Trump dhe kriza e Lindjes së Mesme

Trump dhe kriza e Lindjes së Mesme
  • 22 February 2018 - 11:48

PRESIDENTI I ZGJEDHUR DUKET I ETUR QË TË BËJË SHUMË NDRYSHIME

Disa politika të SHBA-së duket se nuk do të mbijetojnë më

Shkruan: Christopher R. Hill

Administrata e Obamës shpesh kishte hezituar që ta zgjeronte rolin e saj në Lindje të Mesme, duke i paraprirë një kohe kur SHBA-ja nuk do të absorbohej në një regjion i cili, ta parafrazojmë thënien e Winston Churchillit rreth Ballkanit, ka prodhuar më shumë histori sesa që ka konsumuar

Njëra nga karakteristikat e tranzicionit presidencial në SHBA është një rishikim gjithëpërfshirës i politikës, që ka për qëllim marrjen e vendimit se cilat politika duhen vazhduar, e cilat duhen përfunduar, apo ndryshuar. Derisa presidenti i zgjedhur Donald Trump është duke shkuar kah marrja e postit, ai duket i etur që të bëjë shumë ndryshime - disa më pozitive sesa të tjerat. Disa politika të SHBA-së duket se nuk do të mbijetojnë më. Fati i Marrëveshjes së partneritetit tregtar transpaqësor (TPP), të 12 vendeve, duket se tanimë është vulosur, ku Trump ka siguruar publikun se do ta prishë atë marrëveshje ditën e tij të parë si president, marrëveshje kjo e arritur, por jo e ratifikuar nga Senati i SHBAsë. Kjo është një fatkeqësi, meqë TPP do t'i revolucionarizonte të drejtat e pronës intelektuale dhe do ta nxiste transparencën në nivele të papara, duke ulur në anën tjetër barrierat tarifore dhe jo tarifore. Por, Trump nuk duket se do ta ndryshojë mendjen. Në një fushë tjetër kyçe politike, ndryshimi nga administrata e ardhshme e Trumpit do të ishte e mirëseardhur: në Lindjen e Mesme. Qasja "në rritje" ndaj këtij regjioni, që ishte praktikuar nga dy administratat e fundit, nën George W. Bush dhe Barack Obama, nënkuptonte se SHBA-ja kishte dështuar që ta mbante hapin me ngjarjet. Sidomos administrata e Obamës shpesh kishte hezituar që ta zgjeronte rolin e saj, duke i paraprirë një kohe kur SHBA-ja nuk do të absorbohej në një regjion i cili, ta parafrazojmë thënien e Winston Churchillit rreth Ballkanit, ka prodhuar më shumë histori sesa që ka konsumuar. Sido që të jetë, Obama kuptonte vlerën e mbajtjes së gjendjes së qëndrueshme në Irak - gjë që kritikët e tij shpesh nuk e kuptojnë. 

Eksporti i radikalizmit sunit

E vërteta është se ishte Bushi ai që, pasi e kishte futur Amerikën në luftë në Afganistan dhe në Irak, në vitin 2008 nënshkroi Marrëveshjen për statusin e forcave, e cila caktoi periudhën prej tre vjetësh për tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga Iraku. Dhe, politikanët e Irakut nuk do të pajtoheshin me shtyrjen e atij afati. Mbetet vetëm që të imagjinohet reagimi i Kongresit Amerikan, duke përfshirë edhe ata që donin t'i mbanin trupat amerikane në Irak aq gjatë sa që ato kishin qëndruar në Gjermani, apo Japoni, sikur administrata e Obamas të ishte pajtuar me kërkesat irakiane, që trupat amerikane të ishin subjekt i sistemit gjyqësor irakian. E tërë kjo e la administratën e Obamas me pak mundësi, por t'i tërhiqte trupat amerikane, duke marrë me vete edhe fajin që shoqëronte një veprim të tillë. Në fakt, që nga tërheqja e trupave amerikane, luftimet në rajon vetëm sa kanë eskaluar, duke e përfshirë në konflikt një zonë edhe më të gjerë. Trump dhe ekipi i tij tani duhet të mendojnë me kujdes rreth asaj çka ka ndodhur në Lindjen e Mesme dhe çka të bëjnë në lidhje me to. Kjo nuk do ta kërkojë vetëm një hetim rreth sfidave të regjionit, sikur që është radikalizmi sunit, por po ashtu edhe një shqyrtim të vëmendshëm të politikave bilaterale. Le të fillojmë me eksportin e vazhdueshëm të radikalizmit sunit nga gadishulli arabik, një çështje komplekse e cila përfshin Arabinë Saudite dhe shtetet e tjera të gjirit. Derisa trupat ekstremiste kanë marrë tradicionalisht fonde nga Gadishulli, nuk është politikë e qëndrueshme që thjesht të akuzohen sauditët se janë burim i të gjitha të këqijave në Lindjen e Mesme, duke i ndëshkuar ata në pajtim me këtë akuzë. Edhe pse SHBAja tani gëzon një pavarësi më të madhe energjetike, falë naftës argjilore dhe gazit, kjo nuk mund të thuhet për aleatët e saj në Evropë. A do të ishte një qëndrim më i ashpër karshi Arabisë Saudite me të vërtetë në interes të Amerikës? 

