Rritja ekonomike mbetet e ndjeshme ndaj krizave financiare, tronditjeve dhe luftës

Rritja ekonomike mbetet e ndjeshme ndaj krizave financiare, tronditjeve dhe luftës
  • 21 January 2018 - 13:42

EKONOMIA DHE POLITIKA BOTËRORE 

Rreziqet për një konflikt direkt midis këtyre dy superfuqive janë reale

Në fillim të vitit 2018, bota paraqet një kontrast midis politikave depresive dhe ekonomisë së përmirësuar. A mundet të vazhdojë ky dallim deri në pafundësi? Apo, a do të ndikojë njëri, te faktori tjetër? Nëse po, atëherë a do të prishet ekonomia nga politikat e këqija, apo një ekonomi e mirë do ta shërojë edhe politikën e keqe? Sikur që thash javën e kaluar, mund t'i identifikojmë disa rreziqe ndaj rendit politik bashkëpunues global. Përzgjedhja e Donald Trump-it, një nacionalisti luftarak, me pak përkushtim ndaj normave të demokracisë liberale, rrezikon që ta prishë koherencën e Perëndimit. Autoritarizmi është duke u rishfaqur dhe besimi te institucionet demokratike është thuajse kudo në rënie. Në ndërkohë, menaxhimi i një bote të ndërvarur kërkon bashkëpunim midis vendeve të fuqishme, sidomos SHBA-së dhe Kinës. Edhe më keq, rreziqet për një konflikt direkt midis këtyre dy superfuqive janë reale. Përkundër kësaj, ekonomia botërore është duke u rritur, të paktën sipas standardeve të dekadës së kaluar. Sipas parashikimeve, optimizmi rreth perspektivave për rritjen e këtij viti është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme për SHBA-në, eurozonën, Japoninë dhe Rusinë. Parashikohet po ashtu edhe një rritje globale prej 3.2% vitin e ardhshëm (me çmime të tregut). 

Tronditjet e inflacionit

Ekonomisti Gavyn Davies është edhe më optimist. Ai pret një rritje edhe më të madhe. Bile, ai thotë se aktiviteti global është aktualisht duke u rritur me një shkallë vjetore prej rreth 5% (të matur sipas paritetit së fuqisë blerëse, e cila rrit shkallën e rritjes ekonomike botërore për rreth 0,5%). Por, ky trend nuk është i qëndrueshëm. Një përgjigje optimiste do të ishte se parashikuesit e kanë nënvlerësuar trendin. Ajo që ka më shumë rëndësi, investimet janë duke luajtur një rol të madh në krijimin e një kërkese më të madhe, sidomos në eurozonë. Kërkesa më e madhe shkakton rritje të investimeve. Në gjysmën e dytë të vitit 2017, thotë Davies, investimet në SHBA, eurozonë dhe Japoni janë rritur në norma reale prej 8-10% për çerekvit, gjë që është shumë më mirë që nga viti 2010. Nëse kjo normë e rritjes del të jetë e paqëndrueshme, atëherë shtrohet pyetja a do ta ketë ajo një përfundim të ngadaltë, apo të menjëhershëm. Rreziqet për kriza janë të mëdha, duke pasur parasysh nivelet e rritura të borxheve dhe çmimit të lartë të aseteve, kryesisht të stoqeve amerikane. Në ndërkohë, inflacioni mbetet nën kontroll, derisa normat reale dhe nominale të interesit, të ulëta. Por, kriza mund të arrijë lehtë, ndoshta nga një rritje e inflacionit, apo për shkak të dyshimeve rreth solvencës së borxhlinjve të mëdhenj. Ajo mund të shkaktohet edhe nga kolapsi i çmimeve të mbivlerësuara të aseteve, apo nga kriza në tregjet e stërngarkuara të borxheve. Nëse ekonomitë më pas fillojnë që të ngadalësohen në mënyrë të dukshme, atëherë hapësira për manovrim në politikën monetare, apo fiskale, në vendet me të ardhura të larta, do të duket e vogël. Por, sikur që kam thënë një vit më parë, krizat e tilla të mëdha ekonomike janë të rralla. Është mbresëlënëse që ekonomia botërore është rritur çdo vit, që nga vitet 1950. Për më tepër, ajo është rritur për më pak se 2% në vetëm pesë vjet që nga ajo kohë: 1975, 1981, 1982, 1991 dhe 2009. Çka ka shkaktuar rëniet e shpejta dhe, rëndom, të papritura? Përgjigja flet për krizat financiare, tronditjet e inflacionit dhe luftërat. Lufta është rreziku më i madh politik për ekonominë. Në fillim të shekullit XX, ishin të paktë ata evropianë që do ta merrnin me mend shkatërrimin ekonomik dhe social që i priste. Lufta bërthamore është edhe më shkatërruese.

A do të shërohet politika nga ekonomia

Luftërat midis prodhuesve të naftës po ashtu kanë qenë tepër shkatërrimtare: kini parasysh dy tronditjet e naftës gjatë viteve 1970. Një luftë midis Iranit dhe Arabisë saudite mund të jetë tejet shkatërruese. Politikat e luajnë rolin dominues në krijimin e inflacionit dhe tronditjeve pasuese të dezinflacionit. Politikat po ashtu shkaktojnë proteksionizëm dhe liberalizim të papërgjegjshëm financiar. Në përgjithësi, rreziqet nga politikat përçarëse mund të jenë më të larta sot, sesa dekada me radhë. Politika ndikon edhe në formësimin e planeve afatgjata, të cilat e përcaktojnë performancën e ekonomisë. E dimë që shpesh politikat janë larg së qeni mbështetëse të një rritjeje të gjerë substanciale. As ideja e së djathtës, se gjëja e vetme e nevojshme është ulja e taksave dhe rregullativave, e as ajo e së majtës, se një shtet më intervenues do t'i zgjidhte të gjitha problemet, nuk kanë kuptim. Sfidë e madhe mbetet ringjallja e dinamizmit. Politikat e këqija aktuale janë në një masë të madhe rezultat i ekonomisë së keqe, në të kaluarën. Mund të ketë shpresë që, me përmirësimin e ekonomisë botërore, si dhe duke u rritur optimizmi rreth të së ardhmes, gjendja e keqe në politikë në shumë vende, do të fillojë të përmirësohet. Kjo po ashtu do të mund të fillonte që ta kthente besimin tek elitat politike dhe ekonomike. Kjo mund ta bëjë politikën më pak luftarake dhe më konsensuale. Kjo po ashtu mund ta largojë debatin nga brigjet e egra të populizmit. Më pas, për një kohë të caktuar, ekonomia dhe politika mund të shkojnë rrugëve të tyre goxha të ndara. Por, në aspektin afatgjatë pyetja që shtrohet do të jetë se a do të dështojë vetë ekonomia; a do të shkatërrohet ajo nga politika; apo, më së miri, a do të shërohet politika nga ekonomia. Le të shpresojmë për këtë të fundit. Ia vlen të përpiqemi për të. 

(Kosova Sot)