Juve, kuvendarëve, u mbetet të hënën t'i shqyrtoni keqpërdorimet, falsifikimet e komisionit të Mehës

Juve, kuvendarëve, u mbetet të hënën t'i shqyrtoni keqpërdorimet, falsifikimet e komisionit të Mehës
  • 12 January 2018 - 07:54

SHKRUAN: ALI KELMENDI

Ratifikimi i vijës së turpit - vijës së re kufitare delimituese false nga komisioni i Murat Mehës, i dakorduar me urdhrin, nënshkrimin dhe nën mbrojtjen e palëkundur të Hashim Thaçit, duke e anashkaluar vijën e vjetër ekzistuese të vërtetë të Demarkacionit të vitit 1945 për të shënuar një kufi krejtësisht tjetër në thellësinë tonën territoriale Kuqishte - Savina Vodë dhe dhënë - shitur 8230 hektarë të bjeshkës tonë Malit të Zi…!!!??? Po të ishte gjallë Kral Nikolla do të kishte kërkuar edhe ndonjë copë territori t'ia bashkëngjis Kuqishtës deri në Savina Vodë. "Do të kishte thënë se edhe ashtu në Mali i Zi i jemi afruar Pejës shumë afër dhe do të ishte fer nga ju miq dhe fqinjë të dashur të ma realizoni ëndrrën time të kamotshme, të ma jepni edhe Pejën me Patrikanë dhe Deçanin me Manastir. Këto dy Manastire janë më së të rëndësishme për Crna Gorën". Mbase ka edhe kësi "trimash" që do t'ia jepnin edhe Pejën me Deçanin me Manastire. E paramendoj së kush do të mund t'ia bënte edhe këtë nderë Malit të Zi; si. p.sh. Ramiz Kelmendi dhe ndoshta edhe i pari i Pejës, Gazmend Muhaxheri. Kjo punë nuk është e pa rrezikshme pasi që Rusia e sotme është më e fortë dhe më dominuese në Ballkan së Rusia Cariste e dikurshme që i ndihmoi Malit të Zi me mbi 9.000 km2 të tokave tona. Për këtë që u tha më lart, rrugën e hapi Hashim Thaçi me pseudonimin e luftës - Hashim Gjarpri. Mbeti gjithnjë gjarpër helmues i nëntokës, por edhe kur del në sipërfaqe vepron njëjtë. Karrierën e tij e ka mbështetur vetëm në përfitime karrieriste për pushtet që arriti gjer të kryetari i shtetit, me privilegje materiale, ndër to edhe duke i tjetërsuar - shitur tokat e zonave ndërkufitare. Po e them "shitjen" se blerësin e kishte të fortë dhe me tradita shekullore për ryshfete me dukate dhe uzurpime të tokave tona shekullore.

