Flamuri Kombëtar, origjina dhe lashtësia

Flamuri Kombëtar, origjina dhe lashtësia
  • 24 November 2017 - 08:21

SHKRUAN: MEXHIT DEMIRI

Çdo komb e shtet ka flamurin e vet. Ai është simboli kryesor i çdo vendi. Flamuri e stemat kanë funksione identifikuese. Flamuri ynë kombëtar simbolizon kombin e atdheun dhe radhitet nga më të vjetrit që vazhdon të praktikohet. Siç e thekson edhe Konica, ky flamur është nga më të drejtët, sepse asnjëherë nuk priu në mësymje të shqiptarëve kundër vendeve te tjera. Dy elementët kryesore të flamurit tonë kombë- tar që nuk kanë ndryshuar gjatë shekujve, janë: fusha e kuqe dhe shqiponja e zezë dykrenore. Këto dy elemente të flamurit na i jep për herë të parë humanisti shqiptar, historiani e bashkëkohësi i Skënderbeut, Marin Barleti, në veprën "Historia e Skënderbeut", ku thotë se Heroi shkonte në luftë "me flamur të kuq dhe shqiponja të zeza dykrenore". Fusha e kuqe simbolizon luftërat për liri që nga koha e ilirëve, paraardhësve tanë. Stema e shqiponjës dykrenore është shprehje e trojeve ku kanë jetuar të parët tanë, ilirët, brez pas brezi dhe jetojnë shqiptarët, nga më të lashtët e Kontinentit Evropian. Nëse për fushën e kuqe të flamurit nuk ka pasur diskutime, për origjinën e shqiponjës dykrenore është diskutuar gjatë dhe vazhdon të diskutohet nga historianë e studiues. Janë hedhur teza të ndryshme, deri dhe tek ndonjë hamendësim, që e nxjerr shqiponjën dykrenore me origjine "Bizantine". Por argumentet me të pa kontestueshme, të mbështetura në të dhënat historike, që përputhen me ato arkeologjike, një pretendim të këtillë e hedhim poshtë lehtësisht. Është dokumentuar që shqiponja dykrenore në formë grafike e ka zanafillën tek paraardhësit tanë, ilirët, që nga shekulli i VI-të, p.e.r, fakt, i cili dëshmon, që kjo formë grafike e shqiponjës dykrenore nuk është huazuar nga popujt e tjerë, pas kësaj kohe.

Shqiponja dykrenore përfaqësonte fuqinë diellore d he kryehyjninë (Zeusin) në botën tokësore

