Kur lideri shndërrohet në m..

Kur lideri shndërrohet në m..
  • 18 December 2017 - 08:32

Shkruan: Reshat Sahitaj 

Përçarjet e thella në "Vetëvendosje"

Shkatërrimi i VV-së dhe problemet e tyre të brendshme nuk kanë filluar para një viti, siç deklaruan Visar Ymeri e të tjerët, por problemet kanë filluar me ardhjen e Shpend Ahmetit, Ilir Dedës, Fisnik Ismailit e disa të tjerëve, të cilët pas dështimit të partisë së tyre u rrasën nën sqetulla të Albin Kurtit, duke i shfrytëzuar lidhjet familjare të Visar Ymerit dhe rekomandimet e UDB-së

Është hera e parë në historinë tonë që një lider të fyhet rëndë nga anëtarët e partisë së tij, madje fyerja që iu bë Albin Kurtit është rast i paprecedent në botë. Çdo parti politike kudo në botë ka mospajtime, divergjenca, fjalosje, keqkuptime, kritika… por kurrë liderin nuk e kanë ofenduar me një fjalor banal, siç veproi deputetja Aida Derguti.

Edhe ti Brut, a?

Liderët tanë gjithnjë gëzonin autoritet në popull e veçmas të anëtarët e partisë se tyre. Madje Ibrahim Rugovën jo që askush nuk e ofendoi nga partia e tij, por ende shtyhen se cili ishte më afër tij dhe ende vazhdojnë të thonë se janë duke e vazhduar frymën rugoviane. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me simbolin e rezistencës kombëtare, Adem Demaçin, të cilin shokët dhe anëtarët e tij jo vetëm që kurrë nuk e ofenduan, por ende përpoqën që të thurin tregime me krenari se dikur ishin shokë të burgut, bashkëpunë- torë në veprimtari të ndryshme. Po ashtu Anton Çeta, Mark Krasniqi, Rexhep Qosja ende gëzojnë simpati te anëtarët e tyre dhe kurrë askush nuk i ka ofenduar asnjërin prej këtyre personaliteteve. Përkundrazi secili e konsideron si privilegj që dikur ishte bashkëveprimtar i çdonjërit prej liderëve që i ka pasur Kosova. Dardan Molliqaj e theu mitin për Albin Kurtin nga një lider të pakontestueshëm në m… Kulti i individit që Albin Kurti e kishte kultivuar me vite të tëra u thye nga miqtë e tij më të afërt. Albin Kurti e ka harruar thënien romake se miku i sotëm është armiku i nesërm. Tradhtia vjen nga njeriu i afërt e jo i largët, siç kishte befasuar dikur Qesari kur thikën ia fut Bruti e në minutat e vdekjes nga befasia i thotë: "Edhe ti Brut, a?! 

