Deklarata shokuese e një imami

Deklarata shokuese e një imami
  • 01 December 2017 - 07:56

SHKRUAN: GANI QARRI

Në ditë feste, si ajo e 105-vjetorit të Pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit Kombëtar, siç jemi mësuar tanimë nga përvoja, natyrisht nuk do të duhej të mungonte edhe një urim i veçantë dhe i ndërsjellë, sado i shkurtër dhe modest qoftë ai, nga secili që e ndien veten shqiptar. Por, megjithëse u festua dhe gëzua në të gjitha anët dhe trojet tona kombëtare, që nga Kulla e Isa Buletinit në Mitrovicë e deri në Vlorën e Ismail Qemalit, si dhe kudo flitet e jetohet shqip, deri në Amerikë, Australi e Zelandë të Re, ajo që shokoi të gjithë shqiptarët, në këtë ditë të shënuar kombëtare ishte deklarata e një imami, i cili tha se Festa e Pavarësisë është "haram"!? Fatkeqësisht, ky nuk është imami i vetëm i cili shkon aq larg sa u kundërvihet në mënyrë kaq agresive gëzimeve kryesore të popullit shqiptar, por janë edhe qindra e ndoshta mijëra imamë të tjerë, që megjithëse paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, bojkotojnë festat e tyre dhe quajnë haram festën e Pavarësisë, atë të çlirimit të vendit dhe të gjitha evenimentet e tjera kombëtare me rëndësi jetike për popullin tonë të shumëvuajtur. Kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava, jo fort moti, pati urdhëruar të gjithë hoxhallarët që më 6 korrik të vitit 2012, në secilën xhami, nga rreth 1000 sosh sa janë bërë tanimë në Kosovë, me parat e dyshimta arabe të mbanin një "Hytbe" apo ligjëratë në namazin e së premtes, ku duhej të flisnin për vlerën e tokave të "shamit" në Siri dhe Irak, kohë kur nga hoxhallarët në vend u intensifikua dërgimi i qindra të rinjve shqiptarë, për të luftuar në kuadër të grupeve terroriste të ISIS-it dhe Al Nusra. Kryetari i BIK-ut, siç u tha, organizoi "Hytbe" vetëm për rëndësinë e tokave të "shamit" dhe shtetet e huaja arabe me të cilat nuk na lidh "bash" hiq asgjë, por asnjëherë nuk mori mundimin ai vetë, as porosit imamët e tjerë, të thonë qoftë edhe një fjalë të vetme për rëndësinë e aktit të Pavarësisë Kombëtare të shqiptarëve, prej nga besohet se e kanë origjinën edhe familjet e tyre, nëse ata për vete duan ta mohojnë përkatësinë nacionale.

Imamët vahabisto-salafistë me pozicionime antishqiptare

Për aq më tepër, le që kurrë nuk marrin pjesë në festimet e popullit që i takojnë, nuk urojnë shqiptarët dhe nuk lejojnë as hoxhallarët e predikimit tradicional, që të bëhen pjesë e evenimenteve kombëtare, sikur të mos ishin edhe vetë shqiptarë, por imamët vahabisto-salafistë me pozicionime antishqiptare dhe elementët më radikalë që nga paslufta e këtej kanë ngulitur thellë bedenet beduino-salafiste, në Kosovë dhe Shqipëri. Kështu që nga ato pozicione, elementët e islamit ekstremist, jo vetëm se përzihen fort e pareshtur në rrjedhën e jetës së shqiptarëve në FYROM, por pengojnë me këmbëngulje praktikimin e besimit tradicional të shqiptarëve, edhe në Kosovë e Shqipëri dhe tokat tona, sot të lira. Ndaj nuk është vetëm Armand Ali imami që aktualisht nxit polemika kaq të ashpra me deklaratat e tij, kundër Festës së Pavarësisë Kombëtare, por ishte edhe hoxhë Jakup Asipi, i cili para disa vitesh ofendonte hapur dhe e quante simbol të të "pafeve" edhe flamurin kuqezi, me të cilin krenohet i gjithë kombi shqiptar. Imami Irfan Salihu shante hapur femrën dhe nënën shqiptare dhe vazhdon të thotë se ata që respektojnë Nënë Terezën pas vdekjes duhet të lihen të pavarrosur. Kurse Mazllam Mazllami fyen e nënvlerëson heronjtë më të shquar të kombit tonë, që nga Skënderbeu e deri te Adem Jashari, duke deklaruar hapur kinse ata nuk qenkan heronjtë tanë të njëmendët, as nuk u dashka të përulemi para sakrificës së tyre, qoftë ai edhe Adem Jashari. Për disa muaj rresht, imami Zekerija Qazimi organizoi dhe udhëhoqi edhe një kamp trajnimi, në brigjet piktoreske të fshatit Debellde, ku pa asnjë pengesë trajnoi të rinjtë shqiptarë për dërgimin e tyre, pa dijen e familjeve dhe të afërmve të vet, që të luftonin në Siri dhe Irak. Bazuar në informata të sigurta të inteligjencës vendore, njoftimet nga institucionet e sigurisë ndërkombëtare dhe Raportin e Departamentit të Shtetit Amerikan, imamët ekstremistë jo vetëm se nuk i ndalën asnjëherë përpjekjet për dërgimin e të rinjve tanë në luftërat e huaja, por promovuan pareshtur edhe nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe prishjen e bashkëjetesës së besimeve të ndryshme në vendin tonë.