Kur flasim për shqiponjën dykrenore në Ballkan, janë iliro-arbërit që e kishin dhe si rrjedhojë ata ua dhanë të tjerëve. Perandorët bizantin e përvetësuan nga Arbërit dhe e fiksuan në stemë në fillim të shek. XIII. Në këtë kohë te shqiptarët e kemi tek Dera e Gropajve (shek XII), kurse për Derën e Kastriotëve, dihet se e kishin paraardhësit e Skënderbeut para shek XV. Aranitët e kanë zanafillën e dokumentuar që nga shek i XI. Bizanti nuk e krijoi as në art, në religjion as në simbolikë, shqiponjën. Ky qytetërim e gjeti në pasurinë e popullit, e trashëgoi dhe e la trashëgim duke i marrë dhe diçka nga shkëlqimi i saj sepse e përdori si simbol të pushtetit tokësor, ndryshe nga iliro-arbërit që e përdornin si simbol kulti. Për të ndriçuar origjinën e lashtësisë së shqiponjës dykrenore studiuesit, më në zë të heraldikës, ndër ta historiani Jaho Brahaj, janë mbështetur, veç të dhënave historike-arkiologjike edhe tek mjetet e brendshme të pasurisë shpirtërore e materiale të paraardhësve tanë (te parailirët dhe ilirët) duke sjellë një risi të re në hulumtimet e tyre. Që në kohët e lashta banorët Pellazgë (protoilirët) kanë besuar në fuqitë e mbinatyrshme duke menduar se ato i paraprinin fatit të tyre. Ata besonin se nga hyjnitë varej lindja dhe vdekja, sëmundjet dhe shëndeti, moti i thatë që sjell urinë dhe moti i mirë shiun, që sjell begatinë. Kjo solli që besimi të jetë i drejtuar tek objektet e natyrës e fenomenet e saj që me hyjnizimin e tyre besonin se mbroheshin dhe luteshin para tyre, që të kishin fat e mbarësi. Në lashtësi, Dielli ishte objekt kulti. Shqiponja dykrenore përfaqësonte fuqinë diellore dhe kryehyjninë (Zeusin) në botën tokësore dhe në atë të përjetëshmen. Dielli, sipas besimeve të lashta, lëvizte në kupën qiellore e drejtuar nga shqiponja ose "Nëna e Madhe e Dritës", në drejtim të lindjes, nga kishte të drejtuar njërën kokë (ndriçonte botën tokë- sore gjatë ditës) dhe në perëndim për ku e përcillte diellin, nga ku e kishte drejtuar tjetrën kokë (ndriçonte botën e përtejme gjatë natës). Njerëzit e lashtë nuk e kishin idenë e rrumbullakësisë së tokës. Në idenë e paraardhësve tanë u krijua përfytyrimi, "simbol i shpendit të dyzuar" që simbolizonte diellin në dy pozicionet e tij. Shqiponja e dyzuar që tërhiqte diellin në dy drejtimet e tij, lindje e perëndim (duke krijuar ditën e natën, dritën dhe errësirën), është paraqitur skematikisht si një shpend me dy kokë. Sipas përfytyrimeve të moçme mitologjike, dhe të besimit të ilirëve, shqiponja me dy kokë, është simbol i lumturisë tokësore dhe i dritës, por dhe i furtunave, mbasi në flatrat e saj, mbante bërthamën e zjarrit e të dritës, rrufenë.

