Myslimanët, në mes ISIS-it dhe "terroristëve intelektualë"

Myslimanët, në mes ISIS-it dhe
  • 01 August 2015 - 08:02

Shkruan: Armend Halimi 

Shteti të luftojë terrorizmin

Elita e terroristëve intelektualë më tepër bën terrorizëm sesa e kritikon terrorizmin

Duke shpresuar në politika të drejta dhe të interesuara të shtetit për parandalim dhe luftim të terrorizmit, do të duhej ndërmarrje e shpejtë e masave adekuate në eliminimin e etiketimeve, njollosjeve dhe fyerjeve para së gjithash të elitës së terroristëve intelektualë, ku rreziku i tyre duhet konsideruar si një shkëndijë zjarri ndaj një grumbulli derivatesh të ndjeshme për ndezje. Përndryshe, myslimanët e vërtetë do vazhdojnë të mbesin të viktimizuar mes terrorizmit të llojit të ISIS-it dhe në anën tjetër të stilit të terroristëve intelektualë

Të flasësh për fenë është kompetent çdo besimtar. Sidomos kjo vjen në shprehje për të dalë më sipërfaqë- sisht kur besimtarët sfidohen nga të tjerët që nuk i përkasin besimit të njëjtë. Këtë ua jep vetë besimi, pra ajo së cilës i përkasin. Një gjë të tillë kur është fjala për myslimanët ua bën më të lehtë libri udhërrëfyes, që njihet si Kurani, sepse thjesht ai u ka zbrit tërë njerëzimit. Një kompetencë e tillë zakonisht nuk vërehet në çështje të tjera, p.sh. për mjekësinë (atë profesionale) ku ndihet kompetent të flet vetëm mjeku. Besimtari pretendon se njeh paraprakisht ose bindet për diçka për t'i besuar. Ndërsa, për shumicën që marrin çështjen e besimit si prioritet, orvaten të mbrojnë që nga diskutimi e deri tek metodat më të vrazhda që i shkruan historia, ato të konflikteve, persekutimeve mizore, etj. Të gjitha këto në mbrojtje të asaj që besojnë, por edhe me një qasje të gabuar siç është imponimi të tjerëve për atë çka besojnë vetë. Sigurisht, që edhe feja ka një standard, në kuptim të interpretimit të saj. Mundësia për të folur të gjithë për të, nuk humb rëndësinë e as të drejtën e teologut apo klerikut që ta interpretojë me përpjekje më të saktë të asaj që ka studiuar. Madje, gjërat që kërkojnë shpjegim më të mirë bëhen falë këtyre të fundit. Jo rrallëherë moskuptimi i drejtë i porosive që jep Kurani, besimtarin e shpie në mëkat, gjë që bën të padiskutueshëm rolin e interpretuesit të shkolluar, ndryshe që njihet si hoxha. Por, fakti i lidhjes tërësisht emocionale në mënyrë të përhershme si çështje e brendshme e personalitetit të individit mbi Krijuesin bën që çdo besimtar të ndihet sikurse për nga obligimi në praktikim, po ashtu edhe në mbrojtje të saj, sepse konsideron diçka të vetën, e aq më tepër kur merr kompetencë ta interpretojë një i besimit tjetër!

