Presidenti i Kosovës lobon gabimisht

Presidenti i Kosovës lobon gabimisht
  • 15 January 2018 - 08:05

Harresa e intelektualëve

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Ne shqiptarët jemi mësuar që të vlerësojmë gjërat vetëm aty ku kërcet alltia dhe t'i bëjmë heronj ata që zbrazin plumbat e t'i harrojmë intelektualët që vargjet e tyre u shndërruan në plumba edhe më rrezikshëm kundër armikut. 

Kur filloi lobingu?

Lobimi që është duke u bërë për Kosovën që nga paslufta e këtej, është vetëm shpenzim i buxhetit nga taksapaguesit tanë. Që nga paslufta ka filluar lobim i gabueshëm, duke derdhur para kotë e pa dhënë asnjë rezultat në favor të shtetit tonë. Para luftës shqiptarët e diasporës me fuqitë e veta kanë zhvilluar lobing, duke u përpjekur secili në mënyrën e tij pa qenë të vetëdijshëm se ata ishin pionierët e parë të përmirësimit të imazhit të shqiptarëve që jetonin nën okupim. Lobingu është zhvilluar në: Bruksel, Gjenevë, Paris, Bon dhe Uashington. Në shtetet e Bashkuara të Amerikës të parët që kanë filluar të merren më internacionalizimin e dramës kosovare ishte disidenti i shquar, prof. Luan Gashi dhe i riu Maliq Arifaj, e pastaj rreth viteve të '80-ta u angazhuan edhe shumë kosovarë të tjerë e veçmas Klubi "Jusuf Gërvalla" në Nju Jork, të cilët e kontaktuan Diogardin që asokohe ishte kongresmen. Pavarësisht që Diogardi paguhej nga mërgata shqiptare në SHBA, ai arriti që çështja e shqiptarëve të robëruar nën Jugosllavi të depërtonte në Stejt Departament amerikan. Biznesmenët shqiptarë të cilët financiarisht e ndihmonin Diogardin, nuk mund të quhen lobistë, por thjesht kontribuues të vendosur për çlirimin e Kosovës dhe këta biznesmenë i meritojnë mirënjohjet nga shteti ynë aktual. 