Bashkimi i dy principatave

Shqiponja e flamurit e ka zanafillën pikërisht tek besimet e motshme të popullit tonë që këtë shpend të fuqishëm e hyjnizonte. Që në kohët e lashta, shqiptarët e kanë paraqitur shqiponjën në objekte kulti dhe në artin popullor përpara se ta vendosnin në stemat e tyre. Shqiponjën me dy krerë e gjejmë në tempullin pellazg të Dodonës dhe në mburojën e luftëtarit ilir të shek VI-të p.e.r e zbuluar në trevën e fisit ilirë të Japodëve dhe në monumente të tjera kulti e në zbukurimet me veshje tradicionale Ilire. Në inventarin e varseve e të togzave, janë dëshmuar objekte kulti me motive shpendi me dy kokë që datohen në shek. e V-të p.e.r zbuluar e botuar nga historiani e studiuesi Dilaver Kurti, në tumat e Matit, trevë e Pirusve te lashte. Shqiponja dykrenore e zbuluar në kryeqendrën e Ilirisë në Mat, në Tempullin e Dodonës dhe në trevën e fisit ilir të Japodëve, përjashtojnë çdo ndikim të kulturës bizantine siç mund të hamendësojë ndokush. Shqiponja në lashtësi ka zbukuruar "monedhat e ilirisë, si monedhat e Lidhjes Epiriote, Bylisit, të Orikut e të Apolonisë". Në këto monedha të Ilirisë, paraqitur në nuzmatikë, perëndia më e adhuruar është shqiponja (Zeusi), pas këtij vjen Zana (Artemisi) dhe Kaprolli (dreri). Perandori ilir i Romës Kostandini për herë të parë kishte simbol të tij shqiponjën dykrenore. Po këtë simbol pati edhe mbretëria shqiptare nën sundimin Anxhuin. Në mesjetë shqiponja dykrenore është simbol heraldik i disa familjeve fisnike shqiptare. Që me fillimin e shek. XII-të e njohim si simbol heraldik tek Principata e Arbërit, tek Dukagjinët. Po në këtë shekull, shqiponja dykrenore është emblemë heraldike e disa fisnikëve të Muzakajve, Kastriotëve, Aranitëve, Topijave, Balshajve e të Gropajve. Atë e kemi edhe në Loshnicë të Kosovës. Kaq shumë është praktikuar e paraqitur shqiponja te arbërit në flamuj dhe emblema të ndryshme, saqë ky simbol, sipas disa studiuesve të Mesjetës, përcaktoi dhe emrin shqiptar. Në këtë periudhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu praktikonte në vulën e tij shtetërore, krahas shqiponjës dykrenore edhe yllin gjashtëcepësh në krye të saj e praktikuar edhe nga Balshajt e Muzakajt, që mendohet se simbolizonte bashkimin e dy prej principatave, atë të Balshajve në veri dhe të Muzakëve në jug të vendit, me Derën Princërore të Kastriotëve.