Tradhtia zgjati më së dy vjet

Bie fjala si i rriti Mali i Zi kufijtë kur në Kongresin e Berlinit kishte vetëm 4.400 km2. Me luftërat Ballkanike i rriti dhe i rrumbullakosi në 13.812 km2. Krejt kjo në dem të tokave shqiptare. Te shqiptarët nuk ka qenë zakon të shiten tokat e shtetit me dukat apo para, siç iu ofrua dukati edhe kushëririt Prek Calit për Vermoshin e Kelmendit. Trimi nuk e pranoi dhe mbrojti kufirin me pushkë në dorë¨. Për kufirin tonë kosovar si duket u thye ajo traditë. Nuk mund të besohet se iu falën Malit të Zi 8230 hektarë tokë të trevave të Rugovës, Deçanit dhe Podgurit, pa e pyetur askënd, vetëm e vetëm krye në veti, siç veproi Hashimi! Ky siç veproi edhe e nënshkroi në Vjenë në gusht të 2015-s, duke i shkelur ligjet e shtetit dhe Kushtetutën. Së pari u bë tradhtia që në vend të demarkimit u ngreh delimitimi - vija e re kufitare Kuqishtë -Savina Vodë. Kjo tradhti zgjati më së dy vite pa u kuptuar dhe bërë transparente për kuvendarët dhe popullin. Zonja Lunaqek e PE-së i tha Hashimit që nuk ka guxuar ta nënshkruajë marrëveshjen pa qenë i sigurt se i ka votat e deputetëve për ratifikim, apo së pari është dashur t'u ofrohet këtyre për analizë dhe eventualisht për ratifikim. Shul shqip i tha se Hashimi duhet marrë përgjegjësinë mbi vete për kryeneçësinë dhe papërgjegjësinë e tij. Asnjë nga organet përkatëse shtetërore nuk ngrehu procedurë kundër Hashimit në Prokurorinë e Shtetit ose në Kushtetuese. Ndërsa ky me sejmenët e tij gjithnjë jep afate kuvendarëve për ratifikimin e marrëveshjes së tij. Në dallim me këtë, kur u nënshkrua peticioni nga veteranët dhe u nënshkruan 43 deputetë për shfuqizimin e Speciales, Hashimi deklaroi që së pari kjo është detyrë e të zgjedhurve të popullit - të deputetëve, ta votojnë me shumicën e nevojshme dhe pastaj do ta nënshkruaj unë, Hashimi, shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Pse Hashimi nuk ua kërkoi Marrëveshjen e Delimitimit së pari të votohet nga deputetët në Kuvend dhe me pastaj ta nënshkruajë atë në Vjenë.

Askush nuk mund t'i garantojë Kosovës liberalizimin e vizave

 Në terren ka lëshuar tellallët për të propaganduar dhe bindur popullin dhe deputetët që marrëveshja duhet patjetër të ratifikohet në Kuvend. Ditëve të fundit një analist i quajtur Nexhat Haziri thotë se 'është e frikshme të mendohet dështimi i ratifikimit'. Kësi soji të pseudoanalistëve janë bërë goxha shumë me deklarata kuturu dhe shkrime nëpër portale dhe gazeta. A janë këta argatë të Hashimit apo 'analistë politikë apo analistë kufitarë'. Besoj që asnjëra. Shembull jep profesori Avni Mazreku, ku deklaron se askush nuk garanton, as nuk mund t'i garantojë Kosovës se ajo të përfitojë liberalizim vizash edhe nëse ratifikohet marrëveshja për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Së pari duhet të bëhet votimi në BE. Procesi duhet të procedohet në BE, përkatë- sisht në konfiguracionin e ministrave të brendshëm dhe Këshillit të BE-së. Është përgjegjësi e ministrave të brendshëm të 28 shteteve anëtare të vendosin pro apo kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Pastaj, BE nuk e ka njohur subjektivitetin juridik ndërkombëtar të Kosovës. Pra nuk e njeh Kosovën si palë kontraktuale. Edhe pesë shtete nuk na kanë njohur fare. Në fund po ju drejtohem Juve deputet/e të nderuar/a të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të zgjedhur pas lufte nga populli juaj e që është kënaqësi e nder ta përfaqë- soni atë me përgjegjësi të plotë për interesat e tij dhe interesat patriotike dhe kombëtare. Vendoseni dorë në zemër dhe mbështetni popullin, dijani hallin e tij, merrni në konsideratë kërkesat e tij. Për t'i zbatuar kërkesat e tij ata ju kanë zgjedhur ju ta përfaqësoni.. Nëse ju të nderuar deputetë nuk i mbroni atdheun tuaj dhe sovranitetin e tij, atëherë kush do t'i mbrojë!? Nga ju mbetet të vendosni për të ardhmen e Kosovës me kufijtë e pacenueshëm të saj, e cila po na zvogëlohet përditë. Pas kësaj marrëveshje do të vijë demarkimi me Serbinë, ku përfaqësuesi i saj, Gjuriq, deklaroi së 56 për qind e Kosovës është e Serbisë dhe kanë dokumentet kadastrale.

(Kosova Sot)