Adem Demaçi, heroi i gjallë

Adem Demaçi, heroi i gjallë
  • 19 February 2018 - 09:40

U gjend ballë për ballë me UDB-ashët serbo-çetnikë

SHKRUAN: RESHAT BADALLAJ - ZHURIANI

Në kohën kur Simboli i Rezistencës Shqiptare, Adem Demaçi, kërkoi: Kosovën Republikë, Bashkimin e Trojeve Shqiptare, bashkë me Çamërinë dhe një mori të drejtash të tjera për shqiptarët ishte zor i madh. Jo vetëm që të shkonte koka, por iu shtonte gazepi tërë familjes. Jugosllavia e satrapit Josip Broz-Tito, shqiptarëve duarthatë ua kishte vënë zgjedhën në qafë dhe ia kishte zënë frymën. Zullumi i çetnikeve serbianë shtohej dita më ditë që preku mish e asht shqiptarët. Xhelati Tito kishte bërë për veti edhe një grusht langonjsh shqipfolës që, argati i tyre u bënte punë... Shi për këtë, në këtë kohë, doli një mesoburrë me emrin ADEM DEMAÇI, për të kërkuar Kosovën Republikë dhe më pas Bashkimin me Shqipërinë, njëkohësisht edhe Çamëria t'i bashkëngjitet shtetit amë, Shqipërisë. Bacën Adem e linden nëna Nazmie e familjes Halimi dhe nga baba Zeqir Demaçi.

Vaji foshnjarak ishte shoqëruar me krisma pushkësh. Kjo kishte ndodhur në vitin 1936, kur i kishte rënë koka në tokën e përgjakur të Kosovës së Shqipërisë... Adem Demaçi i nisi vallen e lirisë. Kishte grishur edhe një grup intelektualësh, krejt me qëllim që do të ndikojnë në popull. Filloi të formojë grupin dhe të zgjerohej në tërë Kosovën. 

U etiketuan se ishin më të zinj se kriminelët

Grupi i Bacës Adem filloi të shtrihet si vaji në lakra. Hyri në çdo shtëpi emri i Adem Demaçit, plot shpresë. Por, Baca Adem, çdo anëtari të grupit para se të anëtarësohej u kishte thënë:"Për inkuadrimin në organizatë duhet të shënoni emrin në letër dhe ta varni në çengele dhe ta konsideroni veten të vdekur". Kështu që pas veprimit të thellë në ilegalitet, nga zagarët e pushtuesit zbulohet grupi, i njohur si grupi i Adem Demaçit. Lajmi mori dhenë. Jugosllavët e bënë të madhe këtë punë, tamam sikur të shkrepë rrufeja. Të gjithë grupin e lidhen këmbë e duar. I lidhën me zinxhir të trashë si kur lidheshin qetë. U etiketuan se ishin më të zinj se kriminelët, se ishin "Irredentistë, shovinistë, separatistë, nacionalistë, banditë..." Prokuroria e ngriti aktakuzën sipas bindjeve politike, krejtësisht të montuar.

Prokurorë e gjyqtarë qëllimisht ishin zgjedhur njëqind për qind me orientim jugosllav. Kjo ndodhi për herë të parë në vitin 1959, në Prishtinë. Adem Demaçi u gjend ballë për ballë me UDB-ashët serbo-çetnikë, si: Çanoviqi, Mihajloviqi dhe Lazereviqi. Ndërkaq,denoncuesit ishin:Fahredin Gunga, Zekeria Cana, Din Mehmeti, Ali Aliu... Gjyqtar me urdhër të kurvarit, që e njihte e tërë Kosova, një i pacipë : MAHMUT BAKALLI, ai ishte caktuar kasapi i shqiptarëve, DURMISH KOÇINAJ, ishte nga Vërmica, që tokat e rrethit të Kukësit ishin të përziera me atë të këtij fshati. Mahmut Bakalli, enkas e kishte dërguar nga Gjykata e Prizrenit, me pretekst se si, t´u bjerë sakicë mirë armiqve të Jugosllavisë. Ata, që nuk e njohin, se ky gjyqtar, Durmish Koçinaj e ka dënuar edhe Rexhep Malën. Ky "sudi" hyri shumë në hatër të Serbosllavisë. Në gjykatore hyri me fodullëk, tamam si soji ESAT PASHË TOPTANIT. 

Fyerja e rëndë

Por, nga "Banka e zezë", haptazi ia tha shkurt e shqip, ADEM DEMAÇI:" JAM I GATSHËM TË SHKOJ NË VDEKJE, SI ME LE PËR KOSOVËN DHE SHQIPËRINË ETNIKE"!... Gjyqtarin me orientim kryekëput serbosllav, Durmish Koçinajn, e mbuluan djersët dhe se për inat, tërë grupit iu dha bakshish, hiç më pak se 140 vjet burg!..... Kush ishin ata që e futën Adem Demaçin në duar të pista të udbashëve? Historia jonë e re po na mëson se, ata ishin: Ali Aliu, para gjakësorëve serbianë nuk la gjë pa folur keq për Adem Demaçin, se i kishte folur për shpërnguljen e shqiptareve në Turqi nga zullumi serb, se si iu bëheshin padrejtësi etj. etj...

Fahredin Gunga tregon fije për pe, se çka i kishte folur Demaçi në hotel "Nova Jugosllavia" në Prishtinë, për heqjen e gjuhëve të minoriteteve dhe më së shumti kjo i godet shqiptarët. Fahredin Gunga nuk e la me kaq, por, edhe pas shpalljes se dënimeve i fyejti rëndë, duke i quajtur armiq, irredentistë, shovinistë, separatistë... Ndërkaq, për aksionin e armëve,- më tha (A. D. ), -se: "Kjo është barbarizëm nga ana e Jugosllavisë"!... Din Mehmeti tha para kriminelëve jugosllavë se Adem Demaçi foli për diskriminimin e shqiptarëve nga pushteti jugosllav, për shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova që do t´i shkojë përshtati Serbisë... "DOSJA DEMAÇI" 

Si e preu në besë  Zekeria Cana Adem Demaçin?

Shqiptari kurrë nuk e ka pasur zakon që mikun ta ftojnë në shtëpi në sofër dhe ta presin në BESË. Këtë nuk e lejon as burrëria, e as Kanuni. -Por, ja që e beri një historian, një pijanec, një hajdut i bananeve i sojit te Zekeria Canës. Ky pijanec, pra Zekeria Cana, shumë volli vrer kundër Demaçit me shokë. Ndër të tjera dëshmoi: Adem Demaçi është paraqitur armiqësisht... më ka folur për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. KA KËRKUAR BASHKIMIN E KOSOVËS ME SHQIPËRINË...

Ndërkaq, për aksionin e armeve ka thënë se Jugosllavia po e bënë krejt me qellim për t´i frikësuar shqiptarët që të shpërngulen dhe ta lirojnë Kosovën. Pastaj, para kriminelëve të Shumadisë, Zekeria Cana thotë se e ftova Demaçin në shtëpi dhe këto m´i rrëfeu të gjitha... Pijaneci kronik e theu zakonin e shqiptarëve, sepse miku nuk PREHET NË BESË NË SOFËR, pra në KONAK! Zekeria Cana iku me faqe të zezë nga kjo botë dhe e la amanet që të varroset vetëm nga gjiri i ngushtë familjar, sepse e dinte ai vetë. Përse? Baca Adem, ndonëse pjesën më të madhe të jetës së tij, i dergjur nëpër kazamatet dhe kasaphanet jugosllave, akoma rron, ndërkaq, soji i spiunëve, edhe pse ishin të privilegjuar nga klika titiste-rankoviqiane, vdiqën me turp shkuar turpit dhe me damkën e zezë të tradhtisë... Për këto që flas e shkruaj mbaj përgjegjësi morale, penale e juridike. 

(Kosova Sot)