Lobingu në Bruksel, më i frytshmi në botë

Në Bruksel mërgata shqiptare kryesisht përbëhej nga emigrantët shqiptarë të dalë në Kosovë e pastaj shkuan në Bruksel. Deri në vitet e 70- ta mërgata shqiptare e Belgjikës ishte e koncentruar kundër sistemit të Enver Hoxhës dhe e ndarë në disa parti e grupe më orientime të ndryshme politike, si balliste,zogiste, legaliteti … Më shkuarjen e Enver Hadrit në vitin 1973, u aktivizua edhe pjesa e shqiptarëve të viseve shqiptare nën Jugosllavi. Gjer më ngjarjet e Pranverës 1981, në Bruksel nuk kishte ndonjë lobing që mund të shënohet si pikënisje, mirëpo 12 prill 1981 Enver Hadri kishte organizuar një manifestim në përkrahje të studentëve të Kosovës më ç'rast manifestimin tonë e përshëndeti senatori belg Vyli Cyipers, falas, pa na kërkuar asnjë cent, të kundërtën që e kishte bërë Diogardi më shqiptarët në Nju Jork disa kohë më vonë. Gjatë viteve në vazhdim, Enver Hadri dhe ekipi i tij kishin arritur të afronin personalitete të shumta europarlamentare dhe figura tjera politike belge dhe evropiane, e në mesin e tyre: senatorë, ministra, ambasadorë, burrështetas e gazetarë. Komiteti i Enver Hadrit arriti që Parlamenti Evropian të aprovonte rezolutën e parë në favor të Kosovës dhe ta dërgonim në Kosovë një delegacion të Parlamentit Evropian prej 25 eurodeputetëve në mesin e vitit 1989, si dhe ekipin e parë televiziv RTBF, të cilët e përgatitën një reportazh kushtuar ngjarjeve të Kosovës e që ishte reportazhi i parë i realizuar nga një televizion Perëndimor. Me vrasjen e Enver Hadrit, Behare Rexhepi, që ishte bashkëpunëtore e ngushtë e Enver Hadrit, e themeloi Byronë Informative të Kosovës. Behare Rexhepi me ekipin e saj arriti që të zgjeronte numrin e personaliteteve politike evropiane në favor të popullit tonë. Kështu që në mars të vitit 1990 Behare Rexhepi e organizoi një konferencë për medie në Parlamentin Evropian. Kjo konferencë ishte historike, sepse kurrë më parë ne nuk kishim arritur që të kemi përkrahjen e eurodeputetëve për të mbajtur konferencë brenda lokaleve të Parlamentit. Vetëm katër muaj më vonë Behare Rexhepi me ekipin e saj arriti të siguronte një numër të madh eurodeputetësh që Ibrahim Rugova të ftohej zyrtarisht nga Parlamenti Evropian, vizitë e cila do të organizohej nga 29 qershori deri më 13 korrik 1990. Brenda një kohe të shkurtër Behare Rexhepi e bëri të mundur që Senati i Belgjikës të aprovonte një rezolutë në favor të Kosovës, e cila rezolutë do të ishte e para dhe e fundit që ndonjë shtet evropian do të aprovonte. Byroja Informative e Kosovës, e udhëhequr nga Behare Rexhepi, kishte ndikuar që nga viti 1990 - 1999 , që Parlamenti Evropian të aprovonte mbi 25 rezoluta në favor të dramës kosovare. Nga lobingu që bënte ekipi i Behare Rexhepit në NATO&Parlamentin Evropian, Senatin belg, ambasada të shumta evropiane dhe gazetarë të politikës së jashtme, bëri që të gjitha personalitetet politike dhe kulturore nga Kosova të vinin në vizita zyrtare në institucionet evropiane duke mos e përjashtuar as Konferencën e Paqes mbi Jugosllavi. Mbi lobingun që e ka bërë Behare Rexhepi më së miri do të mësoni edhe në librin e Gert Ahrensit "Diplomacia mbi tehun e thikës", botuar më 2010. Lobingu në Bon& Gjenevë& Paris. Shqiptarët që jetonin në Gjermani po ashtu e kishin grupin e tyre për të lobuar për Kosovën, e më aktivë në këtë aspekt ishte grupi i Ibrahim Kelmendit i përkrahur nga aktivisti Hyzri Reka. Ky grup më së shumti do të aktivizohej në organizimin e demonstratave, dhe natyrisht duke ftuar personalitete politike gjermane në përkrahje të Kosovës. Grupi i lobistëve në Gjermani e kishte të vështirë të zhvillonte lobing efektiv, sepse orientimi i tyre ishte majtist. Ky grup kishte arritur që t'i afronte disa personalitete gjermane majtiste por që nuk çonin peshë në Budenstagun gjerman. Pavarësisht kësaj lobingu vazhdonte dhe ishte në dobi të çështjes kombëtare. Në Gjenevë punët rreth lobingut qëndronin më ndryshe se në Gjermani. Grupin e Gjenevës e drejtonte Xhafer Shatri, i cili kishte arritur të përfitonte simpatinë e ndonjë figure politike ndërkombëtare, por jo figurat kuqe të politikës ndërkombëtare duke e pasur parasysh se aty ishte OKB. Edhe kur Xhafer Shatri u nominua Ministër për Informim në qeverinë në ekzil, grupi i tij përveç buletinit Informativ dhe ndonjë kontakti të formatit të vogël nuk kishte arritur të zgjeronte kontaktet e mëparshme. Në Paris njëri ndër lobuesit më aktiv shquhej Musa Jupolli, i cili kishte arritur që të kontaktonte Ibrahim Rugovën më kryetarin e Francës Zhak Shirakun . Musa Jupolli në ekipin e tij për të lobuar për Kosovën kishte afrua rreth tij Ismail Kadarenë dhe shumë personalitete kulturore e politike franceze. Emrat e sipërpërmendur ishin ambasadorët e parë të Kosovës, të cilët vepruan vullnetarisht dhe pa asnjë kompensim. Që nga paslufta e deri sot, asnjë qeveri kurrë nuk u interesua që ndonjërin prej këtyre emrave t'i angazhonte dhe jo vetëm që nuk i angazhuan, por edhe u injoruan skajshmërish.