Sallamaditë e deritanishme, kinse fetare

Lëvizjet salafisto-vahabiste për kohë të gjatë zhvilluan një fushatë të egër, sidomos kundër imamëve të moderuar dhe me qëndrime tjera nga ato të rrymave ekstremiste, të cilët nuk praktikonin gjuhën e urrejtjes si ata, duke i shkaktuar kështu dëme të mëdha e të pallogaritshme imazhit dhe sigurisë së Kosovës dhe gjithë popullit të saj. Madje, sipas burimeve të inteligjencës së shtetit, një pjesë e imamëve të dyshuar për terrorizëm, kishte arritur t'i fuste hundët edhe në informacione konfidenciale të Prokurorisë dhe dosjet e Policisë së Kosovës, veprime të ndaluara këto dhe të dënueshme e antiligjore, të cilat cilësohen edhe si akte tradhtie të lartë. Sot e kësaj dite, mediat njoftojnë se në Siri dhe Irak ende gjenden edhe rreth 95 fëmijë, mbi 40 gra dhe qindra luftëtarë shqiptarë të ISIS-it, të nxitur nga hoxhallarët e tillë për të shkuar atje, me të cilët shteti dhe familjet, si me kthimin, ashtu edhe me akomodimin e tyre në vend, mund të kenë probleme dhe sfida shumë të mëdha. Kështu që, kurrë nuk ka qenë më i nevojshëm pastrimi i vendit nga ndotja salafisto-vahabiste dhe praktika e veprimit antikombëtar të një numri jo të vogël imamësh ekstremistë, që rrezikojnë ta çojnë edhe më tej rininë tonë në shkatërrim. Ndaj, sidomos tani pas aprovimit të ligjit për fetë, nuk duhet të lejohen më për asnjë ditë më tepër sallamaditë e deritanishme kinse fetare dhe veprimtaritë e gjithëllojshme salafisto-vahabiste, por të vendoset një linjë e regjistruar me hierarki të njohur zyrtare, e cila do të bëjë praktikimin e besimit tradicional, nën mbikëqyrjen ligjore dhe kontrollin e rreptë të institucioneve të shtetit. Institucionet tona përfundimisht duhet të marrin masat e nevojshme për vëzhgimin me rigorozitet të veprimeve antikombëtare, si dhe ato në kundërshtim me ligjin, të cilitdo imam që mendon të jetojë dhe të veprojë edhe më tej në Kosovë. Ndërsa imamëve të dyshimtë që u gjetën në bashkëpunim me shërbimet e huaja, si dhe u kapën duke vepruar kundër shtetit dhe interesave tona kombëtare, e që janë ngritur keq ashpër kundër gjuhës shqipe, besimit tradicional, dokeve e traditave tona kombëtare dhe çdo gjëje që frymon e jeton shqip, duhet t'u hiqet menjëherë shtetësia dhe të dëbohen jashtë vendit, pa të drejtë kthimi më në Kosovë. Ne jemi një popull me traditë evropiane, human e i qytetëruar dhe me ndjesi të theksuara njerëzore, të cilat i dëshmuam edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke mbrojtur hebrenjtë edhe nën sundimin nazifashist. Kjo e vërtetë e madhe është një meritë e spikatur kombëtare, me të cilën jo vetëm se krenohemi ne të gjithë, por ajo edhe sot po gjen vlerësimin më të lartë ndërkombë- tar kudo, gjë që po të ishte vendi edhe atëherë nën ndikimin kaq të madh salafisto-vahabist, me siguri kurrë nuk do të mund të ndodhte. Popull i tillë human e njerëzor, ne duam të mbesim edhe në të ardhmen, ndërsa imamët arkaikë arabo-salafistë, të cilët janë ngritur kundër çdo gjëje kombëtare dhe përpiqen edhe më tej të fusin rinin tonë në rrugë të pakrye, nuk kanë se çfarë të kërkojnë më në gjirin e civilizuar të shoqërisë shqiptare.

Të thirren urgjentisht para drejtësisë

Të gjithë ata imamë, të cilët në trojet tona etnike edhe më tej vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e të gjitha vlerave civilizuese evropiane, duke ngritur vend e pa vend dhe nevojë e pa nevojë, aq shumë objekte të gjithfarshme sektesh të ndryshme kuazi-"fetare", prishur jo vetëm dukjen tradicionale të vendit, por edhe qetësinë e amshueshme të të vdekurve, duke shkulur edhe eshtrat e tyre përdhunshëm dhe ndërtuar xhami pa asnjë rregull e kriter edhe mbi varre, duhet të thirren urgjentisht para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar për veprimet e tyre destruktive. Vetëm disa vite më parë, asgjë nuk i ngjante kësaj katrahure, që sot ne e shohim me sy në vendin tonë evropian. Ndërsa këtë fenomen të çuditshëm dhe të paparë ndonjëherë në këto troje salafistët dhe vahabistët vendorë po e bëjnë në bashkëpunim me shërbime të huaja dhe për qëllime shkatërrimtare, të cilin po e keqpërdor me të madhe Serbia, duke bërë propagandë të fuqishme antishqiptare dhe paraqitur vendin tonë si strofull të terrorizmit islamik, ndërsa shqiptarët si terroristë dhe radikalë të skajshëm ekstremistë. Ata po i ofrojnë ushqim të pafund për propagandë antishqiptare Serbisë, që pa asnjë dyshim po ndikon drejtpërsëdrejti edhe në tërheqjen e njohjeve të përmendura, pak ditë më parë, dhe bëhen shkak për mosardhjen e njohjeve të reja, nga shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, madje as nga ato myslimane, të cilat po ndikojnë kaq me të madhe në forcimin e rrymave ekstremiste dhe prishjen e imazhit evropian të Kosovës në rajon dhe në botë.

(Kosova Sot)