Evropianizimi i politikës së Gjermanisë

Evropianizimi i politikës së Gjermanisë
  • 31 July 2015 - 08:05

 ANALIZË

Shkruan: Joschka Fischer

Një BE më ndryshe

Tani e tutje, Gjermania kryesisht do të ndjekë interesat e saj kombëtare

Qëndrimi i Gjermanisë në natën midis 12-13 korrikut bëri të ditur dëshirën e saj për ta transformuar eurozonën nga një projekt evropian në një lloj të sferës së influencës. Merkel u detyrua të zgjedhë midis Schäubles dhe Francës (dhe Italisë).

Gjatë natës së gjatë të negociatave rreth Greqisë midis 12 dhe 13 korrikut, pëlciti diçka e rëndësishme për BE-në. Që nga ai moment, evropianët janë duke jetuar në një BE të ndryshme.

Ajo çfarë ndryshoi atë natë ishte Gjermania të cilën evropianët e kanë njohur që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Në sipërfaqe, negociatat ishin rreth shmangies së një dalje greke nga eurozona (ose "Grexit") dhe pasojave të tmerrshme që do të pasonin për Greqinë dhe bashkimin monetar. Në një nivel më të thellë, megjithatë, çfarë ishte në rrezik ishte roli në Evropë i vendit të saj më të populluar dhe ekonomikisht më të fuqishëm.
Rigjallërimi i Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, dhe rikthimi i besimit të botës te ajo (duke kulminuar me dhënien e pëlqimit për ribashkim të gjermanëve pas katër dekadave e gjysmë), është ndërtuar mbi shtylla të guximshme të politikës së jashtme dhe të brendshme. Në vend, shpejt u shfaq një demokraci e qëndrueshme e bazuar në sundimin e ligjit. Suksesi ekonomik i shtetit social gjerman u bë një model për Evropën. Gatishmëria e gjermanëve për t'u ballafaquar me krimet e nazistëve, pa rezerva, përmbante një skepticizëm të rrënjosur thellë ndaj të gjitha çështjeve ushtarake.

Idetë e pashpresa

Në aspektin e politikës së jashtme, Gjermania rindërtoi besimin duke përqafuar integrimin perëndimor dhe evropianizimin. Fuqia që gjendet në qendër të Evropës nuk duhet të bëhej kurrë më një kërcënim për kontinentin apo veten e saj. Kështu, qëllimi i aleatëve perëndimorë pas vitit 1945 - ndryshe nga ai pas Luftës së Parë Botërore - nuk ishte për ta izoluar Gjermaninë dhe për ta dobësuar atë ekonomikisht, por për ta mbrojtur ushtarakisht dhe për ta orientuar atë vendosmërisht në aspektin politik në Perëndim. Në të vërtetë, pajtimi i Gjermanisë me armikun e saj të moçëm, Francën, mbetet themeli i Bashkimit Evropian të sotëm, duke ndihmuar përfshirjen e Gjermaninë në tregun e përbashkët evropian, me qëllim unifikimin eventual politik të Evropës.
Por, në Gjermaninë e sotme idetë e tilla konsiderohen të pashpresa dhe "euro-romantike"; koha e tyre ka kaluar. Sa i përket Evropës, tani e tutje Gjermania kryesisht do të ndjekë interesat e saj kombëtare, ashtu si edhe gjithë të tjerët.
Por, mendimi i tillë është i bazuar në një premisë të rreme. Rruga që Gjermania do të ndjekë në shekullin njëzet e një - drejt një "Gjermanie Evropiane" ose një "Evrope gjermane" - ka qenë pyetja themelore historike në qendër të politikës së jashtme të Gjermanisë për dy shekuj. Dhe ajo mori përgjigje gjatë asaj nate të gjatë në Bruksel, ku Evropa gjermane mbizotëroi mbi Gjermaninë Evropiane.
Ky ishte një vendim fatal si për Gjermaninë, po ashtu edhe për Evropën. Dikush mund të pyetet nëse kancelarja Angela Merkel dhe ministri i Financave Wolfgang Schäuble e dinin se çfarë ishin duke bërë.
Për t’i larguar kritikat e ashpra ndaj Gjermanisë dhe liderëve të saj kryesorë që shpërthyen si me diktat në lidhje me situatën në Greqi, shpesh kalohet në ekstremin tjetër. Sigurisht, ekzistonte propaganda absurde rreth një Rajhu të Katërt sikur që kishte edhe referenca të marra ndaj Fyhrerit. Por, në thelbin e vet, kritikat artikulojnë një vetëdije të mprehtë rreth ndarjes së Gjermanisë nga e gjithë politika e saj evropiane e pas-Luftës së Dytë Botërore.