Ngritja e Albin Kurtit në lider partie 

Para se të shkruaj arsyet për shembjen e kultit të individit të Albin Kurtit, dëshiroj t'ia përkujtoj Albinit mesazhin e fundit që ia dërgova me telefon, duke i shkruar: " Albin, do të ngrihesh për të mos u ngritur kurrë më, dikush është i destinuar të ngrihet për të mos zbritur kurrë, e dikush për t'u ngritur e pastaj për t'u rrëzuar përtokë". Këtë mesazh e kam shkruar edhe shumë kohë më parë në gazetën "Kosova Sot", pasi që sjelljet, qëndrimet dhe veprimet e Albin Kurtit dëmtonin imazhin e Kosovës, si p.sh. ofendimin e rëndë që ia bëri VV zonjës Doris Pack, eurpodeputetës dhe mikeshës më të devotshme për sensibilizimin e Kosovës në Parlamentin Evropian, pas ofendimit të ambasadores amerikane në Prishtinë, zonjës Jacobson, pas pesë takimeve sekrete me serbë në fshatrat e komunës së Klinës, e pas gjuajtjes me predha Kuvendin e Kosovës, pas hedhjes se gazit lotsjellës e djegies së Kuvendit të Kosovës e pas shumë veprimeve tjera, me të cilat Albini dhe VV-ja i dëmtuan rëndë imazhin dhe shtetin e Kosovës. Në fillim të fillimit të Lëvizjes VV, Albin Kurti e kishte planifikuar që rreth tij të grumbulloheshin të rinjtë, duke llogaritur se adoleshentët janë të revoltuar jo vetëm nga ardhmëria e tyre e pasigurt, por edhe në prindërit e tyre si çdo adoleshent kudo në botë. Këtë forcë fizike të të rinjve dhe gjendjen emocionale tek adoleshentet, Albin Kurti do ta akumulonte për ta kanalizuar kundër qeverisë sonë. Duke i manipuluar të rinjtë se të gjitha partitë janë hajna, kurse vetëm VV-ja është shpë- tim dhe do ta çlirojë Kosovën, rinia jonë u magjeps pas VV-së saqë ata u revoltuan edhe kundër prindërve të tyre, e me aktet agresive, ata çliroheshin dhe me krenari u tregonin dashnoreve të tyre dhe shoqërisë për aktet "heroike" se si i kishin rrokullisur xhipat e EULEX-it e kamionët me mallra. Me krenari u rrëfenin dashnoreve të tyre se si kishin djegur Kuvendin dhe thyer vitrinat e lokaleve të kryeqytetit, për ç'gjë edhe shquheshin si militantë më të besueshëm të VV-së. Kanalizimi i revoltës së militantëve të VV-së bëhej duke i "edukuar" rininë se si duhej të ishin besnik që në rast të kapjes së tyre mos t'u tregonin organeve kompetente shokët e tyre, mos t'i besonin askujt përveç shefit të grupit që vepronin, sepse misioni i militantëve ishte ta çlironin Kosovën. Prej cilit armik duhej ta çlironin Kosovën? Kosova u çlirua në qershorin e vitit 1999 nga forcat e NATO-s dhe UÇK-së! Nga kush duhej çliruar Kosova? Albin Kurti kishte bërë shumë kopje të disa kapitujve të librave historikë, psikologjikë e sociologjikë, filma të ndryshëm që i shikon në lokale e partisë VV, që i detyronte militantët t'i lexonin në mënyrë që t'ua shpërlante trurin. Albin Kurti qëllimisht ua shpërndante vetëm kapitujt, por jo krejt librin, sepse kur lexohet libri komplet militanti do të mësojë të logjikojë. Një shembull se kjo ishte praktikë e VV-së për shpëlarjen e trurit duket nga letra që një militant i burgosur doli në përkrahje të Albinit, duke e cituar filozofin F. Niche, nga e cila letër kuptohet se militanti e ka lexuar vetëm një apo dy kapituj.

