Korrupsioni, krimi dhe droga po e shkatërrojnë kombin

Korrupsioni, krimi dhe droga po e shkatërrojnë kombin
  • 23 November 2017 - 08:49

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Shqipëria e Kosova po i paguajnë shtrenjtë paligjshmëritë e politikanëve të tyre

Korrupsioni, krimi dhe droga i kanë sjellë dëme të mëdha dhe të pariparueshme kombit, që ka për autorë politikanët shqiptarë, të cilët ambasadori amerikan i akuzon se kanë kryer krime të tmerrshme dhe ambasadorja e BE-së deklaroi se shumë politikanë e shesin atdheun. Ky është pra dëmi më i madh që po e gërryen dhe po e kërcënon sot kombin shqiptar

Kombi është një fis i madh, i cili ka gjuhën, traditat, zakonet , kulturën dhe trashëgiminë specifike të tij, ka atdheun e vet dhe historinë e tij që e bëjnë të dallueshëm nga etnitë dhe kombet e tjera. Sot armiku më i madh për kombin shqiptar janë korrupsioni, krimi dhe droga, paraja e tyre, korrupsioni i montuar në sistem nga politika, drejtësia, medie dhe biznesi , pasi interesat e tyre nuk përputhen, por janë kundër dhe në dëm të interesave publike dhe kombëtare. Pra, në kohën e sotme moderne të globalizmit të përshpejtuar, kombin tonë po e tronditin nga themelet të tjera kultura, të tjera morale të amoraliteteve, të tjera parime kundërmorale duke u larguar dhe duke i braktisur traditat dhe trashëgimitë tona të larta dhe të vyera si burrërinë, besën, familjen,patriotizmin, humanitetin, ndershmërinë, moralin, mirënjohjen dhe respektin. Autorë të kësaj gjendje janë politika dhe pushteti i largët, indiferent, i paskrupullt dhe antinjerëzor, të papërgjegjshëm dhe të korruptuar për të cilët po vuajnë dhe po paguajnë shumë shtrenjtë shqiptarët.

Demokracia e keqkuptuar

Ky realitet korrupsioni i tejskajshëm, i rëndë dhe i ashpër i tanishëm po luan, po gënjen, po mashtron , dhe vetëm po manipulon duke ua humbur besimin dhe shpresën shqiptarëve për të ardhmen, pra, po e gërryen kombin. Korrupsioni, hajdutëria dhe droga në Shqipëri dhe në Kosovë kanë gjeneruar krimet e të gjitha llojeve, duke ua kërcënuar jetën, lirinë, pronën ,dinjitetin dhe personalitetin e njerëzve. Demokracia e keqkuptuar nga shoqëria dhe demokracia e politikës së kriminalizuar; importimi politik, social dhe ekonomik i fenomeneve më negative të globalizmit si: krimin, korrupsionin, punën dhe paranë e pisët, drogën , pornografinë dhe seksualitetin, divorcin,vjedhjen dhe shitblerjen e votës dhe të pushtetit të cilat po bëhen kultura masive fatkeqësisht jo vetëm për politikën dhe për partitë politike por edhe për shoqërinë , duke u bërë kështu kërcënimi real më i rrezikshëm për kombin dhe sovranitetin kombëtar. Kjo vërtetohet me faktin se në Shqipëri e Kosovë korrupsioni mirëfunksionon dhe është ngritur në sistem, dhe jashtë sistemit kanë dalë dhe është përjashtuar gjithçka tjetër të cilat nuk i pranon korrupsion, krimi, hajnia, droga dhe tradhtia. Jo vetëm korrupsionin, por edhe drogën politika, pushteti dhe drejtësia në Shqipëri e ka instaluar në sistem, duke arritur deri atje sa Shqipërinë, atdheun dhe tokën e shqiptarëve , shumë personalitete shtetërore , politikanë dhe media prestigjioze ndërkombëtare po e quajnë Kanabistan (tokë të kanabisit, të drogës), gjë e cila përbën kulmin e dëmit të madh dhe shumë të vështirë për t'u riparuar, dëm të cilin politika dhe pushteti në Shqipëri i kanë shkaktuar Shqipërisë dhe shqiptarëve , pra kombit, jo vetëm si realitet por edhe si imazh tejet negativ në botë.

Korrupsioni, pengesë në zhvillimin ekonomik

Korrupsioni dhe paraja e ryshfeti i tij është bërë lubrifikanti mbi të cilin rrëshqet dhe lëviz politika, drejtësia dhe shoqëria. Korrupsioni e droga dhe paraja e cila vjen prej tyre financojnë "investimet", "bizneset", politikën, zgjedhin politikanët, zgjedhin pushtetin, akademinë dhe administratën. Korrupsioni, padrejtësia, paraja e pisët dhe droga gërryejnë kombin sepse prej tyre shqiptarët humbasin edhe shpresën duke minuar besimin te drejtësia dhe te ata prej të cilëve qeverisen; duke humbur besimin te vlerat e mëdha kombëtare, te vlerat e larta demokratike dhe përparimtare, duke humbur besimin te parimi i barazisë para ligjit,te puna e ndershme,si dhe përhapin kulturën dhe psikozën e dëmshme se të drejtat, liritë dhe shërbimet fitohen duke paguar dhe duke i blerë ato. Kështu bëhet dhe korruptohet edhe vetë shoqëria, dhe në një gjendje të tillë ku bie shoqëria e humbet kuptimin edhe patriotizmi dhe rrënohet edhe kombi , i cili pastaj e ka shumë të vështirë që të ringrihet. Në atë vend si Shqipëria po edhe Kosova të cilat në sajë të korrupsionit të lartë institucional nuk ka as zhvillim ekonomik, as rritje të mirëqenies,as investime, as punësim , as stabilitet e qëndrueshmëri politike, as shtet ligjor, as besueshmëri dhe as integrim evropian, dhe a nuk përbën dhe a nuk do të thotë kjo se shteti dhe kombi, pavarësia kombëtare janë të kërcënuara? Rritja ekonomike e cila vjen nga pastrimi i parave të pista dhe të drogës, rritje e cila vjen nga vjedhja dhe nga korrupsioni , kjo rritje shpërndahet në favor të klasës sunduese oligarko-korruptive dhe kriminale, rritje e cila varfëron dhe skllavëron më shumë akoma të varfrit, të braktisurit dhe të harruarit. Aleanca e forcës së parasë së pistë me fuqinë politike të korruptuar dhe të kriminalizuar dhe me mediat mercenare të tyre e kane nxjerrë jashtë sistemit demokracinë. Ky realitet korruptivo-kriminal i politikës ka sjellë pasojat e eksodit dhe të hemorragjisë , largimit të trurit, të rinisë dhe të kapitalit njerëzor më të çmueshëm dhe më vital të qytetarëve shqiptarë drejt Evropës. Ky është korrupsioni, krimi dhe droga të cilat i kanë sjellë dëme të mëdha dhe të pariparueshme kombit, që ka për autorë politikanët shqiptarë të cilët ambasadori amerikan i akuzon se kanë kryer krime të tmerrshme dhe ambasadorja e BE-së deklaroi se shumë politikanë e shesin atdheun. Ky është pra dëmi më i madh që po gërryen dhe po kërcënon sot kombin shqiptar.

(Kosova Sot)