Emisionet me karrige

Emisionet me karrige
  • 01 December 2017 - 07:58

SHKRUAN: FATMIR LOHJA

Me bujë, të gjithë kanalet televizive reklamuan me germa të mëdha programet e sezonit. Një "biramel "i numëroi 28 programe politike që transmetohen në javë, duke filluar nga TVSH e televizorët e tjerë. Formati i njëjtë. Dy karrige përballë, pyet bardhem gazetari, përgjigjet zezo politikani. Dikush edhe mund të pyes:" O Fatmir çfarë të keqe ka këtu? Keq nuk ka, por shqetësimi i shkon gjithkujt. Nuk mundesh të ndezësh televizorin se të dalin përpara karriget e zëna me debatuesit. Emancipim edhe ka. Në karrige ka edhe gra, edhe burra, por pesëdhjetë për qindëshi nuk është arritur. Burrat dominojnë, natyrisht, janë më gjelucë dhe të shpenguar nga punët e shtëpisë. Që mos t'i bëjmë të tërë kanalet televizive, si "këmbët e dhisë", ka studio që kanë futur kolltukë të rehatshëm, ku kanë mundësinë të ngrefosen më shumë se dy veta. A kanë shikim këto emisione televiziv? Statistika të sakta nuk e di se ka, sepse të gjithë drejtuesit e emisioneve deklarojnë: "Program im ka shikueshmëri më të madhe". Kur e hapim televizorin i kalojmë kanalet një nga një. Ndalemi tek kanali që mund të marrim informacion që na pëlqen. Nuk e di nëse praktika ime familjare futet në statistikat e kanaleve televizive si shikueshmëri. Si ekonomist nuk e pranoj .Del se shohim dhjetë emisione menjëherë. Praktikisht e pamundur për çdo familje.

Nervozizmi i karrigëndenjësve

Të gjithë VIP-at që drejtojnë emisionet deklarojnë: "Ky është emisioni im. Këtu drejtoj unë. Do të flisni me radhën që caktoj unë". "Unë firmos dhe unë vulos", për konkluzionet e pyetjeve që drejtoj. "Ka ca të ftuar, por edhe drejtues, që ia ndërpresin fjalën njëri-tjetrin me shumë "trimëri". Ky është shkaku që fillon konflikti. Nxehen gjakrat. Skuqen surretnit. Tkurren duart dhe nervat e fytyrës. Përgatiten për të krijuar balada, mitike. Një të mirë e ka se regjisorët i shikojnë nga larg dhe nga lart dhe nuk kanë mundësi të përfshihen nga nervozizmi i karrigëndenjësve. Me zgjuarsi ndërhyjnë me publicitet. Kur gjakrat shkojnë në temperaturat maksimale, emisionin e ndërpresin menjëherë. Pse janë të zgjuar, u kanë besuar regjinë. Kam përshtypjen, ngaqë janë emisionet e shpeshta, drejtuesve të tyre nuk u mbetet kohë e mjaftueshme për t'u përgatitur mirë, për problemin që i kanë caktuar vetes, të diskutojnë me të ftuarin. Pyetjet e stërzgjatura, që vështirë t'i mbajë mend i intervistuari, nuk tregojnë parapërgatitje. Ndërsa pyetjet me përgjigje brenda e hutojnë të ftuarin deri në çoroditje. A nga forcimi i miqësisë, apo nuk u shkojnë të ftuarit, moderatorët kanë filluar të ftojnë njëri-tjetrin në emisionet e tyre. Kjo praktikë, përveç mërzitjes që i jep shikuesve, duke parë gjithmonë të njëjta fytyra në ekran, e ka edhe një të mirë. E ul bukur mirë xhelozinë midis kolegëve.

Intervista e Bugajskit

Pavarësisht nga vërejtjet e më sipërme, të gjithë moderatorët një e gjë e kanë të përbashkët, që e theksojnë me përkushtim. E mbajnë veten për të gjithëditur. Ju është mbushur mëndja, pavarësisht se kë e kanë të ftuar, ata janë gjela mbi ta. E njëjta metodikë përdoret si me kryetarin e shtetit, kryeministrin, akademikë, profesionistë të shquar në specialitetet e tyre, diplomatë me emër,… edhe ndonjë deputet, pa iu" djersirë" ende mjekra. Para disa vitesh,në një ekran, që nuk emeton më programe, bëri ca intervista Bugajski. I kam ndjekur me vëmendje vetëm prej tij. Bënte pyetje të shkurtra, të parapërgatitura me kohë. Nuk e ndërpreu asnjëherë, asnjë të intervistuar. As me mimike nuk e kundërshtoi, apo e miratoi të intervistuarin. Kjo është gazetari, prandaj të intervistuari ndiheshin lirshëm dhe i premtonin se jemi të gatshëm të intervistohemi nga ju. Moderatorët tanë, pse janë të gjithëditur, nuk mësuan aspak nga kjo praktikë. Çfarë të shqetëson kur deklaron se nuk i sheh të tilla emisione? - Mund të të pyes dikush me shumë të drejtë. Nuk është zgjidhje edhe mosndjekja e tyre."Nga shiu, rashë në breshër". - E pe emisionin e mbrëmshëm,- më thotë shefi me ton, herët në mëngjes. - Cilin emision ?- e pyes me naivitet. - Intervistën që dha kryeministri në orën njëzetenjë. - Nuk kam qenë në shtëpi, u justifikova me informacionin e marrë për orën, nga shefi im. - Shko e bleje gazetën dhe lexoje me vëmendje nëse do të punosh me mua? Dola nga zyra e tij dhe tek kioska e gazetave, pranë institucionit, e bleva intervistën. E hap faqen. Për të dalluar intervistuesin me të intervistuarin, fjalët e pyetësit ishin theksuar me nxirje. Nxinte gazeta. Më shumë kishte folur moderatori se kryeministri i nderuar. Nuk po u besoja syve. - Mos m'u drejtoni me ti, por me ju, si unë! - Unë vetëm monarkëve u drejtohem me ju. E lexova dy tri herë intervistën, sepse më kërkonte shefi përshtypjet."E lagu apo nuk e lagu Skilja bishtin në krua", nuk e mora vesh.

(Kosova Sot)