Rreziqet nga një Evropë post-gjermane

Rreziqet nga një Evropë post-gjermane
  • 24 November 2017 - 10:15

Shkruan: ANA PALACIO

Çfarëdo qeverie që mund të krijohet në Gjermani pas dështimit të bisedimeve për ta formuar një koalicion të ri, ndoshta nuk do të jetë në një pozitë të fortë për ta çuar përpara reformën institucionale, shumë të nevojshme të BE-së. Rreziku është se BE-ja do të mbetet në një pozitë të ngjashme, një rezultat që blloku nuk mund ta përballojë. Gjatë dy shekujve të fundit, "çështja gjermane" - si të përmbahet një Gjermani, dominimi i të cilës mbështetet te madhësia e saj komanduese, kapaciteti i lartë prodhues dhe pozita gjeografike në zemër të Evropës - ka shkaktuar shumë shqetësime dhe jo pak luftë. Tani, me dështimin e negociatave për ta formuar një koalicion të ri qeveritar, çështja është rikthyer përsëri. Liderët evropianë shqetësohen se Gjermania është duke u bërë e paaftë që ta marrë përsipër një rol të mjaftueshëm udhëheqës, si dhe për ta mbrojtur Evropën në një botë të globalizuar. Që nga Lufta e Dytë Botërore, zgjidhja e çështjes origjinale gjermane ka nënkuptuar futjen e vendit në institucionet evropiane. Nga Traktati i Romës, i cili krijoi Komunitetin Ekonomik Evropian, e deri te Traktati i Mastrihtit, i cili krijoi Bashkimin Evropian dhe eurozonën, Gjermania ka shërbyer si gjysma e boshtit kritik francez-gjerman, i cili qëndron në thelbin e projektit evropian. Deri në fillim të viteve 2000, Gjermania kishte kapërcyer sfidat e ribashkimit dhe ishte në gjendje ta ushtronte një ndikim më të madh në Evropë. Megjithatë, Franca nuk ishte aq e sigurt në lidhje me integrimin e mëtejshëm, gjë që u reflektua në votimin e saj të vitit 2005 kundër kushtetutës evropiane të propozuar. Me këtë, filloi epoka e mbizotërimit gjerman.

Zhgënjimi në Evropën Jugore

Ishte Gjermania që e shtyu "zgjerimin e pestë" të BEsë - pranimin e njëkohshëm të dhjetë vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilat pushtuan Evropën nga viti 2004 deri në vitin 2008. Por, ishte kriza financiare globale ajo që e forcoi vërtet pozicionin e Gjermanisë si lidere të Evropës. Ishte më se e qartë që ishte kancelarja gjermane ajo që merrte vendimet. Në vitet në vijim, derisa Gjermania u bë gjithnjë e më dominuese, roli udhëheqës francez vazhdoi të zbehej. Fuqitë e tjera me ndikim në Evropë janë tërhequr gjithashtu nga kontinenti: nuk ishte vetëm Britania ajo që votoi për t'u larguar plotësisht nga BE-ja. SHBA-ja, e cila për një kohë të gjatë kishte mbështetur të ashtuquajturën 'Pax Amerikana', tepër të rëndësishme për Evropën, gjithashtu e largoi vëmendjen nga rajoni. Rezultati i qartë ishte që qendra e Evropës u zhvendos në Berlin. Ndërkohë, krizat janë përhapur, me Gjermaninë që ka një rol udhëheqës. Përveç krizës financiare, Evropa është përballur me një krizë të rëndë emigrimi dhe një krizë sigurie, të rrënjosur në revanshizmin rus. Por roli udhëheqës i Merkelit nuk është përkrahur gjithmonë, sidomos në kontekstin e krizës së emigracionit. Përkundrazi, ai ka shkaktuar një zhgënjim në Evropën jugore të sfiduar ekonomikisht, në Evropën Lindore të ndjeshme gjeografikisht, por edhe vet në Gjermani. Ky trend i fundit ka komplikuar rolin e Gjermanisë në Evropë. Gjatë 18 muajve të fundit, roli udhëheqës i Gjermanisë ka qenë gjithnjë e më shumë i orientuar brenda vendit, kryesisht për shkak të zgjedhjeve federale në shtator. Si rezultat i kësaj, çështjet kryesore për të ardhmen e BE-së, sikur negociatat e Brexitit, politikat e emigracionit, bashkëpunimi i mbrojtjes, krijimin e një bashkimi bankar dhe reformën e institucioneve evropiane, u lanë në pritje. Ideja ishte që pasi Merkel të siguronte mandatin e saj të katërt, ajo më në fund mund të përveshte mëngët dhe të nxiste reformat institucionale që i nevojiten aq shumë BE-së. Por, dy muaj pas zgjedhjeve, Evropa ende është duke pritur.

Bisedimet e koalicionit kanë rënë

Ndërkohë që Merkel e siguroi një mandat të katërt, ajo nuk qe aq e fortë sa pritej. Kështu që Bashkimi Kristian Demokrat dhe partia e saj simotër, Bashkimi Social Kristian Bavarez, u detyruan të zhvillonin bisedime të zgjatura koalicioni me Demokratët e Lirë dhe të Gjelbrit, ku secili nga ta kishte sjellë në tryezë një agjendë dhe vizion ndryshe të Evropës. Edhe në rastin më të mirë, koalicioni i dyshuar dukej i gatshëm të mbante qasjen e ngushtë dhe të sigurt që ka mbizotëruar për pothuajse dy vjet. Por gjërat janë më keq se kaq. Bisedimet e koalicionit kanë rënë, duke e ngrirë Gjermaninë dhe Evropën për një periudhë të gjatë pasigurie. Në mungesë të një emergjence të vërtetë që do të nxisë masa gjermane, BE-ja përballet me një perspektivë shumë reale për të mbetur në një model qëndrues - një rezultat që blloku zor se mund ta përballojë pa probleme. Për të qenë të sigurt, zgjedhja e papritur e Emmanuel Macronit në postin e presidentit të Francës, ka rritur shpresën se një bosh i rilindur francez-gjerman mund të mbushë projektin e panjohur evropian me vrullin shumë të nevojshëm. Por, ndërsa Macron thotë të gjitha gjërat e duhura dhe ka vizion, Franca nuk mund të paraqesë një vizion të guximshëm për Evropën, sidomos ndërsa ajo ndjek gjithashtu reformat vitale në vend. Gjermania mbetet partnerja evropiane sine qua non. BE-ja s'është asgjë pa Gjermaninë. Kjo është arsyeja pse Evropa nuk mund të përballojë që thjesht të presë, me shpresën se Gjermania papritur do të vendosë ta rimarrë rolin udhëheqës. Në vend të kësaj, ajo duhet të merret me çështjen gjermane, njësoj siç bëri pas Luftës së Dytë Botërore, duke punuar në mënyrë aktive për ta ridrejtuar vendin në projektin evropian. Megjithatë, ndërkohë, BE-ja duhet të bëjë ndryshime edhe më thelbësore. Derisa të jetë gati një qeveri e re gjermane, BE-ja do të jetë duke u përgatitur për zgjedhjet e Parlamentit Evropian që do të mbahen në vitin 2019 dhe përzgjedhjen e një Komisioni të ri Evropian. Kjo do ta detyrojë atë ta marrë një vendim të vështirë. Në rast se BE-ja nuk ndryshon qasjen e saj, ajo do të jetë e destinuar thjesht të mbajë frymën e saj nga një palë e zgjedhjeve deri te pala tjetër. Një fushatë e vazhdueshme nuk është mënyra e duhur për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë.

(Ana Palacio, ish -ministre e Jashtme e Spanjës, është pjesëtare e Këshillit spanjoll të shtetit)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)