Kush do të përgjigjet për devijimin e vijës kufitare - Opinione - Kosova Sot
Kush do tė pėrgjigjet pėr devijimin e vijės kufitare

Kush do tė pėrgjigjet pėr devijimin e vijės kufitare

SHKRUAN: GANI QARRI

Tregtia me tokat e Kosovës

Ata që e kanë tërhequr kokë më vete dhe me vendim të paautorizuar shtetëror, vijën kufitare rreth 12 km, në brendësi të tokave të Kosovës, nga kufiri i caktuar që më 1945, e këtej, me Malin e Zi, me mënyrën jozyrtare dhe klandestine të veprimit të tyre, për arsye që vetëm ata e ndoshta edhe Enver Hoxhaj i dinë, duhet të jenë të vetëdijshëm mbi tradhtinë e lartë që i kanë bërë vendit dhe atdheut
P ara disa kohësh, kur në vendin amë mjerimi nën sundimin e komunistëve kishte arritur kulmin, në Kosovë nga dëshpërimi dhe zhgënjimi i pafund, këndohej me dhembje kënga: "Enver Hoxha faqezi, e mori në qafë popullin në Shqipëri"... këngë kjo që me gjithë të vërtetën e hidhur ka kohë që është bërë aktuale dhe atdhesuar tanimë në Kosovën kudo, me të cilën nuk "nderohet" më vetëm bashkë- emnaku apo Enver Hoxhaj ynë i vogël, por të gjithë bijtë ideologjikë të ish- diktatorit, të cilët që kur erdhën në pushtet me mënyrat që dinë vetëm ata, shesin interesat e popullit e të vendit dhe bëjnë tregti me tokat e Kosovës, sikur ajo të ishte pasuri personale - vetëm e baballarëve të tyre. Se vendi vërtet ka humbur territor me zhvendosjen arbitrare të kufirit nga ish-komisioni, u vërtetua edhe një herë më tepër më 4 dhjetor, kur Komisioni i Ri dëshmoi me paraqitjen e raportit se fatkeqësisht, komisioni i kaluar i kufirit, vërtet ka bërë gabime të qëllimshme e të rënda dhe lëshime aq të pajustifikueshme në dëm të Republikës së Kosovës, saqë dhe meritojnë bashkë me urdhërdhënësit e tyre, cilëtdo qofshin ata, të nxirren menjëherë para drejtësisë dhe dënohen në mënyrën më të rëndë, që parashohin ligjet e shtetit. Kurse ai që në fakt përkundër të gjithave sa ndodhën, ka marrë flamurin dhe paraqitet si bajraktar i mbrojtjes së kësaj të keqeje të madhe shtetërore, e pse jo edhe tradhtie të lartë kombëtare dhe ende përpiqet të gënjejë publikisht, pa fije turpi, duke përdor retorikë të pambuluar mashtruese para opinionit publik, është pikërisht zv. ministri Enver Hoxha(j)- apo diktuesi i irrituar dhe diktatori i "madh" i vendit tonë të vogël.

Retorika mashtruese

Çfarë kompleksi ka dhe ç'mundim po përjeton, në këto momente delikate ky njeri, i cili përveç irritimit dhe retorikës mashtruese, ai thuhet se përdori dhe përdor ende edhe kërcënime të hapura e të fshehura kundër anëtarëve të Komisionit të ri,këtë ende askush nuk e thotë hapur dhe publikisht. Me retorikë mashtruese nënkuptojmë faktin kur ai thotë, kinse "mbi të gjitha me parimin kadastral" rregulluan kufirin edhe Kroacia me Slloveninë?! Kjo nuk qëndron fare dhe është jo vetëm një gënjeshtër e kulluar, por edhe turp i papërshkueshëm, pasi që siç dihet botërisht Kroacia dhe Sllovenia edhe në ditët e sotme, jo vetëm se nuk kanë miratuar asnjë marrëveshje për kufirin, por ato edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit assesi nuk po arrijnë të pajtohen për vetëm...shënjimin e vijës kufitare ndërmjet tyre. Madje ai shkon aq larg saqë përflitet se nuk heziton edhe të kërcënojë hapur Komisionin dhe anëtarët profesionistë të tij, duke ua përkujtuar me cinizëm se: "Edhe ne e dimë që kufiri është caktuar gabim, por kjo, si çështje duhet të mbetet e mbyllur dhe nuk guxon të shpaloset para opinionit... madje, as ju nuk guxoni ta publikoni raportin tuaj, as ta ndryshoni atë marrëveshje"...!!!??? Pra, edhe sipas vetë deklarimeve irrituese të Enver Hoxhajt, konstatimet e fundit të komisionit të ri, të bëra publike më 4 dhjetor, paraqitën të vërtetën e hidhur, se vërtet është zhvilluar lojë skandaloze me kufirin e Kosovës në dobi të Malit të Zi, por ajo nuk guxon të bëhet publike dhe u dashka medoemos të mbetet e fshehur për opinionin!

Tradhtia e lartë

Ndaj ata që e kanë tërhequr kokë më vete dhe me vendim të paautorizuar shtetëror vijën kufitare, rreth 12 km në brendësi të tokave të Kosovës, nga kufiri i caktuar që më 1945, e këtej, me Malin e Zi, me mënyrën jozyrtare dhe klandestine të veprimit të tyre për arsye që vetëm ata e ndoshta edhe Enver Hoxhaj i dinë, duhet të jenë të vetëdijshëm mbi tradhtinë e lartë që i kanë bërë vendit dhe atdheut, si dhe pasojat që sanksionon ligji për rastet kaq skandaloze si këto veprime të tyre. Edhe kryeministri i vendit deklaroi se nga raporti i komisionit të ri profesionist u vërtetua që me marrëveshjen e komisionit të kaluar Kosova humb territor dhe është dëmtuar në tërësinë e saj tokësore. Pra, të gjeturat e komisionit të ri vërtetojnë katërçipërisht mënyrën skandaloze të humbjes së territorit të vendit, të bërë plotësisht në kundërshtim me vullnetin e popullit, si dhe ligjet e Kushtetutën e shtetit tonë nga komisioni i kaluar, i cili dëmtoi rëndë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Ndaj ky akt i paprecedent, jo vetëm se është tradhti e lartë ndaj popullit dhe atdheut, por është edhe shkelje e rëndë e Kushtetutës, sovranitetit dhe interesave të shtetit të Kosovës, për të cilat autorët dhe urdhërdhënësit e tyre, qofshin ata edhe udhëheqës shteti si Hashim Thaçi apo zëvendësministra si Enver Hoxhaj etj., duhet ta kenë pasur me kohë parasysh se ligji nuk amniston askënd dhe mbi ligjin nuk mund të qëndrojë përgjithmonë askush, ndaj pa vonuar dhe sa më parë që të jetë e mundur, fajtorët duhet të sillen para drejtësisë, të marrin dënimin e merituar dhe të sanksionohen në mënyrën më të ashpër, që parashohin ligjet e shtetit për raste të tilla kaq të rënda, siç janë gjykuar e dënuar më parë edhe diktatorë më të mëdhenj e më të fuqishëm se këta, në vendet e tjera.

(Kosova Sot)

8 orë e 32 minuta më parë