Kosova zyrtarisht e filloi lobingun

Që nga viti 2001, Kosova që si "qeveri" e kishte grupin K.P.A. që përbëhej nga Rugova, Thaçi, Qosja dhe Mark Krasniqi, e angazhuan një grup për të lobuar për imazhin e Kosovës. Ky grup udhëhiqej më duket nga Ramë Maraj dhe Genc Kelmendi. Grupi nuk kishte asnjë përvojë politike dhe aftësi për të lobuar. Ky grup e kishte angazhuar një hungarez të cilin e paguanin qindra-mijëra DM për të mos bërë asgjë. Hungarezi kishte dy pengesa kryesore për të lobur për Kosovën: e para, se ai refuzohej nga të gjitha personalitetet si në NATO edhe nga Parlamenti Evropian sepse ai nuk ishte shqiptar, e dyta se ai nuk e kishte në zemër Kosovën. Në këtë mënyrë misioni i tyre përfundoi disa vite më vonë pa asnjë rezultat konkret, përveç harxhimin e miliona markave gjermane për xhepat e tyre privatë. Më formimin e shtetit tonë 2008, qeveria jonë e angazhoi një kompani izraelite për të lobuar në favor të Kosovës. Ky hap ishte po ashtu i gabueshëm, sepse grupi izraelit nuk bëri asgjë më shumë se një reklamë të paguar në CNN dhe në disa faqe të revistave prestigjioze amerikane. Këto ditë presidenti ynë Hashim Thaçi e angazhoi një firmë po ashtu të huaj që ka aftësi për lobing, por vetëm për takime më kryetarin Trump e asgjë më shumë. Kjo kompani do të ndihmojë që personalitetet e Kosovës ta takojnë kryetarin e SHBAsë në lutjet e mëngjesit dhe të dalin në fotografi e hiçgjë më tepër. Pa e rregulluar gjendjen sociale, gjyqësinë, korrupsionin… kot shpenzohen para nëpër botë. Imazhi i vendit dhe personaliteteve përmirësohet me punë e jo me reklama.

Lobistët serbë, aktivë dhe profesionistë

Serbia ka vite që ka angazhuar një numër të madh intelektualësh për të lobuar në NATO, Parlamentin Evropian dhe institucione të tjera relevante në kryeqytetin evropian - Bruksel. Serbët në Bruksel veprojnë në formë ekipore në të gjitha fushat: kontaktojnë krijuesit, kontaktojnë politikanët në dreka dhe darka të ndryshme, gazetarët dhe burrështetas. Ky grup i ka të pakufizuara pagesat për darka, dreka, lojëra të ndryshme sportive si golf, teatër, festivale etj. Grupi serb ka arritur që ta fitojnë simpatinë e evropianëve sa që aktualisht Serbia merret viktimë e ne Kosova agresorë. A është e drejtë kjo ? Nuk është dhe nuk qëndron, mirëpo bota kështu funksionon. 

A ka kohë Kosova për të përmirësuar gabimin?

Natyrisht që Kosova ende ka kohë për të përmirësuar gabimin dhe imazhin e saj. Qeveria e Kosovës gjer më tani ka humbur shumë në këtë fushë, e sidomos duke i dërguar ambasadorët e Kosovës, të cilët shumica prej tyre janë bijtë e spiunëve të Serbisë, ose spiunë vetë. Kosova se pari duhet t'i pastrojë ambasadorët e pastaj të rifillojë themelimin e një grupi të lobistëve të shquar, të cilët duhet të jenë atdhedashës e jo përfitues. Pa modesti dhe pa asnjë frikë dua të deklaroj publikisht që, sikur Qeveria e Kosovës të formonte një grup lobistësh shqiptarë në favor të Kosovës dhe këtë grup ta ushtroja unë (Reshat Sahitaj) pak kohë, grupi im do të ndryshonte rrënjësisht imazhin e shtetit të Kosovës. Mirëpo Kosova nuk ka nevojë për eksperiencën time 30-vjeçare në institucionet më të rëndësishme evropiane, Kosova nuk e ka nevojën e Behare Rexhepit. Kosova nuk e ka nevojën e Musa Jupollit dhe tërë atyre individëve që dikur vepruan duke harxhuar paratë personale. Kam bindjen që Kosova nuk e ndjen të nevojshme përmirësimin e imazhit të shtetit tonë, por janë të prirë në shkatërrimin dhe krijimin e kushteve për një destabilitet të brendshëm. Çdo president i Kosovës deri më sot i kanë dekoruar më mirënjohje më shumë spiunë sesa veprimtarët e devotshëm të çështjes kombëtare. A u dekorua Behare Rexhepi ? A u dekorua Musa Jupolli ? A u dekorua Ekrem Krasniqi? A u dekorua Ymer Elshani ? Jo!

(Kosova Sot)