Pse ashtu, z. Kryetar i Kuvendit!

Pse ashtu, z. Kryetar i Kuvendit!
  • 17 February 2018 - 07:55

Letër e hapur z. Kadri Veselit 

SHKRUAN: DR.RIZA SMAKA

Në datën 15 shkurt 2018, nga një zyrtare,të cilën e nderoj, u ftova për të vajtur e për të marrë Mirënjohjen për rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës referuar Deklaratës së Pavarësisë së shtetit tonë. Në datën 16 shkurt 2018, për shkakun e metodës së papërshtatshme të dorëzim - pranimit të saj,pas hezitimit për të vajtur apo jo, duke e vlerësuar më lart rëndësinë e Mirënjohjes së sipërthënë, vajta dhe e mora të njëjtën. Në këtë rast, me indinjatë dhe zhgënjim i adresohem z. Kadri Veselit, kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës me pyetjen, pse nuk e ka organizuar një moment enkas në vend dhe atmosferë solemne për dorëzim- pranimin e mirënjohjeve për kontributin në Deklaratën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës të të gjithë personave meritorë (ku do të isha edhe unë) në vendin e dorëzim - pranimit të tyre nëpërmjet administratës sikundër ato të ishin letra postare të zakonshme ! Aq më parë kur, Mirënjohja për rastin e 10- vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës për meritat në miratimin dhe shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë së vendit tonë nuk është as nuk mund të jetë letër postare e rëndomtë, përkundrazi është dhe mbetet dokument publik me autoritet dhe me vlera të traditave historike dhe parlamentare të veçanta.  

Çmimet për drejtësi

Së andejmi, edhe sipas standardeve dhe rregullave zyrtare si dhe praktikave parlamentare të mira, e aq më parë, sipas rëndësisë politike e historike të aktit të shpalljes së pavarësisë politike të vendit tonë, dorëzim - pranimi i Mirënjohjes në fjalë si dhe e mirënjohjeve të tilla në përgjithësi, domosdo është dashur të bëhej solemnisht dhe zyrtarisht sipas protokollit parlamentar e kurrsesi jo nëpërmjet procedurave teknike , të rëndomta e për aq papërfillëse sa për vetë mirënjohjet, aq për personat e nderuar me të njëjtat. Në këtë kontekst e krahasoj trajtën e dorëzimit dhe pranimit teknoburokratik të Marrëveshjes në fjalë, në një anë dhe të dorëzim - pranimeve solemne e zyrtare të çmimeve për drejtësi për kontribut të jashtëzakonshëm në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës ! Çmimet për drejtësi për kontribute të jashtëzakonshme në hartimin e Kushtetutës së parë të Republikës së Kosovës dhe për vënien e themeleve të shtetit modern e demokratik, ndër të tjerë, e kam pas marrë edhe unë, në vendin, kohën dhe mënyrën solemne të dinjitetshme e të veçantë personalisht nga ish- kryeministri z . Hashim Thaçi dhe nga ish- zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, z. Prof. dr. Hajredin Kuçi!

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka salla të mjaftueshme dhe të përshtatshme

Ndaj, edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli është dashur të vepronte ngjashëm sikundër ish-kryeministri z. Hashim Thaçi dhe ish- z.kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, z. Hajredin Kuçi duke i dorëzuar mirënjohjet për Deklaratën e Pavarësisë - në rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Aq më parë kur , Kuvendi i Republikës së Kosovës ka salla të mjaftueshme dhe të përshtatshme në një anë, si dhe autorizime funksionale reprezentative për të ofruar e për të paguar së pakut nga një kafe për të mirënjohurit meritorë, në anën tjetër! Gjithsesi, Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veselit dhe stafit të tij edhe në këtë rast, ua uroj dhjetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës!

(Kosova Sot)