Një koalicion i ri, i madh, për Gjermaninë dhe për Evropën

Një koalicion i ri, i madh, për Gjermaninë dhe për Evropën
  • 01 December 2017 - 09:12

Shkruan: Jeffrey D. Sachs

Miqtë e Gjermanisë dhe të Evropës në botë kanë ndier një lehtësim për shkak të gjetjes së gatishmërisë të kristian-demokratëve të Gjermanisë (CDU) dhe socialdemokratëve (SPD) për të diskutuar rreth përsëritjes së qeverisë së tyre, të koalicionit të madh. Bota ka nevojë për një Gjermani të fortë, që shikon përpara, në kuadër të një BE-je dinamike. Një koalicion i ri, i madh, që do të bashkëpunonte me qeverinë e presidentit francez Emmanuel Macron, do ta bënte të mundur një gjë të tillë. Vendimi fillestar i partisë SPD për të qëndruar në opozitë, pas rezultateve të dobëta zgjedhore në shtator, mund të ketë qenë i sinqertë, bile edhe i qëndrueshëm në aspektin strategjik, por ishte marrë në një kohë të gabuar. Gati gjithandej diplomacia është e përçarë. SHBA-ja është duke u ballafaquar me një president jo stabil në aspektin psikologjik, me një kabinet plutokratik qeveritar dhe me një shumicë republikane në Kongres. Evropa është e përfshirë në kriza të mëdha ekonomike, sociale, politike dhe institucionale. Në anën tjetër, Kina është dinamike dhe ka një shikim përpara, duke ofruar arsye të mirë për BE-në që ta marrë rolin udhëheqës dhe të përfshihet në partneritete konstruktive me Kinën, rreth iniciativave kryesore. Thënë shkurt, kjo është një kohë kritike për Gjermaninë dhe Evropën që të ofrojnë vizion, stabilitet dhe lidership global. Dhe, ky imperativ bie mbi Unionin kristian-demokrat të kancelares Merkel (CDU), partinë e saj simotër në Bavari, Unionin kristian-social (CSU) si dhe mbi SPD-në. Por, CDU/CSU dhe SPD duhet të bëjnë më shumë sesa thjesht ta vazhdojnë qeverinë paraprake, e cila ishte tepër provinciale si për nga pikë- pamjet, po ashtu edhe temperamenti. Bota dhe Evropa kanë nevojë për një Gjermani të orientuar kah jashtë, e cila ofron më shumë risi institucionale dhe financiare, në mënyrë që Evropa të mund të jetë një homologe e vërtetë ndaj SHBA-së dhe Kinës, në çështjet globale. Këtë e them si dikush që beson fuqishëm në përkushtimin e Evropës dhe aftësitë e saj sa i përket zhvillimit të qëndrueshëm, që është gjëja më e nevojshme e kohëve tona.

