Raportet e ngushta, të rrezikshme, të Trump-it me Arabinë Saudite

Raportet e ngushta, të rrezikshme, të Trump-it me Arabinë Saudite
  • 23 November 2017 - 11:14

Shkruan: Fareed Zakaria

POLITIKA E JASHTME E PRESIDENTIT AMERIKAN

Sauditët dhe amerikanët kanë pasur një aleancë në heshtje me Hezbollahun

Presidenti Trump mbajti një fjalim këtë javë, duke vlerësuar udhëtimin e tij në Azi. Nuk befason fakti që ai mendon se ky ishte një 'sukses i madh"

"Vendi ynë i madhërishëm është përsëri i respektuar në Azi", shkroi Trump. Që të gjitha të dhënat nga anketat e fundit, të bëra në këtë rajon, sugjerojnë të kundërtën. Udhëtimi i Trump-it ishte përqendruar te Japonia dhe Koreja e Jugut, por vetëm 17% të jug-koreanëve dhe 24% të japonezëve kanë shprehur besim te ai, krahasuar me 88, respektivisht 78%, sa shprehnin besim te presidenti Barack Obama gjatë mandatit të tij të dytë. Retorika e Trump-it rreth interesave vetjake dhe "Amerika në rend të parë" nga aziatikët është parë si shenjë e tërheqjes, për dallim nga agjenda më e hapur dhe më ambicioze e presidentit kinez Xi Jinping. Megjithatë, politika e jashtme e Trump-it ballafaqohet me një sfidë të re e cila mund ta çrregullojë edhe më tej Lindjen e Mesme, e cila tanimë është pjesa më pak stabile e botës. Trump ka dhënë dritën e gjelbër për një seri të jashtëzakonshme të veprimeve në Arabinë Saudite, të cilat mund të përshkruhen vetëm si një revolucion nga lart. Disa prej tyre sugjeronin reforma reale dhe shumë të nevojshme. Por, që të gjitha ato veprime duket se bartin rrezikun e destabilizimit të Arabisë Saudite dhe të Lindjes së Mesme. Princi i ri i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka bërë lëvizje për ta konsoliduar pushtetin në të gjitha drejtimet, duke burgosur klerikët konservatorë, në njërën anë dhe mbështetësit e reformave politike, në anën tjetër. Disa prej caqeve të tij të fundit kanë qenë disa prej princave më të fuqishëm të mbretërisë, duke përfshirë edhe kreun e Gardës Kombëtare, si dhe investitori miliarder Alwaleed bin Talal, për shkak të akuzave për korrupsion. Një shtetas dhe biznesmen i lartë arab më tha se këto akuza duken të dyshimta. Ai tha se çdo princ në Arabinë Saudite ka marrë pjesë në korrupsionin shtetëror, i cili është i mishëruar në sistem. Nëse kjo me të vërtetë ishte rreth korrupsionit, atëherë princi Alwaleed është sauditi i fundit që duhej ndjekur.

Intervenimi saudit në Jemen

Nëse luftimi i terrorizmit ishte shqetësimi primar, atëherë nuk do të turpërohej Mohammed bin Nayef, i cili ishte princ i kurorës derisa u zëvendësua nga Mohammed bin Salman, në qershor dhe llogaritë bankare të të cilit tani janë ngrirë. Gjatë dekadës së kaluar, Mohammed bin Nayef ka punuar ngushtë me Uashingtonin në luftën kundër Al Kaidës dhe grupeve të ngjashme terroriste dhe ishte lavdëruar vazhdimisht nga zyrtarët amerikanë. Por, në vend që të fliste rreth aleatit të tij të vjetër, Trump në fakt mbështeti spastrimet, të cilat deri tani janë bërë pa ndonjë akuzë të veçantë, apo proces të vërtetë gjyqësor. Arabia Saudite historikisht ka qëndruar mbi tri shtylla të stabilitetit. Aty është familja mbretërore, një grup i madh, i gjerë, me 15,000 deri 30,000 anëtarë, e cila ishte e angazhuar me shtyllën e dytë të shoqërisë saudite, fiset. Këto dyja më pas ishin të lidhura me shtyllën përfundimtare, establishmentin ultra ortodoks religjioz të vendit, fuqia e të cilit është rritur gjatë katër dekadave të fundit. Mohammed bin Salman ka thënë gjërat e duhura rreth moderimit religjioz dhe ka ndërmarrë veprime ndaj të tri shtyllave. Duke vepruar kështu, ai është duke e ndryshuar vet strukturën e regjimit saudit, nga një shtet i patronazhit, i mbështetur te konsensusi, te një shtet policor, të bazuar te kontrolli qendror. Koha do të tregojë se a do të funksionojë një gjë e tillë. Por, një enigmë më të madhe paraqet fakti se, derisa ndjek këtë agjendë të vendosur dhe të rrezikshme brenda, princi i kurorës ka bërë disa veprime agresive jashtë shtetit. Ai ka eskaluar intervenimin saudit në Jemen, duke bombarduar nga ajri dhe duke ndërmarrë bllokada tokësore, ajrore dhe detare. Ai ka tentuar që ta izolonte Katarin, duke tentuar që ta shndërronte atë në një shtet të nënshtruar, satelit. Ai duket ta ketë detyruar kryeministrin libanez që të japë dorëheqje, duke shpresuar se kështu do ta destabilizojë qeverinë të dominuar nga shiitët. Të gjitha këto janë pjesë e një përpjekjeje për ta luftuar rritjen e ndikimit gjithnjë më të madh të Iranit në regjion. 

Tensionet po rriten

Sauditët janë duke tentuar që ta largojnë grupin shiit Hezbollah (të mbështetur nga Irani) nga pushteti në Liban dhe ta ndëshkojnë Katarin për shkak gjoja të lidhjeve me këtë grup. Por, për disa vjet, sauditët dhe amerikanët kanë pasur një aleancë në heshtje me Hezbollahun, kundër ISIS, i cili është mposhtur kryesisht nga forcat kurde, të mbështetura nga amerikanët dhe nga milicitë shiite, të mbështetura nga Irani. Ndikimi i Iranit ka qenë i dëmshëm në disa zona dhe i dobishëm në disa të tjera. Sido që të jetë, strategjia saudite nuk duket se është duke bërë punë. Lufta në Jemen është shndërruar në katastrofë, duke krijuar një shtet të dështuar në kufirin me Arabinë Saudite, armiqësor ndaj Riadit. Katari nuk është dorëzuar dhe nuk ka të ngjarë që ta bëjë një gjë të tillë së shpejti. Deri më tani, shiitët në Liban kanë vepruar me përgjegjësi, duke refuzuar që ta kafshonin karremin dhe ta zhysnin vendin në luftë civile. Por, kudo tjetër në Lindjen e Mesme, tensionet janë duke u rritur, sektarizmi është duke u forcuar dhe, mjaftojnë pak veprime të gabueshme që situata të dalë jashtë kontrollit. Derisa Trump mbështet me aq vendosmëri strategjinë saudite, SHBA-ja mund ta gjejë veten të zhytur edhe më shumë në kënetën gjithnjë e më të thellë të Lindjes së Mesme. 

(Kosova Sot)