Gabimi i Albin Kurtit 

Që në fillim Albin Kurti kishte hartuar planin strategjik për ngritjen e kultit të individit. Në kohën kur VV-ja nuk kishte më shumë se dhjetëra anëtarë e që këtë rreth e përbënin: Albin Kurti, Visar Ymeri, Liburn Aliu, Glauk Konjuvca, e ndonjë tjetër i panjohur, Albini organizonte debate, duke ftuar emra të njohur si Dr. Sadri Fetiun, të cilin e gjuajtën më vonë, Dr. Hakif Bajramin, të cilin e hodhën si të panevojshëm e shumë intelektualë tjerë, të cilët u gjuajtën dhe u injoruan nga vetë Albin Kurti. Afrimit të intelektualëve i frikësohej Albin Kurti, sepse mendonte se do të bie nën hijen e emrave të tyre, andaj zgjodhi rrugën tjetër: t'i afronte disa të rinj anonimë. Albin Kurti e dinte se intelektualët nuk janë adoleshentë që mund t'i mashtrojë e të luante me ta sipas kapricieve personale, siç do t'i manipulonte adoleshentët, të cilët do t'i fuste që më dëshirë të bënin akte agresive. Pa qenë i vetëdijshëm Albini po e ndërtonte VV-në në themele të brishta, e cila do të ngrihej lart e më lart për t'u shembur një ditë nga dridhjet më të vogla si kulla nga rëra. Albin Kurti kishte bindje në vetvete se afrimi i njerëzve anonimë nuk do ia zbehte figurën e tij prej lideri, ndërsa intelektualët do të ishin konkurrencë e mëvonshme e tij. Në anën tjetër Albin Kurtit u janë imponuar disa figura, si: Hydajet Hyseni lideri i demonstrative të 1981, Emrush Xhemajli, shef i LPKsë, Sadri Rambaja, Xhevat Bislimi…. aktivist i devotshëm për çështjen kombëtare dhe ndonjë tjetër, por shefi i VV-së këtyre figurave ua kishte kufizuar të drejtat, duke i anashkaluar në mënyra dhe metoda të sofistikuara. Këta dhe emra të tjerë nuk e kishin nevojën e ngritjes së vlerës së tyre, sepse pas vetes secili kishte bagazh patriotik sa krejt VVja dhe gjithnjë qëndronin të heshtur e të dëgjueshëm duke mos e ngritur zërin për hir të unitetit edhe para padrejtësive që u bëhej. Këto figura mbetën nën hije të aktivistëve të gjeneratës së rrokullisjeve të xhipave dhe thyerjeve të vitrinave të Prishtinës, pa menduar asnjëherë të shprehin mendimin e tyre demokratik. Brenda VV-së kishte edhe deputetë me pikëpamje demokratike si Glauk Konjuvca e disa tjerë, e që nuk mund të besonin se VV po i ngulfaste zërat demokratikë. Shkatërrimi i VV-së dhe problemet e tyre të brendshme nuk kanë filluar para një viti siç deklaruan Visar Ymeri e të tjerët, por problemet kanë filluar me ardhjen e Shpend Ahmetit, Ilir Dedës, Fisnik Ismailit e disa tjerëve, të cilët pas dështimit të partisë së tyre u rrasën nën sqetulla të Albin Kurtit, duke i shfrytëzuar lidhjet familjare të Visar Ymerit dhe rekomandimet e UDB-së. Të lexohen me vëmendje deklaratat e Fisnik Ismailit e do të vëreni se sa i pafytyrë është e sa mosmirënjohës është ky njeri. Ky farë Fisniku mendon se është shtylla e VVsë e në fakt ishte një anonimus që askush në Kosovë nuk ia kishte dëgjuar emrin, përveç lagjes së tij. Në VV ekzistonin forca të rrymave të ndryshme që nuk kishin asgjë të përbashkët përveç autoritetit të Albin Kurtit që secili përfitonte e ku secili priste momentin e duhur të shpërthente. Rryma më bagazh kombëtar qëndronte në heshtje dhe ende qëndron rryma e Shpend Ahmetit e etur për pushtet e pasuri shpërtheu, ndërsa rryma e rrokullisjeve së xhipave dhe shkatërrimit të pasurisë shoqërore janë ende të manipuluar, kurse rryma e bijve dhe bijave të spiunëve të UDB-së deklarohen herë pas here pa e ditur drejtimin që do e marrin në të ardhmen. Uniteti i këtyre rrymave nuk ka asnjë shans të jetë i qëndrueshëm për kohë të gjatë. Pastaj, negativisht ka ndikuar edhe ngritja në piedestal të disa militiantëve ende fëmijë dhe neglizhenca e figurave markante, pa të cilët historia e Kosovës nuk mund të shkruhet si ajo e Hydajetit, Emrushit, Xhevatit, Sadriut… me të cilët do të krenohej secila parti politike. Injorimi i figurave më biografi të pastër kombëtare dhe ngritja e figurave me bijtë e bijat e spiunëve ishte gabimi më i rëndë i Albin Kurtit. Albin Kurti ka ëndërruar të jetë një figurë emblematike në historinë e popullit shqiptar, e ngjashme më figura të tjera botërore si Che Gevara e disa tjera. Fatkeqësisht figura e tij, që nga aktet agresive ndaj institucioneve dhe personaliteteve të Kosovës, filloi të zbehet dhe të degradohet deri në m…t, siç e quajtën vetë disa deputetë të partisë së tij. Unë personalisht nuk pajtohem që Albini të etiketohet me fjalën më të pistë të fjalorit shqiptar. Klasifikimin që Aida Dërguti ia bëri Albinit nuk duhet të pranohet ashtu siç e thotë ajo, sepse me këtë deputetja në fjalë e ka treguar vetën se ajo është përtej m…tit. Ndahet apo nuk ndahet VV, Albin Kurti kurrë më nuk ka mundësi praktike të arrijnë famën që e kishte, përveç sakrificës fizike si Jan Pallahu. Të gjitha mundësitë demokratike Albin Kurti i ka shterur për të mbetur pjesë e historisë. Kosova kurrë më nuk ka nevojë për deputetë e ministra agresivë, por Kosova çdoherë do të ketë nevojën e ministrave dhe deputetëve intelektualë, të cilët nuk do të jenë pjesë, pa të cilët historia nuk shkruhet. 