Mosbërja keq ndaj të tjerëve

Kohën në të cilën jetojmë, që përshkruhet si kulmi i arritjeve dhe zhvillimit të inteligjencës, për habi si për kontrast po tregon mjaft ngecje në intelekt. Kur tema diskutimi janë zbulimet teknologjike që gëzon sot njerëzimi, gjë që as me mend nuk janë marrë, e deri tek përpjekjet për zbulime të planetëve të tjerë, duke lënë përshtypjen se e kemi kryer misionin me planetin tonë, ku kjo e fundit sikur të jetë e pamjaftueshme, apo që ka shuar gjitha kureshtjet e njeriut, në anën tjetër mizoritë dhe tmerri që po përjeton njerëzimi sot po shkaktohet nga diçka që do duhej të ishte e zgjidhur prej kohësh. Zgjidhje e ardhur dhe kuptuar drejt, jo me dhunë, por pikërisht me inteligjencë! Fjala është për fenë apo besimin. Sa i përket inteligjencës në zgjidhje të drejtë të fesë, me një logjik të shëndoshë gjithsecili do ishte orientuar saktë. Kur njeriu përcaktohet të besojë, qëllimi është të gjejë shpëtim. Duke ditur se shpëtimi nuk fitohet me egon, në kuptim të përvetësimit të gjërave vetëm për vete, por pikërisht duke sakrifikuar disa të mira të veta për mirësi ndaj tjerëve, apo së paku mosbëries keq ndaj tjerëve. Kjo në fakt ka qenë identifikim i Islamit, së paku nga tradita e praktikimit në trevat tona. Madje, për t'u matur besimi i sinqertë mes myslimanëve, së paku shqiptarë, ka qenë në garë bamirësia dhe urtësia. Vlera këto të trashëguara edhe në ditët e sotme, me tendenca të shtrembërimit fatkeqësisht nga disa, qoftë me vetëdije qoftë pa të! Edhe pse Islami ndër shqiptarë është konsideruar në shumë diskutime si i imponuar që nga Perandoria Osmane, është e pamohueshme që me këtë fe kanë qenë dhe vazhdojnë të identifikohen mbi 95% të shqiptarëve të Kosovës, shumica dërrmuese madje të lidhur mishërisht. Ndërsa, një pjesë e vogël kanë filluar tash vonë të tregojnë pakënaqësinë e asaj që i është trashëguar fetarisht, që nga familja, rrethi e shoqëria. Fjala është, për disa që në kohët më të hershme nga frika e konsiderimit turp apo tradhti disi si me zor kanë mbajtur epitetin e myslimanit. Siç është rasti p.sh me Ibrahim Kelmendin e shumë të tjerë. Sigurisht, që vetë feja islame ndalon imponimin në besim, gjë e cila mbrohet edhe me konventa dhe ligje nacionale. Por, po ashtu që mbron çdo besimtarë në të drejtën e tij të besojnë në atë çfarë të duan. Për habi, duke u mbrojtur këto dy të drejta, pikërisht këtu lind problemi. Marrim shembull nga shkaku i zemërimit të Ibrahimit, pse babanë e ka pasur hoxhë, apo pse i është dashur të mësojë sure e ajete në gjuhë arabe si fëmijë, ai sot duke dashur të hakmerret për gjitha këto, fyen dhe nxit përçarje me apo pa vetëdije mes myslimanëve, duke qenë shumë aktiv në etiketim që nga profeti Muhamed, e deri tek gjithë pasuesit e tij. Edhe pse ndoshta Ibrahimi ka të drejtë për këtë gjuhë, sepse sigurisht flet me gjuhën e fëmijës, apo më saktë e thotë tani atë kur dikur nuk ka guxuar si fëmijë! Përndryshe, nëse seleksionimi i shprehjeve të tij si shprehje fëmijësh e bënë të ndihet i fyer, prapë na del më keq, ngase një intelektual si Ibrahimi, me gjuhën e një intelektuali, na del hiq më pak se një "terrorist intelektual", ngase nga hakmarrja e tij për kohën e kaluar si mysliman më herët, sot terrorizohen çdo mysliman.

