Serbia dhe kisha ortodokse jo vetëm nga Beogradi, por edhe nga Shqipëria, Kosovën e quajnë Serbi

Serbia dhe kisha ortodokse jo vetëm nga Beogradi, por edhe nga Shqipëria, Kosovën e quajnë Serbi
  • 11 January 2018 - 08:23

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPIT

Politikanëve të Tiranës as sot nuk u intereson fare Kosova

Politika në Tiranë tashmë ka frikën se do të humbasë privilegjet, përfitimet dhe favoret personale, të cilat ajo i ka fituar duke vjedhur, duke grabitur dhe duke abuzuar me pushtetin

Kam shkruar dy shkrime kohë më parë me titull: Tiranë mjaft më me politikë anti-Kosovë. Mirëpo deklarimi i priftit malazez në Kishën ortodokse të Vrrakës në Shkodër me rastin e krishtlindjeve ortodokse si dhe pas tij edhe të ambasadorit serb në Shqipëri se Kosova është Serbi dhe mosreagimi i askujt në Shqipëri, as i pozitës, as i opozitës, as i Kishës Ortodokse shqiptare, dhe as i mediave dhe as i shoqërisë civile në Shqipëri ndaj këtyre provokimeve të rënda shoviniste si të Kishës ashtu edhe i diplomacisë serbe jo vetëm në Beograd dhe nëpër organizma e organizata ndërkombëtare, por madje edhe në shtetin shqiptar të Shqipërisë të lë përshtypjen se politika e Tiranës, por jo vetëm ajo, është një politikë që nuk i intereson Kosova dhe as çështja kombëtare shqiptare, pra nuk i intereson shumë Pavarësia e Kosovës, integrimi i Shqipërisë e jo më Bashkimi Kombëtar, ashtu sikurse edhe më parë që nuk i kanë interesuar shumë të drejtat kombëtare të shqiptarëve të Kosovës për liri e pavarësi.

Politika në Tiranë tashmë ka frikën se do të humbasë privilegjet

Ky "indiferentizëm" në çdo kohë i politikës së Tiranës ndaj Kosovës vërteton se politikës së Tiranës i ka interesuar gjithnjë vetëm pushteti dhe interesi personal dhe jo ai kombëtar, politikë e cila si qëllim ka edhe largimin kombëtar mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, largimin dhe thellimin e ndasive mes tyre e cila i shërben idesë antikombëtare të krijimit të një kombi kosovar. Politikanëve të Tiranës as sot nuk iu intereson fare Kosova dhe as integrimi i vetë Shqipërisë dhe as interesi i përgjithshëm kombëtar pasi atë e ka kapur paniku i VETTING-ut, i cili do ta bëjë ndëshkimin e krimit, korrupsionit dhe të vjedhjes të saj; do të bëjë dekriminalizimin dhe pastrimin e politikes shqiptare prej politikes antikombëtare. Politika në Tiranë tashmë ka frikën se do të humbasë privilegjet, përfitimet dhe favoret personale të cilat ajo i ka fituar duke vjedhur, grabitur dhe abuzuar me pushtetin. 

Disa pyetje për politikën...

Disa pyetje për politikën e Tiranës, për shoqërinë civile të Shqipërisë, për komunitetin ortodoks shqiptar, për mediet si dhe për "analistët", opinionistët, shkencëtarët dhe "akademikët" e Tiranës, të cilët nuk reagojnë dhe heshtin kur shteti dhe kleri ortodoks sllavo-serb e quajnë Kosovën Serbi, se: a është për ta Kosova Shqipëri, dhe a janë për Tiranën edhe Kosova Lindore, Jugu i Malit të Zi , Maqedonia Perëndimore dhe Çamëria , a janë ato Shqipëri, a janë ato troje dhe popullsi shqiptare? Edhe për rastin në fjalë të mos reagohet ndaj këtyre provokimeve të rënda, por të heshtësh, atëherë si duhet ta kuptojmë ndryshe heshtjen, përveçse si kapitullim dhe inferioritet e tradhti. Si ta kuptojmë "tolerancën" e shtetit të Shqipërisë kur ai miraton edhe ngritjen e varrezave të ushtarëve pushtues grek në Jug të Shqipërisë, dhe po sikur Tirana të miratojë edhe ngritjen e varrezave të ushtarëve serb në Veri siç dëshiron Kisha dhe shteti serb, ashtu sikurse me Ligj Shqipëria njohu edhe minoritetet e fabrikuara serbe , bullgare etj., ku për këtë Ligj politika e Tiranës mori vlerësim apo "notë pozitive" nga ambasadori serb në Tiranë. Këto a nuk parapërgatisin terrenin për ne favor te pretendimeve shoviniste greke e serbe edhe mbi vete Shqipërinë,atë që më vonë propaganda shoviniste antishqiptare kleriko-shtetërore serbe ta quajë edhe Shqipërinë Serbi, ashtu sikurse Greqia e cila pretendon për Jugun e Shqipërisë si Greqi? Si ta kuptojmë "heshtjen" edhe të islamofobëve dhe turkofobëve shqipfolës përveçse si greko-serbofilizëm të tyre kur ata helmojnë me propagandë antiturke dhe kundër myslimanizmit dhe fshihen e heshtin kur kaq lirshëm dhe guximshëm politika dhe kisha shoviniste serbe edhe në Shqipëri vepron e sillet kundër Kosovës dhe kundër interesave kombëtare shqiptare?

(Kosova Sot)