A mund të përtërihet demokracia evropiane me anë të lëvizjeve politike? - Opinione - Kosova Sot
A mund tė pėrtėrihet demokracia evropiane me anė tė lėvizjeve politike?

A mund tė pėrtėrihet demokracia evropiane me anė tė lėvizjeve politike?

Shkruan: JAN-WERNER MUELLER

Shumë njerëz kishin pritur që storja e madhe politike e vitit 2017 të ishte rreth triumfit të populizmit në Evropë. Por, gjërat nuk dolën ashtu. Në vend të kësaj, storja më e madhe ishte rreth "lëvizjeve" të vetësajuara, të cilat ndryshuan, apo zëvendësuan partitë tradicionale politike. Merreni shembullin e lëvizjes së presidentit francez Emmanuel Macron, "La Republique En Marche!", e cila fitoi zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare franceze. Apo, shikoni sesi, në fund të vitit, 31 vjeçi Sebastian Kurz u bë kancelar i Austrisë, pasi që partinë konservatore austriake Partia popullore austriake (OVP) e shndërroi në një lëvizje të quajtur "Lista Sebastian Kurz - Partia e re popullore". Në tërë kontinentin evropian, një numër gjithnjë e më i madh i votuesve janë bindur se partitë tradicionale e këqyrin vetëm interesin e tyre dhe janë të etura për pushtet. Edhe në vendet në zhvillim, partitë me pedigre të mira, sikur që është Kongresi nacional afrikan (ANC) në Afrikën Jugore, tani gjerësisht janë duke u konsideruar si të korruptuara. Në shumë raste, partitë tradicionale janë bërë, sikur që quhen nga shkencëtarët politikë, "kartele": ato përdorin pasuritë shtetërore që të mbesin në pushtet dhe, pa marrë parasysh dallimet e tyre politike, ato shpesh punojnë bashkë për t'i mbajtur larg sfiduesit. Votuesit e rinj, në veçanti, duket të jenë më pak të interesuar që të punojnë për partitë tradicionale, të cilat ata i shohin si tepër burokratike dhe, si rrjedhim, të mërzitshme. Për këtë shkak, nuk befason fakti që eksperimentet më inovative politike në Evropë, viteve të fundit, kanë lindur nga protestat e rrugëve dhe tubimet masive të cilat shkatërruan format hierarkike të organizimit.

Lëvizjet politike

 Për shembull, partia spanjolle e krahut të majtë, "Podemos", u formua pas demonstratave masive të të indinjuarve në vitin 2011. Lëvizja populiste italiane, "Pesë Yjet" (M5S), e cila fitoi më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare italiane të vitit 2013 dhe që pritet të arrijë rezultat të mirë edhe në zgjedhjet e sivjetme, doli nga tubimet e mëdha të organizuara nga komiku Beppe Grillo, kundër "kastës", emërtim poshtërues i asaj që ai e sheh si kastë të politikanëve dhe gazetarëve profesionalistë të vendit. Megjithatë, diçka qesharake ka ndodhur në lidhje me origjinën e këtyre lëvizjeve. Edhe pse vazhdimisht kanë reklamuar format horizontale të organizimit dhe një demokraci participuese, liderët karizmatikë të tyre kanë përqendruar një fuqi të madhe në duart e tyre. Për shembull, sekretari i përgjithshëm i partisë "Podemos", Pablo Iglesias, ka marrë kritika nga aktivistët idealistë të lëvizjes për shkak të "hiper-lidershipit" të tij dhe "Leninizmit online". Grillo nuk mban asnjë post zyrtar në partinë e tij M5S, e cila nuk e konsideron veten si asociacion, megjithatë ai posedon blogun, i cili ka luajtur rolin kyç për suksesin e kësaj lëvizjeje, si dhe të drejtat rreth përdorimit të simboleve zyrtare të lëvizjes. Dhe, ata që konkurrojnë për poste publike nën flamurin e lëvizjes M5S, duhet ta nënshkruajnë një kontratë ku premtojnë se do t'i paguajnë gjobat, nëse thyejnë parimet e partisë. mNatyrisht, lëvizjet politike nuk është thënë që të jenë doemos populiste për nga natyra. Sikur që kanë dëshmuar të gjelbrit dhe lëvizjet feministe, një lëvizje mund të kontestojë format tradicionale të politikës pa pretenduar se prezanton "popullin e vërtetë", apo "shumicën e heshtur". Por, lëvizjet politike të tashme po ashtu tentojnë që të jenë më pak pluraliste sesa partitë e mëdha, të cilat kishin dominuar politikën evropiane të pas luftës së dytë botërore. Kjo ka sens, duke pasur parasysh se "lëvizja" implikon jo vetëm dinamizmin, por edhe një supozim se të gjithë anëtarët të pajtohen tërësisht rreth rrugës që duhet ndjekur. Problemi qëndron te fakti se, kur të gjithë gjoja pajtohen rreth rrugës që duhet ndjekur, duket të mos ketë nevojë për diskutime të gjera demokratike. Për këtë shkak, lëvizjet që janë paraqitur në Evropë gjatë viteve të fundit - si në të majtë, po ashtu edhe në të djathtë - janë përqendruar te forcimi i liderëve të tyre, sesa te forcimi i anëtarësisë së gjerë, bile edhe në rastet kur ato e vënë theksin te demokracia pjesëmarrëse.

Platforma konservatore

 Në rastin e Macronit dhe Kurzit, secili prej tyre i ka 'mëshuar' nevojës së dinamizmit dhe qëllimit, të cilat rëndom janë tipari kryesor i lëvizjeve politike me "qëllim të vetëm". Kurz, nga ana e tij, e ka anuar tërë partinë OVP sipas vullnetit të tij. Përpos që asaj ia ka vënë një emër të ri, ai ka riorganizuar strukturat e saj të brendshme dhe ka ndryshuar ngjyrën e saj zyrtare nga e zeza, te tirkizi. Megjithatë, platforma konservatore e partisë thuajse nuk ka ndryshuar aspak, gjë që sugjeron se veprimet e Kurzit kanë të bëjnë më shumë me një marketing dhe me theksimin e autoritetit të tij personal, sesa me ndonjë gjë tjetër. Në fund, "Podemos", "La République En Marche!" dhe "Momentum", lëvizja rinore e cila i ndihmoi Jeremy Corbynit që ta reformonte platformën e Partisë laburiste britanike, nuk janë të rëndësishme për vet shkakun se janë lëvizje, por për shkak se ofrojnë më shumë zgjidhje politike për qytetarët, sidomos për ata të frustruar nga bipolariteti - sistemet politike të dominuara nga dy parti tradicionale, që ofrojnë gjëra gati identike. Në rastin e Corbyn'it, lëvizjet politike mund të rithemelojnë kredencialet progresive laburiste dhe ta kthejnë mbrapshtë atë që shumë e kishin parë si përqafim të politikave neoliberale nën ish kryeministrin Tony Blair. Por, do të ishte naive të mendonim se vet lëvizjet e bëjnë politikën evropiane më demokratike. Bile, ato do të mund të operonin në një mënyrë edhe më pak demokratike sesa partitë tradicionale, për shkak të formave të tyre të forta plebishitare të lidershipit.

(Jan-Werner Mueller është profesor i politikës në Universitetin "Princeton". Libri i tij më i ri është "What is Populism?")

(Kosova Sot)

16 orë e 12 minuta më parë
18/01/18
aaaaaaaa