10-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë apo zhgënjim!?

10-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë apo zhgënjim!?
  • 16 February 2018 - 08:27

 

 

Mungesa e zhvillimit ekonomik

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Dhjetë vjet më parë, më saktësisht një javë para se të rishpallej pavarësia e vendit tonë, në kohën kur në Kosovë ende nuk dihej data e saktë e shpalljes së pavarësisë, derisa isha në një mbledhje me emigrantët në "La Rette Interistituzionale", këshilltari i komunës, Cordignano (Treviso) De Carlo Guido, në mënyrë publike më drejtohet me fjalët: "nga 17 shkurti harta gjeografike e Evropës do të ndryshon, andaj zoti Zeqa ju përgëzoj për lindjen e shtetit tuaj"!Ishte ky një moment i pa pritur dhe i pa përshkruar i jetës time. Vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë, nëpër zyrat e qeverisë vërshuan reklamat magjike të deklaratës së pavarësisë, por më një pamje ndryshe nga ajo e djeshmja, tanimë deklarata merr pamjen e një dokumenti "ANTIK", me një ngjyrë më të vjetruar se sa Deklarata e pavarësisë së Shqipërisë e 1912-së. Bashkë më deklaratën e pavarësisë na u servuan një pako të vetme flamuri me gjashtë yje dhe himni pa tekst, edhe pse ishte thënë paraprakisht se në kuvend do të shkojnë tri propozimet e zgjedhura për votim! "Marigona" e flamurit me shumë yje u shpërblye nga qeveria me 10.000 euro, po ashtu edhe kompozitori i himnit pa tekst u shpërblye, por akoma nuk dihet çfarë shpërblimi mori shkruesi i Deklaratës së pavarësisë (i huaj) e sa përkthyesi i saj (vendor), mbase për lexuesin e saj e dimë të gjithë, se ai me këtë rast e fitoi "pavdekësinë"! Deri para 17 shkurtit 2008, shqiptarët e Kosovës i mbante shpresa se pavarësimi i vendit do t'u sjell zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, hapjen e vendeve të reja të punës, përmirësimi i sistemit të drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, etj. Mirëpo, nga viti në vit, shpresat e qytetarëve u zvenitën, u shndërruan në iluzione, shkaku i keqqeverisjes, rritjes së krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive tjera të shumta negative. Kështu, Republika e Kosovës nga një shtet për të gjithë qytetarët u kthye në një shtet të pushtetarëve, oligarkëve politik dhe ekonomik, hajdutëve dhe kriminelëve si dhe grupeve të shumta të interesit. Në shtetin "multietnik" të Kosovës, pas pushtetarëve më të privilegjuarit janë pakicat etnike, në veçanti serbët, pastaj boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjët, të cilët u sistemuan në të gjitha institucionet e vendit, pa përmbushur asnjë kriter profesional, duke filluar nga Qeveria, Parlamenti, e sidomos FSK-ja, SHPK-ja që janë nga më të populluarat me minoritete, duke diskriminuar kështu popullatën shumicë shqiptare në vend. 

Shteti i ri me shumë plagë

S'ka dyshim se plagët e shtetit të Kosovës janë të shumta, megjithatë varfëria, papunësia dhe shpërngulja janë plagë të ardhura si pasojë e mungesës së zhvillimit ekonomik, krimit të organizuar dhe korrupsionit nga mungesa e funksionimit të sistemit të drejtësisë, e dështimet në sistemin arsimor, shëndetësor, kulturor,...por mbi të gjitha, strumbullari i gjitha të këqijave është klasa e dështuar politike, e shndërruar në sindromë kancerogjene e shtetit të Kosovës. Pa largimin total të kësaj klase kancerogjene nga pushteti, pa ndëshkimin e të inkriminuarve në krime dhe korrupsion, pa depolitizimin e institucioneve të pavarura dhe pa rimëkëmbjen ekonomike të vendit do të ishte iluzive të flitet për ndryshime pozitive, e aq më pak për parandalimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e veta etnike. 

Premtimet e harruara

Pas përfundimit të luftës, gjegjësisht të hyrjes së forcave paqeruajtëse në Kosovë, kërkesë e vazhdueshme e presidentit Historik Ibrahim Rugova ishte: njohja formale e shtetit të Kosovës, po ashtu kërkesë e përhershme e tij ishte zhvillimi i demokracisë dhe funksionalizimi i institucioneve të shtetit të Kosovës. Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK-u) ishte projekt pragmatik i presidentit. Mirëpo për shkak të shkrirjes së UÇK-së, fillimisht në TMK,( e pastaj në FSK) nga vetë udhëheqësit e saj, nga një forcë mbrojtëse për vendin u shndërrua në një strukturë vigjilente e uniformuar. Kështu edhe tani pas afro 19 vjetësh nga çlirimi i vendit dhe pas 10 vjetësh nga rishpallja e Pavarësisë, e vetmja forcë reale e mbrojtjes së shtetit tonë ka mbetur KFORI e askush tjetër. Për 10 vjet rresht, pushtetarët nuk arritën të realizojnë premtimin para qytetarëve për bërjen e shtetit me ushtri, së fundmi futja e Qeverisë së Kosovës në varësi të listës "Srpska" na largon akoma më tepër nga ai qëllim!