Shqiponja në lashtësi ishte simbol i shpirtbardhësisë

Autenticiteti i shqiponjës dykrenore dëshmohet edhe në dokumente arkivore. Në një prej tyre shkruhet: "Arbërit në nderim të zotit, morën si emblemë e shenjë të tyre kombëtare shqipen dhe e vunë në flamur të tyre… këtë shenjë princesha Olimbia e Toskërisë e shpuri në Maqedoni, pastaj me anë të Lekës së Madh u përhap në të gjithë botën e njohur, të motshme. Leka i madh e çoi këtë shenjë në Itali, nga e morën romakët e vjetër dhe prej këtyre e morën bizantinët dhe kombet e rinj që e kanë sot..". Shqiptarët mbretin e tyre Pirron e quajtën "Shqype". Ky u tha: "në jam unë shqypja, ju jini zogjt e shqypes". Shqiponja në lashtësi, ishte simbol i shpirtbardhësisë dhe i plotfuqishmërisë qiellore, në tokë. Shqiponja dykrenore me në krye yllin gjashtëcepësh përbën stemën e flamurit të Skënderbeut. Prof. Kristo Frashëri vëren, nga të dhënat dokumentare, të padiskutueshme, "Stema e flamurit të Skënderbeut kishte një shqiponjë dykrenore me ne krye një yll gjashtëcepësh" që dëshmohet në dy letrat e heroit, të viteve 50' të atij shekulli. Kjo tregohet edhe nga të dhënat arkeologjike. Në monumentin e ngritur me 1500 nga Donika Kastrioti, në Napoli (Itali) ku prehet nipi i Skënderbeut, Konstadin Kastrioti, gjendet pllaka ku është gdhendur shqiponja dykrenore me në krye yllin, simbolikë që e përdorte Skënderbeu në vulën shtetërore në dhjetëvjeçarët e fundit të jetës së tij. Këtu mund të lindi një pyetje. Mirë që shqiponja dykrenore është dokumentuar tashmë nga të dhënat arkeologjike me origjinë në truallin iliro-arbëror, po për yllin gjashtëcepësh ç'mund të thuhet?. Nga të dhënat, mendohet se dhe ylli gjashtëcepësh rrjedh nga trualli arbëror dhe nuk është i huazuar. Ai është simbol i traditës dhe i pasurisë shpirtërore të paraardhësve tanë, Ilirë. Në një pllakë bronzi, me paraqitje kulti, zbuluar në rrethinat e Shkodrës, Gostil, që i përket shek VI-të p.e.r, në qendër të pllakës konturohet "Dielli" me dy krahë dhe "yllëtha" gjashtëcepësh anash, ku tufa e rrezeve të diellit kufizohet me dy shqiponja përballë njëra tjetrës që tregon se dhe ylli gjashtë- cepësh ashtu si shqiponja, rrjedh në truallin iliro-arbëror që në periudhat e hershme historike. Nga dy elementet e stemës së Flamurit të Skënderbeut (shqiponja dhe ylli gjashtëcepësh) shqiponja është parësore, përcaktuese, po dhe ylli është një simbol i qenësishëm. Nëse shqiponja dykrenore për iliro- shqiptarët ishte shenjë e tyre e motshme që në traditën popullore besohej se të jepte forcë, guxim e lavdi, (paske vështrimin si shqiponjë, fluturon si shqipe), ylli në krye të shqiponjës ka qenë simbol bashkimi i fiseve dhe i principatave epiriote-arbërore dhe në traditën popullore besohej së të sillte fatbardhësi e mbarësi që e gjejmë në shprehjet" paska lindur me yll në ballë", "qënkërka porsi ylli i mëngjesit". Flamuri i Skënderbeut, siç dëshmohet, kishte fushë të kuqe dhe shqiponje dykrenore në mes të saj. Marin Barleti thotë: " krerët e fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Mati prej një dere fisnike dhe kanë sunduar në Epir me lavdi e fatbardhësi.. se shqiponja dykrenore ka qenë simbol i hershëm pushteti i familjes së Kastriotëve.. se ky princ shumë i fuqishëm përdorte një shqype dykrenore mbi një fushë të kuqe..".

Asnjë flamur nacional në Evropë nuk ka vazhdimësi në pesë shekuj

Ky është flamuri i Gjergj Kastrioti Skënderbeut që trashëgohet brez pas brezi. Historia e këtij flamuri fillon me 28 nëntor 1443, kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu e ngriti atë mbi kështjellën e Krujës. Ai flamur që u ngrit nga dora e Skënderbeut në Krujë, u shpalos tre muaj me vonë në Lezhë më 2 mars 1444, ditën e mbledhjes së Princave shqiptarë, të cilët formuan Besëlidhjen, Lidhjen e Lezhës, një nga aktet më të mëdha të historisë sonë kombëtare që shënon formimin e kombit tonë. Në Kuvendin e Lezhës, ku zuri fill Besëlidhja kombëtare, princat kryesor, thuajse nga të gjithë trevat arbërore, pa dallim feje, si katolik latin dhe ortodoks, (që tregon se shteti shqiptar mesjetar ishte një bashkim politiko-etnik e jo mbi baza fetare), njohën e zgjodhën Skënderbeun prijës dhe u rreshtuan që të gjithë pas flamurit të tij, në paq e në luftë, pavarësisht se çdonjëri prej atyre kishte flamurin e vet. Flamuri i Skënderbeut u bë simbol i unitetit kombëtar. Me këtë flamur Skënderbeu priu shqiptarëve në beteja për 25 vjet me radhë duke thyer sulmet e njëpasnjëshme të Perandorisë Osmane, më e madhja Perandori e asaj kohe. Edhe pas pushtimit të gjatë osman Flamuri i Skënderbeut u priu shqiptarëve në betejat legjendare dhe nuk u përul asnjëherë. Këtë e dëshmojnë disa dokumente të kohës. Ne trevën e Matit, në vitet 1702-1703, dokumentohet nga arkivat osmane, ruajtja dhe praktikimi i flamurit kombëtar. Kryengritësit e këtyre viteve të katundeve Bushkash, Bazë e Gërman, thuhet se mbanin në duar flamurin e tyre. Ngjarjet e këtyre viteve ku përmenden banorët dhe udhëheqësit me flamur që lëviznin nëpër fshatra, nuk janë të shkëputura. Në gunën e veshjes tradicionale të Matit ruhet shqiponja dykrenore. Në këtë truall, në Dukagjin të Matit ku është organizuar Kuvendi i vitit 1601-1602, dihet se ato e njihnin flamurin e Skënderbeut, mbasi në vulën me të cilën u vërtetuan vendimet e këtij kuvendi, është simboli me shqiponjën dykrenore. Edhe Mirdita fqinjë, Kruaja e Dibra ashtu si edhe krahinat e tjera kanë ruajtur gjatë shekujve të robërisë Flamurin Kombëtar shqiptar. Në shekujt e okupimeve të huaja, shqiptarët e ruajtën simbolin e tyre si në atdheun e vet ashtu edhe në mërgim, në Itali e në vende të tjera. Asnjë flamur nacional në Evropë nuk ka vazhdimësi në pesë shekuj. Flamuri Kombëtar Shqiptar renditet si më i vjetri në kontinent. Himarjotët gjatë pushtimit osman ruanin të drejtën e lundrimit në detrat e perandorisë me flamurin e tyre kombëtar. Karamahmut Bushati, në pranverën e vitit 1786, ngriti flamurin në një kuvend me krerët e veriut në Podgoricë. Në Epokën e Rilindjes sonë Kombëtare, bashkë me ringjalljen e vlerave tona të Epokës së Skënderbeut, rilindi edhe Flamuri ynë Kombëtar, të cilin e ngritën lart në vitet e stuhishme, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, çetat, kryengritjet popullore dhe kuvendet patriotike. Në dokumentet thuhet se më1889 shpaloset në Bruksel flamuri ynë kombëtar si ai që pati Heroi ynë. Me 1907 ai festohet ne udhët e Bostonit (Amerikë) dhe me 1908 me ndihmën e patriotit Dervish Hima, hyri në Shqipëri. Është ky flamur që valoi në ndeshjet e betejave, në mashkullor e Kaçanik, në Deçan e Tuz, ne kuvendet luftarake të Ferizajt, Greçes e Junikut, të Sinjës e Cepës qe i hapën rrugën Kuvendit të Madh të Kombit në Vlorë më, 28 nëntor 1912, Kuvend që shpalli lirinë e pavarësinë e mbarë trojeve shqiptare që përfshiheshin në katër vilajetet e Perandorisë Osmane dhe afirmoi edhe një herë njësinë e këtij kombi, të drejtën e tij për të jetuar i bashkuar në trojet e veta historike. Është ky flamur që u priu luftëtarëve të lirisë dhe u ngrit lart në luftërat e fundshekullit XXtë, në Kosovën martire, nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që çoi në çlirimin e pavarësinë e Kosovës dhe u prinë shqiptarëve kudo që janë, në Preshevë e Bujanovsk për t'u çliruar nga shovinistët serb dhe në trevat e tjera shqiptare, në Maqedoni e Çamëri për lirinë e të drejtat qytetare që shqiptarët të jenë një komb i bashkuar në trevat e veta historike.

