A do t'i përdorë Kina mediat sociale si armë?

A do t'i përdorë Kina mediat sociale si armë?
  • 13 February 2018 - 08:51

VETËM EVROPIANËT, ATA QË JANË TË VËMENDSHËM

Interesi i vetëm i Kinës është të bëjë para

Shkruan: KENT HARRINGTON

Që nga zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, me zbulimin e përzierjes së Rusisë në to, zyrtarët evropianë janë duke u ruajtur nga sulmet e tilla. Por, nuk janë vetëm evropianët ata që janë të vëmendshëm. Të vëmendshëm janë edhe liderët e Kinës, të cilët janë duke shqyrtuar se çka do të mund të mësonin nga suksesi i Kremlinit. Për presidentin kinez, Xi Jinping, ruajtja e stabilitetit të brendshëm është prioritet kryesor, gjë që është nënvizuar edhe nga buxheti vjetor kinez për sigurinë e brendshme. Me një vlerë prej mbi 100 miliardë dollarësh, shifra zyrtare është e vogël. Sikur edhe te rasti i shpenzimeve të mbrojtjes, shifrat reale janë shumë më të larta, falë shpenzimeve të fshehta, duke përfshirë edhe kërkimet dhe zhvillimin. Për shembull, Kina është duke eksploruar sesi inteligjenca artificiale (AI) dhe të dhënat e mëdha mund të përdoren për të monitoruar gjithçka, duke filluar nga mediat sociale, e deri te shpenzimet me kartelë kredie dhe ajo planifikon që t'i fusë nën kontroll të gjithë qytetarët, me qëllim që t'i zbulojë më lehtë telashebërësit eventualë. Strategjia Orwelliane e regjimit, është përqendruar kryesisht te mediat sociale dhe është duke kontrolluar jo vetëm atë që thuhet, por edhe atë sesi rrjedhin informatat në dhe rreth vendit. 

Aftësitë kibernetike të Kinës

Për më tepër, autoritetet janë duke vënë kompanitë teknologjike në linjë me ligjet e reja, të ashpra dhe me hetimet e sigurisë kibernetike. Për presidentin Xi, lehtësia me të cilën Kremlini manipuloi 'Facebook'-un dhe 'Twitter'- in, demonstron nevojën për një kontroll më të madh ndaj platformave kineze të mediave sociale. Qeveria kineze tani është duke kërkuar ulëse në bordet e kompanive, si WeChat, Weibo dhe Tencent, sikur që kërkon edhe qasje ndaj të dhënave personale të përdoruesve të tyre. Spiunët kibernetikë kinezë janë duke studiuar suksesin e Rusisë. Por, kjo nuk d.m.th. se hakerëve kinezë iu mungon shkathtësia. Ata kanë lansuar sulme kibernetike kundër kampanjave presidenciale amerikane, kanë dëbuar lëvizje tibetiane dhe aktivistë ujgurë. Ata kanë bërë strofuj në grupet e ekspertëve perëndimorë dhe në Universitetet që e studiojnë Kinën. Ngjashëm me këtë, strategët e Ushtrisë popullore çlirimtare (PLA) janë duke mësuar nga librat rusë, rreth taktikave të veta të luftës kibernetike. Në këtë drejtim, përhapja e lajmeve të rreme nga ana e Rusisë, si dhe të teorive të konspiracionit nëpërmes mediave shtetërore, si RT dhe Sputnik, mund të jetë mësimdhënie e mirë. Përpos që ka zgjeruar aftësitë kibernetike të Kinës, Xi po ashtu ka zhvilluar fuqinë e butë të Kinës, përmes iniciativave ekonomike, sociale, kulturore dhe të mediave. Dhe, përkundër faktit se ai ende nuk ka shoqëruar programet e tilla me forcat klandestine të Kinës për të lansuar sulme të tilla, sikur ato që ndikuan në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, është e qartë që ai është duke u përgatitur për një gjë të tillë. Tash vonë është bërë e ditur se Kina ka ndërmarrë operacione të ndikimit, të shkallës së gjerë në Australi, duke përdorë organizatat zyrtare studentore për të monitoruar studentët kinezë, si dhe diplomatët dhe mediat. Në fund të vitit të kaluar, një senator australian u detyrua që të jepte dorëheqje për shkak të lidhjeve të tij me një miliarder kinez. Kina po ashtu është duke zgjeruar praninë globale të mediave. Sipas disa vlerësimeve, qeveria është duke investuar rreth 7 miliardë dollarë në media dhe transmetime të reja çdo vit. Agjencia zyrtare kineze e lajmeve, Xinhua, ka më shumë se 170 byro në botë dhe publikon materiale në tetë gjuhë. TV Qendror Kinez (CCTV) ka më shumë se 70 byro të huaja dhe transmeton në 171 vende, në gjashtë gjuhë. Radioja ndërkombëtare e Kinës është më e madhja në botë, menjëherë pas BBC-së, duke transmetuar program në 64 gjuhë të huaja. 

Ekzekutivët e Hollivudit nuk janë të vetmit që ndihmojnë presidentin Xi për ta realizuar agjendën e tij 

Presidenti Xi po ashtu ka miratuar investime në filma dhe në forma të tjera të argëtimit në masë, për të ndikuar në mënyrën që kultura popullore globale trajton gjërat që kanë të bëjnë me Kinën. Kompanitë kineze vazhdojnë që të kenë hise të mëdha në kompanitë e Hollivudit. Konglomerati kinez "Dalien Wanda" ka asete prej rreth 10 miliardë dollarë në SHBA, Evropë dhe Australi. Edhe gjigantët e tjerë kinezë të internetit dhe ata financiarë, sikur Alibaba, Tencent dhe Hony Capital, si dhe kompanitë në pronësi shtetërore, si "China Film Group", kanë investuar me dhjetëra miliarda dollarë në filmat amerikanë. Duke pasur parasysh fitimet e mëdha në tregun e brendshëm të Kinës, shefat e Hollivudit janë të prirë që të dorëzohen para kërkesave 'kreative' kur flitet për skenarët, vendimet rreth aktorëve dhe kështu me radhë. Me 8.6 miliardë dollarë në vitin 2017, box-office e Kinës është prapa vetëm asaj të Amerikës veriore. Megjithatë, Kina lejon vetëm 38 filma të huaj në vend, çdo vit. Natyrisht, ekzekutivët e Hollivudit nuk janë të vetmit që ndihmojnë presidentin Xi për ta realizuar agjendën e tij. Midis vendimeve të kohëve të fundit të kompanisë "Apple" për të hequr dorë nga ruajtja e të dhënave në Kinë, në favor të një partneri kinez, si dhe njoftimit të kompanisë 'Google' se do ta formojë një qendër të re të AI në Kinë, gjigantët amerikanë të teknologjisë jo vetëm që janë duke bërë marrëveshje në të mirë të aksionarëve të tyre, por janë duke i ofruar presidentit Xi dhe operativëve të tij kibernetikë teknologji dhe dituri, si dhe qasje potenciale ndaj caqeve amerikane. Kjo e shtron një pyetje esenciale: Nëse Rusia qe në gjendje që të ndikonte në zgjedhjet presidenciale amerikane, pa pasur raporte aq intime të biznesit, çka mund të bëjë Kina të bëjë në vitet në vijim? Të mendosh se interesi i vetëm i Kinës është të bëjë para, do të ishte shumë naive dhe e rrezikshme, sikur që pranoi tash vonë edhe një ekzekutiv i Hollivudit. 

(Kosova Sot)