Vrapuan pas meritave, ikin nga përgjegjësitë e dështimeve

Ata të cilët para 10 vjetësh shtyheshin me bërryla për të marrë meritat për pavarësimin e vendit, tani duhet të jenë të gatshëm t'i pranojnë edhe përgjegjësitë për dështimet në qeverisjen e vendit, në veçanti në dështimin e qëllimshëm të sistemit të drejtësisë . Qeveria e Kosovës në 10-vjetorin e pavarë- sisë në vend të rezultateve, siç duhej të ishin: zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës, luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar, furnizimi me energji 24 orë në ditë, furnizimi me ujë të pijes e shumë e shumë gjëra tjera elementare për jetën e qytetarëve,...e vetmja gjë me të cilën mund të mburren pushtetarët është reklamimi i përditshëm për dhjetë vjet më radhë i një himni pa tekst dhe flamurit lara-lara pa ndjenja kombëtare në televizionin (politik) publik të Kosovës (RTK)! Në këtë përvjetor jubilar të shtetit të Kosovës, Qeveria mund të "mburret" edhe me diçka tjetër, është Qeveria më megalomane jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë me kabinetin qeveritar: me një kryeministër, 5 zv.kryeministra, 22 ministra, 70 zv.ministra e qindra këshilltarë e asistent të tjerë ka në ato ministri. Mbase më këta numra do t'ia kishin lakmi edhe shtetet më të zhvilluara të botës. 17 shkurti i vitit 2008 nuk është as më pak e as më shumë se një akt i njohjes formale të pavarësisë së Kosovës. Kjo ngjarje nuk është produkt i kësaj klase politike, por është projekt i faktorit ndërkombëtar. Meritat për këtë gjysmë liri e pak pavarësi që e gëzojmë sot i takojnë popullit, dhe jo vetëm një gjenerate por disa brezave që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej. Shteti i Kosovës për shqiptarët e Kosovës ekziston që nga Deklarata për Pavarësi e 2 korrikut e vitit 1990, njohja e së cilës u bë realitet me 17 shkurt 2008-të. Në çdo përvjetor të shtetit të Kosovës, qytetarët duhet të kthejnë kujtesën e tyre në vitet e krenarisë kombëtare, të rezistencës së gjatë paqësore dhe periudhës së lavdishme të luftës çlirimtare, për të kujtuar dhe nderuar gjakun e dëshmorëve të lirisë tonë.

Kënga e kthyer në vaj

Ne shqiptaret jemi i vetmi popull në rruzullin tokësor, i cili vepron kundër vetvetes, kundër ligjeve të natyrës, duke i kënduar tradhtisë në vend që t'i këndoj trimërisë dhe lavdisë kombëtare. Për këto 19 vjet iu këndua dhe vazhdohet t'u këndohet hajdutëve dhe kriminelëve që u pasuruan duke u thirrur në emrin e vlerave kombëtare, duke u thirrur në emrin e Ibrahim Rugovës e Adem Jasharit, në emrin e UÇK-së dhe gjakut të dëshmorëve të lirisë sonë,...paradoksalisht u këndohet atyre që u pasuruan, u bënë milionerë duke vjedhur e uzurpuar, kush me laps e kush me gjoks, duke lënë në harresë të plotë fatin e popullit dhe të ardhmen e atdheut duke i lënë në harresë të plotë qytetarët e varfër të këtij vendi. I gjithë ai këndim i gjatë i antivlerave, për këto 10 vjet në shtetin e pavarur, është shndërruar në vajë të qytetarëve, të cilët çdo ditë rënkojnë dhe mallkojnë ata që ua bënë jetën ferr dhe ua thyen të gjitha shpresat për jetë në vendin e tyre.

"Larja" e mëkateve me kauza të rrejshme

Niveli i ulët moral dhe kombëtar i kastës aktuale politike dhe disa pseudointelektualëve dhe deputetëve të Kuvendit, të cilët janë të gatshëm t'ia zgjatin vuajtjet e popullit të tyre deri në pafundësi vetëm e vetëm për t'u munduar për t'u shpëlarë për të bëmat dhe dëmet e shumta që i shkaktuan popullit përgjatë këtyre vjetëve të paspavarësisë. Kur është fjala tek deputetët të cilët me votën e qytetarëve janë ulur në kolltuqet e Kuvendit, nën betimin për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit,...në rast të votimit pro variantit të qeverisë së kaluar të demarkacionit, përveç ndjekjes penale nga drejtësia, duhet të ndiqen edhe si qentë endacak kudo që ndodhen, brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës për kauzat e rreme me të cilat erdhën në pushtet! Heqja e një kolonializimi (nga Serbia), dhe futja nën një tjetër ( nën tutelën e BE-së), jo vetëm që nuk është pavarësi,...është varësi akoma më e madhe nga e cila vështirë do të dilet! Mungesa e zhvillimit ekonomik si element i mirëqenies qytetare, mungesa e ushtrisë si element i mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, kapja e tmerrshme e sistemit të drejtësisë nga mafio-oligarkët ekonomik e bëjnë shtetin të varur dhe ndikuar skajshmërisht edhe nga faktorët ndërkombëtar. Kosovë urime 10-vjetori i njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës Zoti e bekoftë gjakun e gjakun e derdhur për lirinë e vendit tonë!

NIVELI I ULËT MORAL DHE KOMBËTAR I KASTËS AKTUALE POLITIK

(Kosova Sot)