NDRYSHIMET NË STEMËN E FLAMURIT TË SKËNDERBEUT

Gjatë periudhave të ndryshme janë dukur disa ndryshime të pjesshme në stemën e Flamurit të Skënderbeut duke i hequr ose shtuar ndonjë simbol të ri, por pa prekur dy simbolet thelbë- sore: fushën e kuqe dhe trajtën e shqiponjës dykrenore me krahë të shtrirë në mes të flamurit (Flamuri Kombëtar i sotëm). Gjatë luftës së parë botërore që i kushtoi njerëzimit miliona viktima dhe liria e pavarësia e popullit shqiptar ishin në rrezik të zhdukeshin, si dhe pas saj, Konferenca e Paqes në Paris, kërcënonte qenien e popullit shqiptar si komb i lirë dhe i pavarur, forcat përparimtare atdhetare e demokratike shqiptare, bënë një stilizim të rëndësishëm. Ata vunë mbi shqiponjën yllin pesëcepësh, simbol i lirisë dhe i trashëgimisë historike ashtu si ylli gjashtë- cepësh. Në një dokument të Arkivit të Shtetit, thuhet:" mbasi Shqipërinë e shkelën shumë popuj të egër, Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, duke dashur që t'ju kujtojë shqiptarëve kohërat e shkuara të madhërisë së tyre e deklaroi zyrtarisht shenjën e motshme shqiponjën duke shtuar edhe yllin me pesë- cepësh të fëmijës së tij". E njëjta dëshmi jepet edhe në dokumentacionin e Urdhrit Jezuit, të këtij institucioni. Atdhetarët përparimtarë shqiptarë me yllin pesëcepësh dëshironin të tregonin, mesa duket, që njerëzimin ta frymëzonte paqja, liria e demokracia, prosperiteti e bashkëpunimi, dhe jo grindjet e përçarjet, luftërat, gjakderdhjet. Ata dëshironin gjithashtu që popujt dhe shtetet e tyre, të mëdhenj e te vegjël, të respektonin popullin shqiptar, të drejtat e tij kombëtare, për liri e pavarësi. Të drejtën për të vendosur vetë mbi fatin e vet. Flamuri me yllin mbi krye të shqiponjës u bë në këtë periudhë kushtrim lirie në mbarë trojet shqiptare. Fakti që shoqata kulturore "Skënderbeu" me qendër në Pejë të Kosovës mbante që më 1916 Flamurin Kombëtar me yllin pesë- cepësh dhe në Kongresin e Lushnjës (janar 1920), por dhe më parë, Flamuri Kombëtar mbante yllin pesëcepësh mbi krye të shqiponjës dykrenore, identike me atë të shoqërisë së "Skënderbeut" tregon jo vetëm për lidhjet e bashkëveprimin e atdhetarëve shqiptar, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, por dhe për atë që ata tashmë ishin bërë të njohur me hershmërinë e emblemës së flamurit tonë kombëtar, me shqiponjën dhe yllin gjashtë e pesëcepësh mbi krerët e saj. Në periudhën e mbretërisë së Zogut flamurit i bëhet një ndryshim tjetër. Mbi kokën e shqiponjës vihet përkrenarja e Skënderbeut e trashëguar që nga Pirrua i Madh. Në kohën e pushtimit fashist të vendit, flamurit tonë iu ngjitën anash sëpatat e Liktorit (shenjë e mbretërisë së Viktor Emanuelit të Italisë). Gjatë periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare, në Konferencën e Pezës që u mbajt më ,16 shtator 1942 u vendos përsëri ylli pesëcepësh në Flamurin Kombëtar që partizanët e mbanin atë në kapat e tyre. Partizanët shqiptar, që bënë sakrifica të panumërta për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë nuk e huazuan atë nga "të tjerët", por e trashëguan, ndoshta pa e ditur këtë, nga forcat përparimtare atdhetare të popullit tonë. Pas çlirimit nga viti 1944 e deri më 1992 Flamuri Kombëtar kishte në mes një yll pesëcepësh të qëndisur me fije ari, mbi krerët e shqiponjës. Pas vitit "92" flamurit iu hoq ylli si " Simbol i Komunizmit". Për origjinën shqiptare të yllit, Sami Frashëri, ideologu i Rilindjes Kombëtare, shkruan: "edhe në monedhat e Shqipërisë do të ketë një shqipe me një yll mbi ballë ", të cilin, Sami Frashëri e quante "shenjën"" e motshme të Shqipërisë. Simbolet e çdo lloj, veçanërisht simbolet e flamurit tonë kombëtar, shqipja dykrenore me një yll mbi krye, përkrenarja e Heroit, janë krenaria e kombit tonë, të krijuara gjatë luftërave e përpjekjeve shekullore nga mençuria, kultura, guximi e trimëria e popullit tonë. Ata i përkasin mbarë kombit, janë trashëgimia më e vyer dhe më e ndritur e tij. Kombi Shqiptar kremton më 28 nëntor 105- vjetorin e Pavarësisë dhe të ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar nga diplomati dhe dijetari i shquar Ismail Qemali. Le të mbetet kjo ditë e madhe historike, dita më e gëzueshme e bashkimit mbarë kombëtar bën Flamurin kuqezi kryesimbol i kombit shqiptar.

(Kosova Sot)