelit të tregut të lirë, i cili gradualisht është adaptuar nga ekonomia legale. Kokaina përfshin të gjitha shtyllat e kapitalizmit bashkëkohor: shpejtësinë (speed), globalizimin dhe fuqinë ekonomike. Askund nuk shihet më mirë kjo sintezë, sesa në parajsat tatimore "offshore"

(Roberto Saviano është autor i librit "Gomorrah", që flet rreth mafisë napolitane, si dhe i librit "ZeroZeroZero", rreth tregtisë globale të kokainës)

(Kosova Sot)