Përvoja e Evropës me social-demokraci

 Rritja ekonomike, e cila është përfshirëse në aspektin social dhe e qëndrueshme në aspektin e ambientit, është një ide tepër evropiane, por që tani është përkrahur globalisht në agjendën e OKB-së për vitin 2030 dhe në 17 qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm (SDG), si dhe nga Marrëveshja klimatike e Parisit, e vitit 2015. Përvoja e Evropës me social-demokraci dhe me kristian-demokraci e bën këtë vizion global të mundshëm. Por, tani, pasi që agjenda e saj është miratuar nga e mbarë bota, është bërë esencial roli i udhëheqjes evropiane në plotësimin e tij. Një qeveri e koalicionit të madh në Gjermani mund t'i ndihmojë Evropës në një pozicion udhëheqës. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka ofruar disa ide të rëndësishme: një ministër evropian të financave; eurobonot për financimin e një programi të ri investues në Evropë; një theks më i madh te inovacionet; një taksë në transaksionet financiare, me qëllim që të ofrohet një ndihmë gjithnjë e më e madhe ndaj Afrikës, ku Evropa ka një interes strategjik të zhvillimit afatgjatë; si dhe një harmonizim më të madh tatimor, para se SHBA-ja t'ia fillojë një gare globale rreth taksimit të të pasurve dhe korporatave. Përkundër gjermanëve, të cilët kundërshtojnë idetë e tilla, një ministër evropian i financave dhe euro-bonot nuk do të duhej dhe nuk duhet të pritet që të çojnë kah një dorëlirësi fiskale, por te një ringjallje e rritjes evropiane, të bazuar te rritja. Kina ka propozuar Iniciativën e Rripit dhe Rrugës (Belt and Road Initiative), me qëllim të ndërtimit të një infrastrukture të gjelbër, e cila do t'i lidhte Azinë juglindore dhe Azinë qendrore me Evropën. Kjo është koha që Evropa ta ofrojë një vizion të tillë, të theksuar, duke krijuar një partneritet me Kinën, me qëllim të rinovimit të infrastrukturës së Eurazisë, për një të ardhme me më pak karbon të liruar në atmosferë. Një ministër evropian i financave do t'i jepte përfundimisht fund agonisë së vetëshkaktuar evropiane, pas krizës financiare të vitit 2008. Pa marrë parasysh sa është vështirë për t'u besuar, kriza e Greqisë është duke vazhduar edhe sot e kësaj dite, në shkallë të Depresionit të madh, dhjetë vjet pas fillimit të krizës. Kjo për shkak se Evropa nuk ka qenë e aftë, e Gjermanisë i ka munguar vullneti, për ta pastruar kaosin financiar në një mënyrë të drejtë dhe përparimtare. Nëse Gjermania nuk do të ndihmojë në këtë çështje, atëherë Evropa si e tërë do të ballafaqohet me një krizë të zgjatur me pasoja të rënda sociale, ekonomike dhe politike. Pas tri javësh, Macron do t'i mbledhë liderët botërorë në Paris, në përvjetorin e dytë të marrëveshjes klimatike. Franca duhet të bëjë diçka në këtë drejtim, por po ashtu edhe Gjermania. Gjatë presidencës gjermane të G20-tës, Merkel mbajti 19 nga 20 anëtarë të G20-tës ngushtë të përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Parisit, përkundër tentimit jo të hijshëm të presidentit amerikan Donald Trump për ta shkatërruar atë. Përkundër këtij veprimi të SHBA-së, që ka rrezikuar konsensusin global rreth ndryshimeve klimatike, Gjermania qëndroi stoike. Edhe koalicioni i ri duhet të sigurojë që "Energiewende" ("tranzicioni energjetik") të bëhet në bazë të caqeve dhe qëllimeve për vitin 2020, të përcaktuara nga qeveritë paraprake. Këto përkushtime të arritshme dhe të rëndësishme nuk duhet të jenë temë e pazarllëqeve gjatë bisedimeve për formimin e koalicionit.

Evropa, magnet për qindra miliona imigrantë ekonomikë

Një koalicion CDU/CSU-SPD, që do të punonte me Francën dhe me pjesën tjetër të Evropës, do të mundej dhe do të duhej që të bënte më shumë rreth ndryshimeve klimatike. Ajo që ka më shumë rëndësi, Evropa ka nevojë për një plan gjithëpërfshirës të energjisë, me qëllim të një dekarbonizimi të plotë deri në vitin 2050. Kjo do të kërkojë një rrjet 'të mençur energjetik me zero-karbon, i cili shtrihet në tërë kontinentin dhe bazohet te energjia e diellit dhe erës, jo vetëm për Evropën jugore, por edhe për Afrikën veriore dhe Mesdheun lindor. Edhe një herë, euro-bonot, një partneritet ekologjik me Kinën dhe një unitet brenda Evropës, mund ta bëjë një ndryshim të madh. Një aleancë e tillë po ashtu do ta mundësonte një politikë të re të jashtme për Evropën, e cila do ta promovonte paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm, të mbështetur nga marrëveshjet e reja të sigurisë, të cilat nuk varen aq shumë nga SHBA-ja. Evropa, magnet për qindra miliona imigrantë ekonomikë, mundet, duhet dhe unë beson se do ta rimarrë kontrollin ndaj kufijve të saj, gjë që do t'ia lejonte asaj forcimin dhe imponimin e kufijve të nevojshëm ndaj imigrimit. Kushtet politike të një qeverie të re të koalicionit të madh, mund të thuhet se janë të qarta. SPD-ja do ta merrte ministrinë ekonomike dhe financiare, derisa CDU/CSU do ta mbanin postin e kancelarit. Ky do të ishte një koalicion i vërtetë, jo asi koalicioni i cili mund ta varrosë SPD-në politikisht, apo t'ia marrë mundësinë për t'u angazhuar për një agjendë me të vërtetë ekologjike mbarë evropiane, për një zhvillim të qëndrueshëm. Me Merkelin dhe Martin Schulz-in (liderin e SPD-së) në rolin udhëheqës, qeveria e Gjermanisë do të ishte në duar të mrekullueshme, përgjegjëse dhe me përvojë. Miqtë dhe admiruesit e Gjermanisë, si dhe të gjithë mbështetësit e një zhvillimi të qëndrueshëm global, janë duke shpresuar për një zhvillim të tillë.

(Jeffrey D. Sachs është profesor i zhvillimit të qëndrueshëm dhe profesor i politikave shëndetësore dhe menaxhmetit në Universitetin "Columbia")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)