Grexit mbetet një opsion

Për herë të parë, Gjermania nuk donte më shumë Evropë; ajo donte më pak. Qëndrimi i Gjermanisë në natën midis 12-13 korrikut bëri të ditur dëshirën e saj për ta transformuar eurozonën nga një projekt evropian në një lloj të sferës së influencës. Merkel u detyrua të zgjedhë midis Schäubles dhe Francës (dhe Italisë).
Çështja ishte themelore: ministri i saj i financave donte ta detyronte një anëtar të eurozonës për t'u larguar "vullnetarisht", duke ushtruar presion të madh. Greqia mundej ose të dilte (në dijeni të plotë për pasojat shkatërruese për vendin dhe për Evropën), ose ta pranonte një program që efektivisht e bënte atë një protektorat evropian, pa asnjë shpresë për përmirësim ekonomik. Greqia është tani subjekt i një kure - kursimit më të madh - që nuk ka dhënë rezultate në të kaluarën dhe që ishte paraparë vetëm për të adresuar nevojat e brendshme politike të Gjermanisë.
Por, konflikti masiv me Francën dhe Italinë, ekonomitë e dyta dhe të treta për nga madhësia në eurozonë, nuk ka mbaruar, sepse, për Schäublen, Grexit mbetet një opsion. Duke pretenduar se lehtësimi i borxheve është "ligjërisht" i mundur vetëm jashtë eurozonës, ai dëshiron të kthehet çështja në fillim për një dalje "vullnetare" të Greqisë nga eurozona.
Pozicioni i Schäubles ka sjellë një lehtësim të mprehtë çështjen themelore të marrëdhënieve ndërmjet jugut dhe veriut të Evropës, qasja e tij kërcënon ta shtrijë eurozonën deri në pikën kritike. Besimi se euroja mund të përdoret për të sjellë "ri-edukimin" ekonomik të jugut të Evropës, do të dëshmohet si një falsitet i rrezikshëm dhe jo vetëm në Greqi. Sikur që e dinë mirë italianët dhe francezët, një këndvështrim i tillë rrezikon tërë projektin evropian, i cili është ndërtuar mbi diversitetin dhe të solidaritetin.
Gjermania ka qenë fituesja e madhe e Bashkimit Evropian, si ekonomikisht po ashtu edhe politikisht. Vetëm krahasojeni historinë e Gjermanisë në gjysmën e parë dhe të dytë të shekullit të njëzetë. Unifikimi i Gjermanisë nga Bismarck në shekullin e nëntëmbëdhjetë ndodhi në shenjë të një theksimi të nacionalizmit evropian. Në të menduarit gjerman, fuqia u lidh në mënyrë të pazgjidhshme me nacionalizmin dhe militarizmin. Si rezultat, ndryshe nga Franca, Britania e Madhe, apo Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin legjitimuar politikën e tyre të jashtme në kushtet e një "misionin qytetërues" Gjermania e kishte kuptuar fuqinë e saj në aspektin e forcës ushtarake të papërpunuar.
Themelimi i shtetit të dytë të bashkuar gjerman në vitin 1989 ishte bazuar në orientimin e parevokueshëm Perëndimor të Gjermanisë dhe te evropianizimi i saj. Dhe evropianizimi i politikës së Gjermanisë kishte mbushur - dhe ende mbush - hendekun në qytetërimin e mishëruar në shtetësinë gjermane. Lejimi i rrëzimit të kësaj shtylle paraqet marrëzinë e shkallës më të madhe. Kjo është arsyeja pse, në BE-në që u shfaq në mëngjesin e 13 korrikut, si Gjermania po ashtu edhe Evropa, pritet që të jenë humbëse.

(Joschka Fischer ishte ministër i jashtëm i Gjermanisë dhe zëvendës kancelar midis viteve 1998-2005)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”