Arsyet për optimizëm në vitin 2018

Arsyet për optimizëm në vitin 2018
  • 10 January 2018 - 09:59

RREZIKU MË I MADH GJEOPOLITIK

Supozimi im i parë është se nuk do të ketë luftë në Gadishullin korean 

Shkruan: GIDEON RACHMAN

Viti 2018 po fillon me tregues ekonomikë dhe gjeopolitikë që shkojnë në drejtime të ndryshme. Tregjet globale të aksioneve janë në vlerat e tyre më të larta dhe besimi ekonomik është në rritje, në pjesën më të madhe të vendeve të zhvilluara. Por, derisa investitorët janë optimistë, ndjekësit e politikave ndërkombëtare janë tepër nervozë. Gjatë viteve të fundit, ishte Lindja e Mesme ajo që sillte lajme të këqija dhe Azia ajo që dukej e specializuar për optimizëm. Këtë vit mund të kemi ndryshim të këtyre roleve. Rreziku më i madh gjeopolitik ka të bëjë me një luftë në gadishullin korean. Nëse SHBA-ja realizon kërcënimet e presidentit Donald Trump, rreth përdorimit të "zjarrit dhe zemërimit" për ta çarmatosur Korenë Veriore, atëherë kjo do të ishte hera e parë që SHBA-ja bën luftë me një shtet tjetër bërthamor. Rreziqet me të vërtetë janë të paimagjinueshme. Në anën tjetër, ka disa gjëra të cilat mund të zhvillohen mirë në Lindjen e Mesme. Kombinimi i trazirave në Iran, reformave liberale në Arabinë Saudite, si dhe me mposhtjen përfundimtare të ISIS-it në fushëbetejë, do të paraqesë një dështim serioz për shumicën e fundamentalistëve dhe për format konfrontuese të islamizmit. Investitorët dhe ekonomistët duken sikur janë duke injoruar rrezikun e plasjes së një lufte në Korenë veriore. Por, ekspertët e sigurisë kombëtare janë shumë më pak optimistë. Shumë prej tyre thonë se atmosfera në Uashington tani është e ngjashme me atë para invadimit të Irakut, në vitin 2003 - kur establishmenti amerikan i politikës së jashtme e bindte vetveten se, një luftë parandaluese kundër Saddam Husseinit ishte një ide e mirë. Ngjashëm, tani lufta kundër Koresë veriore është duke kaluar nga zona e një gjëje të paimagjinueshme, në zonën e diçkaje që mund të merret me mend.  

Presidenti Trump jeton në një realitet krejtësisht të tij

Senatori Lindsey Graham, republikan, anëtar i Komitetit të shërbimeve të armatosura, thotë se kjo luftë është 'e paevitueshme', nëse Koreja Veriore nuk e ndalë programin e saj të armëve bërthamore. Gjenerali H.R. McMaster, këshilltari kryesor i presidentit për çështjet e sigurisë kombëtare, po ashtu mban qëndrime gjithnjë e më të ashpra. Ai ka thënë se "SHBA-ja do të bëjë çdo gjë të nevojshme" për ta ndalur programin bërthamor të Penjanit. Këto deklarata të pakompromise duhet të krahasohen me faktorët të cilët vazhdimisht kanë frenuar një sulm amerikan - para së gjithash me rrezikun që hakmarrja e Koresë veriore do të mund të shkaktonte me qindra mijëra viktima në Korenë jugore. Ekziston mundësia që Ushtria e SHBA-së i ka thënë Shtëpisë së Bardhë se mund t'i mbajë viktimat në Korenë jugore në një nivel të pranueshëm, me sulme paraprake të cilat kanë për cak raketat e Koresë Veriore, të cilat do të kenë për cak sulmi Seulin, kryeqytetin e Koresë Jugore. Por, edhe nëse një gjë e tillë funksionon, ajo do ta linte të hapur çështjen e gjetjes dhe mbajtjes nën kontroll të armëve bërthamore të regjimit, një mision, i cili me gjasë do të duhet të përfshijë edhe çizmet në terren. Ky variant duket i rrezikshëm që të merret me vend, sidomos kur dihet se, aleatët më të afërt amerikanë në Azi - Japonia, Koreja Jugore dhe Australia - nuk ka gjasa se do ta mbështesnin një sulm parandalues. Mesazhi i liderit të Koresë Veriore, që luante në kartën e kësaj ndarjeje, e kërcënonte SHBA-në me armë bërthamore, derisa Koresë Jugore i ofronte dialog. Për këtë shkak, supozimi im i parë për vitin 2018, është se, në fund, nuk do të ketë luftë në gadishullin korean. Një president konvencional do të ishte tepër i shqetësuar që 'kredibiliteti' i SHBA-së të komprometohet nga dështimi i realizimit të premtimit për ndaljen e programit bërthamor të Koresë Veriore. Por, presidenti Trump jeton në një realitet krejtësisht të tij, prandaj ka më pak të ngjarë që të shqetësohet për këto gjëra. Sido që të jetë, një rregull i artë rreth parashikimeve gjeopolitike është se ngjarjet me të vërtetë ndryshuese të botës - që nga rënia e Murit të Berlinit, e deri te sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, asnjëra prej tyre nuk ishin paraparë nga ekspertët. Shpërthimi i papritur i demonstratave këtë javë në rrugët e Iranit është një rikujtues i dobishëm i këtij fakti. 

Grupet rivale

Pesimizmi rëndom është 'basti' më i mirë në Lindjen e Mesme. Që nga lufta në Irak, e deri te Pranvera arabe dhe procesi paqësor midis çifutëve dhe palestinezëve, shpesh realizohen parashikimet më të zymta. Për këtë shkak, duket se rezultati më i mundshëm i protestave aktuale në Iran do të jetë shuarja e tyre, apo shtypja, sikur që ndodhi në vitin 2009. Në anën tjetër, fundamentalizmi islamik gjendet në një qorrsokak ekonomik dhe social, ku njerëzit, të ballafaquar me një gjendje të tillë, rëndom kërkojnë ndryshimin e rrugës. Një gjë e tillë mund të jetë tanimë duke u zhvilluar në Arabinë Saudite, ku princi i kurorës Mohammed Bin Salman, duket i vendosur që ta luftojë establishmentin vahabist. Nëse grupet rivale të islamikëve të ashpër humbin terrenin në Riad dhe Teheran - si dhe në fushëbetejat e Sirisë dhe Irakut - atëherë viti 2018 ka mundësi që të mbahet mend si një vit i mposhtjeve historike të fundamentalistëve islamikë. Ka ardhur koha që të pranojmë se mund të ketë befasi të mira, sikur edhe të këqija. Përkushtimi im i Vitit të Ri është që të përpiqem që të dal nga zymtësia e shkaktuar nga zgjedhja e Trumpit dhe referendumi Brexit. Në këtë frymë, mund të parashikoj se, pjesa më e madhe e rreziqeve të mëdha, të cilat aktualisht janë duke i shqetësuar ekspertët, nuk do të realizohen. Nuk do të ketë luftë në gadishullin korean, e as në Detin jugor kinez apo në Evropën lindore. BE-ja nuk do të shpërbëhet, negociatat Brexit nuk do të dështojnë dhe tregjet nuk do të falimentojnë. Përkundrazi, do të ketë ndryshime të mëdha dhe pozitive në Lindjen e Mesme. Dhe, Anglia do ta fitojë kupën botërore. 

(Kosova Sot)