Kush po i dëmton shëndetin dhe ekonominë e Republikës së Kosovës?

Kush po i dëmton shëndetin dhe ekonominë e Republikës së Kosovës?
  • 14 January 2018 - 07:48

SHKRUAN: RAMADAN MALOKU

Është një dukuri dhe praktikë që shteti me masa të politikave fiskale të mbrohet shëndeti i popullsisë dhe të ruhet rritja e ekonomisë, meqë është me interes kombëtar. Në Kosovë nuk ndodhe e njëjta gjë, pasi që çdo qeveri deri më tani që ka ardhur në pushtet kanë marrë vendime vetëm për një qëllim, mbushjen e buxhetit, pa llogaritur efektet prodhuese negative. Konkretisht bëhet fjalë për Udhëzimin Administrativ të akcizës së gazit nga Qeveria e fundit e Isa Mustafës, që akcizën e gazit e kanë rritur nga 0.05 cent për një litër në 0.15 cent për një litër ose nga 90.00 euro për tonë në 300.00 euro për tonë. Rritje kjo që ka çrregulluar në tërësi importin dhe tregtimin me këtë lëndë djegëse, meqë para hyrjes në fuqi pjesëmarrja në total në amvisëri dhe ngrohje ka qenë mbi 20 për qind, ndërsa tani nuk kap shifrën as në 3 për qind dhe një rënie e tillë drastike vjen si rezultat i kostos tepër të lartë që ofrohet në treg në krahasim me lëndët tjera djegëse. Gjithashtu është edhe një disproporcion i madh i normës së akcizës në Kosovë në krahasim me shtetet fqinje ku është si vijon: Republika e Maqedonisë, akcizën e ka 90.00 euro për një ton ose 0.05 cent për një litër. Kurse Republika e Shqipërisë akcizën e ka 106 dollarë amerikanë për një ton ose 0.05 cent për një litër. Në shtetet fqinje, siç janë Maqedonia dhe Shqipëria, akciza për ngrohje, amvisëri, hotele, motele, restorante, punëtori zejtarë, furra buke etj., kjo lëndë djegëse nuk ka fare akcizë, ngase ajo e mbron shëndetin dhe ekonominë.

Efektet negative të buxhetit

 Ky ndryshim aq i madh i akcizës në krahasim me vendet në regjion ,të bërit biznes po e bën edhe shume të vështirë, meqë edhe një pjesë e madhe e qytetarëve që po i vizitojnë shtetet në fjalë edhe furnizohen me këtë lëndë djegëse që për buxhetin e Kosovës prodhon efekte negative. Një praktikë është që shtetet e zhvilluara për disa lëndë djegëse siç është gazi propan butan lirohet për ekonomi, për amvisëri, për ngrohje, për vetura që përdorin auto-gazin. Shtetet e Perëndimit për hargjuesit e kësaj lënde djegëse i lirojnë nga taksat komunale dhe taksat e regjistrimit të veturave si dhe gazin për ngrohje e kanë me tarifa stimuluese, e cila praktikë te ne në Kosovë nuk aplikohet fare. Të gjitha këto lirime ose lehtësira ndikojnë direkt në konsumin edhe më të madh, për arsye se kjo lëndë djegëse është shumë më ekologjike se lëndët e tjera djegëse, e që domethënë se e mbron edhe ambientin dhe shëndetin e popullsisë ku përdoret kjo lëndë djegëse. Ndërsa në Kosovë kjo nuk është duke u marrë parasysh dhe mu për këtë mund të themi se një prej arsyeve se qyteti ynë Prishtina është ndër vendet më të ndotura në kontinentin tonë. Andaj ulja e akcizës së gazit propan butan do të prodhonte efekte pozitive buxhetore.

Rritja e standardit jetësor

Veç saj, ulja e akcizës do të mbronte ambientin dhe shëndetin e popullatës dhe që në veçanti ka vlerë të pakompensueshme. Ulja e akcizës së lëndës djegëse gazit propan butan do të jetë pa dyshim ndër më efikasit për ngrohje në M-3 e krahasuar me lëndët tjera djegëse siç janë: druri, peleti, thëngjilli, vaji për ngrohje, nafta për ngrohje. Efektet e përdorimit të gazit propan butan nuk i ka asnjë nga sa u cek më lart. Ndaj për të dëshmuar këtë ia vlen një bashkëpunim, konsultim dhe një koordinim me ekspertët e të disa ministrive, siç janë ata të: Ministrisë të Mjedisit Hapësinor, Ministrisë të Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë të Tregtisë dhe Industrisë, Ministrisë të Financave. Në këtë mënyrë do ta zgjidhnin në mënyrë më meritore problemin e mbrojtës së ambientit, shëndetit dhe ekonomisë kombëtare. Ulja e akcizës së gazit propan butan që për tërë ekonominë kombëtare do të ndihmojë në uljen e kostos së prodhimit për njësisë prodhuese, e cila ndikon në rritjen e shportës së konsumatorit të Kosovës, rritjen e eksportit të produkteve vendore, rritjen e interesimit të investitorëve ndërkombëtarë. Vendim për uljen e akcizës së gazit propan butan nga 0.15 cent/litër në 0.05 cent për litër, siç e kanë vendet e regjion, rezulton në rritjen e standardit jetësor të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot)