Gabimet politike, të bazuara te dëshmitë

Gabimet politike, të bazuara te dëshmitë
  • 21 February 2018 - 11:04

EKONOMISTËT KANË PASUR NJË NDIKIM NDAJ POLITIKANËVE

Përvojat e përditshme të njerëzve ofrojnë një sasi të madhe të informatave potencialisht të dobishme

Shkruan: Kaushik Basu 

Shumë politikëbërës -jo vetëm ata si Erdogan dhe Trump - marrin vendime të këqija jo vetëm për shkak të keqkuptimit të dëshmive, por për shkak se ata preferojnë që të ndjekin masa të volitshme politike, të cilat u sjellin përfitime bamirësve të tyre, apo vetë atyre

Pas viteve të tëra të theksimit të rëndësisë së politikëbërjes së bazuar te dëshmitë, është e qartë që ekonomistët kanë pasur një ndikim ndaj politikanëve. Ajo që ekonomistët duhet të bëjnë tani, është që t'ua bëjnë me dije të njëjtëve politikanë, se përmendja e ndonjë dëshmie para miratimit të ndonjë politike, nuk është aspak një politikëbërje e bazuar te dëshmitë. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka përmendur numra të shumtë, me qëllim të mbrojtjes së vendimit të tij për ta vërshuar ekonominë turke me kredi të garantuara nga shteti. Por, e vërteta është se kjo ishte një përpjekje me motive politike, për ta fituar mbështetjen publike duke manovruar rritjen afatshkurtër. Ngjashëm me këtë, presidenti amerikan Donald Trump citon të dhënat e thjeshta të deficitit tregtar, për të justifikuar politikat proteksioniste të cilat ia kanë siguruar atij mbështetjen në mesin e segmenteve të caktuara të popullsisë amerikane. Në realitet, dëshmitë sugjerojnë se politikat e tilla do t'i dëmtojnë po ata njerëz të cilët Trump pretendon se është duke i mbrojtur. 

Intuita dhe logjika e shëndoshë kanë luajtur një rol kritik në evoluimin tonë Tani, kreu i Këshillit të Trumpit të këshilltarëve ekonomikë, Kevin Hassett, është duke tentuar që ta mbrojë tentimin e republikanëve të Kongresit për t'i ulur tatimet e korporatave, duke thënë se, kur vendet e zhvilluara e kanë bërë një gjë të tillë në të kaluarën, punëtorët kanë përfituar më shumë se 4,000 dollarë në vit. Megjithatë, ka dëshmi të forta se përfitimet nga shkurtimet e tilla tatimore, shkojnë kryesisht te të pasurit, kryesisht me anë të kompanive, të cilat blejnë përsëri aksionet, apo aksionarëve, që fitojnë dividendë më të larta. Nuk është e qartë se nga ku është duke i marrë të dhënat e tij Hassett. Por, ka gjasa që ai është duke i keqinterpretuar ato. Dhe, ai është larg të qenit i vetmi që dështon të arrijë deri te konkludimet e besueshme pasi që vlerëson disa të dhëna të caktuara. Kijeni parasysh refrenin shpesh të cituar se, meqë ka dëshmi se të gjitha vendet e punës gjatë dekadës së fundit, janë krijuar nga sektori privat, ky sektor duhet të jetë krijuesi më efektiv i vendeve të punës. Në shikim të parë, kjo logjikë mund të duket e qëndrueshme. Por, në një ekzaminim më të përafërt, punët qëndrojnë ndryshe. Paramendojeni një ekonomist sovjetik duke deklaruar se, meqë qeveria ka hapur të gjitha vendet e punës në BRSS, atëherë qeveria duhet të jetë krijuesi më efikas i vendeve të punës. Për ta gjetur të vërtetën, nevojitet që, të paktën, të kemi të dhëna rreth asaj se kush tjetër hapë vende të reja të punës dhe, si. Për më tepër, ka rëndësi që të kuptohet se, vetëm të dhënat si të vetme, nuk mjaftojnë për të përcaktuar pritjet apo politikat e së ardhmes. Edhe pse mbledhja e të dhënave e ka vlerën e vet, ekziston edhe nevoja për një arsyetim deduktiv dhe induktiv, të bazuar te logjika e shëndoshë - edhe atë jo vetëm nga ana e ekspertëve. Duke përjashtuar qëndrimet dhe mendimet e njerëzve të rëndomtë, ekonomistëve mund t'iu ikin gjërat e mëdha. Përvojat e përditshme të njerëzve ofrojnë një sasi të madhe të informatave potencialisht të dobishme. Derisa një qasje logjike e bazuar te përvoja individuale nuk është më shkencorja e mundshme, ajo nuk duhet të injorohet. Një meteorolog mund ta hetojë një stuhi që është duke u afruar duke analizuar të dhënat e mbledhura nga shumë burime - sensorët atmosferikë, balonat meteorologjikë, radarët dhe satelitët - me anë të modeleve komplekse atmosferike. Por, kjo nuk dmth se pamja e reve që mblidhen në qiell nuk është po ashtu një shenjë legjitime se mund të kemi nevojë për ombrellë - edhe nëse prognoza e motit premton mot me diell. Intuita dhe logjika e shëndoshë kanë luajtur një rol kritik në evoluimin tonë. Fundja, sikur njerëzit të mos kishin qenë në gjendje që të nxirrnin konkluzione logjike rreth botës, me anë të përvojave apo vështrimit, nuk do të arrinim të mbijetonim si specie. Zhvillimi i qasjeve më sistematike ndaj hulumtimeve shkencore, nuk e ka zvogëluar nevojën për një arsyetim të tillë të bazuar te intuita. Në fakt, ka të vërteta të rëndësishme dhe jo evidente, që arrihen më së miri duke përdorë arsyen e thjeshtë.

Angazhimi për një qasje më gjithëpërfshirëse

Ta marrim shembullin e Teoremës së Pitagorës, e cila cakton raportin midis tri anëve të një trekëndëshi kënddrejtë. Sikur të gjitha konkluzionet do të duhej të merreshin me anë të kërkimit në grupe të mëdha të të dhënave, atëherë Pitagora do të duhej të maste një numër enorm të trekëndëshave kënddrejtë. Sido që të jetë, kritikët do të thoshin se ai ka shikuar një mostër të paragjykuar, meqë të gjithë trekëndëshat e ekzaminuar ishin mbledhur në regjionin mesdhetar. Edhe logjika induktive ka rëndësi për të arritur deri te dijenitë e caktuara. Ne "e dimë" se një mollë nuk mund të qëndrojë pezull në ajër, meqë kemi parë shumë objekte duke rënë në tokë. Por, një arsyetim i tillë mund të jetë edhe i gabuar. Natyrisht, shumë politikëbërës - jo vetëm ata si Erdogan dhe Trump - marrin vendime të këqija jo vetëm për shkak të keqkuptimit të dëshmive, por për shkak se ata preferojnë që të ndjekin masa të volitshme politike të cilat iu sjellin përfitime bamirësve të tyre, apo vet atyre. Në rastet e tilla, ekspozimi i papërshtatshmërisë së dëshmive të tyre të supozuara, mund të jetë opsioni i vetëm. Por, për të tjerët, imperativ duhet të jetë angazhimi për një qasje më gjithëpërfshirëse, ku liderët përdorin "intuitën e arsyeshme" për të nxjerrë konkluzione efektive, të bazuara në të dhëna të qëndrueshme. Vetëm atëherë do të fillojë me të vërtetë politikëbërja efektive, e bazuar te të dhënat. 

(Kaushik Basu është profesor i ekonomisë në Universitetin "Cornell" dhe bashkëpunëtor i Institutit "Brookings") Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)