Reagimi i shtetit dhe i organeve të tij

Terrorizmi intelektual që është e vërteta nuk është se u shpik nga Ibrahimi, së paku nuk është i vetëm, sot me bollëk janë shfaqur shumë intelektualë të tjerë të tillë, në mesin e të cilëve gjendet gazetari i famshëm i televizionit publik të Kosovës, Artan Haraqija, edhe pse jo me arsye sikurse të Ibrahimit, thjesht me tendenca më të rrezikshme, atë të nxitjes së përçarjes dhe konflikteve. Pjesë e kësaj elite të terroristëve, madje si nismëtar për fat keq njihet edhe profesori Blerim Latifi, i cili përkundër qasjes destruktive në harmonin fetare në shoqërinë tonë, ka folur në instanca më të larta të shtetit, përkatë- sisht krah për krah me ish-kryeministrin Thaçi. E kur flasim për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, është e palogjikshme të mos fillohet që nga parandalimi dhe luftimi i shkaktarëve, pra ndaj terroristëve të stilit të Ibrahimit, Blerimit dhe Artanit do duhej të reagonte shteti me organet e tij, sikurse ndaj terroristëve të tjerë që thirren në islam e që bëjnë mizori ndaj jomyslimanëve. Për habi mungesa e një qasje të tillë arsyetohet me organizatën famëkeqe terroriste ISIS, ku gjoja krahas kritikave të bamave të kësaj organizate apo që ndryshe njihet shteti, marrin të drejtën të terrorizojnë gjithë myslimanët. Ç'është e vërteta, kjo elitë e terroristëve intelektualë më tepër bëjnë terrorizëm se sa kritikojnë terrorizmin. Kjo elitë kritikon ashpër thjesht pse ekziston islami, kështu kuptohet çdo reagim i tyre. Andaj, myslimanët sot aq sa ndihen të terrorizuar nga ISIS-i po aq ndihen nga reagimet e terroristëve intelektualë. Sepse, terrorizëm nuk është vetëm të presh koka duke shqiptuar "All-llahu Ekber'', por të mos guxosh të thuash as "All-llahu Ekber" apo "Bismilahi…" nga etiketimet dhe sulmet që përjetojnë nga elita e terroristëve intelektualë të njohur në Kosovë! Duke qenë se bota e ndikuar nga zhvillimet e shumta që përcjell kalimi i kohës ku më tepër se kurrë është përfshirë integrimi mes kombeve, me të drejtë sot bota konsiderohet si një fshat global. Në këto rrjedha, bëhet që të integrohen edhe probleme nga një komb apo shtet në një komb apo shtet tjetër. Andaj, përkundër izolimit të integrimit formal, Kosova nuk është e izoluar për nga ndikimi i rrjedhave ndërkombëtare. 

Organizata famëkeqe terroriste ISIS

Ka kohë që po vepron organizata famëkeqe terroriste e njohur si ISIS. Nga terrorizmi i së cilës, përveç viktimave direkte, myslimanët po viktimizohen e terrorizohen më së shumti. Nuk do mend të kuptohet viktimizimi i myslimanëve të sinqertë. P.sh. mjafton të bëhet një përllogaritje që përveç persekutimit të vrazhdë që u bëhet me heqje të kokave, viktimizohen gjithë myslimanët e tjerë me njollosjen që ua bënë kjo organizatë terroriste fesë së tyre, sepse myslimanët me krenari janë identifikuar si paqësor, dhe jo duke hequr koka, por duke shpëtuar koka, madje duke falur edhe armikun. Po të merren parasysh këto fakte, ISIS dhe çdo kush që bën terror në emër të Islamit, para së gjithash e terrorizon Islamin. Për të pas më të qartë këtë të vërtetë, sidomos për naivët, po marr një shpjegim ndoshta shumë banal. P.sh. qoftë nga teoritë konspirative, qoftë nga çfarëdo qëllimi tjetër, ISIS sot përdor epitetin e shtetit Islamik, sikurse të përdorë ndonjë fabrikë e pamerituar "markën" e firmës 'adidas', për të prodhuar produkte tërësisht false nga ajo që prodhon 'adidasi'. Duke shpresuar në politika të drejta dhe të interesuara të shtetit për parandalim dhe luftim të terrorizmit, do të duhej ndërmarrje e shpejtë e masave adekuate në eliminimin e etiketimeve, njollosjeve dhe fyerjeve para së gjithash të elitës së terroristëve intelektualë, ku rreziku i tyre duhet konsideruar si një shkëndijë zjarri ndaj një grumbulli derivatesh të ndjeshme për ndezje. Përndryshe, myslimanët e vërtetë do vazhdojnë të mbesin të viktimizuar mes terrorizmit të llojit të ISIS-it dhe në anën tjetër të stilit të terroristëve intelektualë.

(Autori është magjistër i shkencave të Sigurisë dhe ligjërues universitar)