E ardhmja e VV-së

Nuk është e domosdoshme që VV të ndahet në dy apo tri grupe të pavarura. Këta mund të qëndrojnë ende të bashkuar në një parti, por kurrë nuk do të kenë pajtim ndërpartiak stabil. Kurrë më Albin Kurti nuk do t'i besojë deputetes, e cila e ofendoi me fjalorin më të pistë. Si mund të falët dikush që të quan m… ?! Ajo këtë mendim e ka pasur të grumbulluar në vete pa guxuar të thoshte më herët. Sipas Schopenhauer, karakteri është i pandryshueshëm, që interpretohet se një njeri nëse të ofendon një herë, ai këtë do e bëjë gjithnjë, mirëpo kur ai do të ketë nevojën tënde do kërkojë falje, e përsëri më vonë do e bëjë të njëjtin gabim. Për hir të unitetit, VV mund të harrojnë problemet e brendshme përkohësisht, por në të ardhmen do të përballen me një gjendje edhe më të vështirë. Nga konfliktet e brendshme, ekziston mundësia që VV të ndahet në dy parti të pavarura njëra nga tjetra. Ndarja në dysh do të ndikojë në zbehjen e imazhit të liderëve dhe kurrë më nuk do jenë forca më e madhe, siç nuk do të jenë edhe nëse rrinë bashkë. Ndarja në dysh do të krijojë VV me personalitete të pasura dhe VV me personalitete të mesme. Në fillim të themelimit VV nuk kishte objektiv pasurimin personal, mirëpo më marrjen e pushtetit në Prishtinë filluan të pasuroheshin disa personalitete. Në postet ku ka para janë pozicionuar të porsaardhurit në VV, ndërsa një pjesë tjetër që ishin idealistë ata nuk kanë përfituar asgjë nga partia, përveç problemeve që kanë sjellë në familje të tyre. Si Albin Kurti edhe partia VV, të ndarë apo bashkë, nuk do të kenë kurrë më forcën dhe famën që e kishin. Mesazhi im i fundit për Albin Kurtin, për të cilin jam i njoftuar se në burgun e Lipjanit po i lexonte të gjitha gazetat dhe po ushqehej vetëm me bukë të zezë, dua t'i dërgoj selam se të ngrihesh kundër Amerikës dhe Evropës që na kanë çliruar kurrë nuk do të shndërrohesh në forcë politike as intelektuale, pavarësisht që Serbia, Arabia e Rusia kanë mundësi të investojnë në Kosovë. Në anën tjetër, më vjen shumë keq për Veton Surroin, i cili nuk do të ketë mundësi të bëhet kryetar apo kryeministër i Kosovës përmes VV-së, që kishte investuar shumë në këtë parti, sepse edhe ky e keqpërdori mirësinë amerikane. 

(Kosova Sot)