Konflikti i shumanshëm sirian

Nuk është me mend as të fajësohen shiitët për krimet e radikalizmit sunit. Lideri kokëfortë irakian, Nouri al-Maliki, i cili fitoi tri herë postin e kryeministrit, mund të mos ketë pasur një qasje të mjaftueshme ndaj sunitëve të vendit, por kjo është vetëm një arsye pse radikalizmi sunit reziston në Irak. Një shkak tjetër është se disa elemente të pakicës sunite irakiane, kanë refuzuar që ta pranojnë statusin e tyre si sunitët e vetëm në Lindjen e Mesme arabe, të jetojnë nën një shumicë shiite. Më pas, aty është Siria, tani pika kryesore konfliktuoze e dinamikës komplekse sociale dhe politike të vendit. Lufta civile atje nuk është vetëm çështje e një diktatori të pashpirt, i cili pengon aspiratat e opozitës demokratike. Në vend të kësaj, ky është një konflikt i shumanshëm, në të cilin identifikimi i "djemve të mirë" nuk është aspak punë e lehtë. Për të qenë të sigurt, ISIS është armiku publik nr. 1 dhe Trump tanimë e ka cilësuar atë si të tillë. Por, si të eliminohet ISIS jo vetëm nga Mosuli, por nga tërë bota, kjo do të kërkojë një analizë të ndjeshme dhe një qasje të nuancuar. Këtë nuk duket se është duke e kuptuar ekipi i sigurisë kombëtare i Trumpit, që është në formim e sipër. Për më tepër, mposhtja e ISIS-it paraqet vetëm hapin e parë. 

Raportet me Turqinë

Administrata Trump do të duhet të merret edhe me aktorët e jashtëm të përfshirë në Siri. Për shembull, ajo do të duhet ta caktojë një politikë efektive ndaj Turqisë, një vendi anëtar të NATO-s me interesa të forta në Siri, interesa të cilat ndonjëherë bien ndesh me interesat e Amerikës. Në një kohë kur demokracia e Turqisë është duke u dridhur dhe liderët e saj janë më pak të interesuar rreth politikës euroatlantike, sesa në sigurimin dhe rikthimin e pretendimeve të vjetra shekullore të vendit në Lindjen e Mesme, SHBA-ja përsëri do të ketë nevojë që ta përshtatë një qasje taktike. 

Palestina, si problem i pazgjidhur

Aty është edhe Irani. A paraqet largimi nga marrëveshja bërthamore me Iranin një mënyrë për lehtësimin e krizës në Lindjen e Mesme? Irani mund të mos ofrojë shumë në gjetjen e zgjidhjeve të krizave, por nëse SHBA-ja heq dorë nga ai, vendi mundet lehtë që ta përkeqësojë krizën në rajon. Sikur kjo të mos mjaftonte, SHBA-ja përsëri do të duhet ta rishikojë politikën e saj karshi Egjiptit, i cili deri vonë, shpesh ka bërë kontribute të rëndësishme ndaj përpjekjeve diplomatike në regjion. Pjesa më e madhe e sigurisë së Izraelit bazohet te një Egjipt i cili mbështetë procesin paqësor me Palestinën. Sado i ngathët që mund të duket ai proces, ende ka hapësirë të mjaftueshme që gjendja të përkeqësohet edhe më shumë. Administrata e Trumpit shpesh ka theksuar planet e saj për një qasje introverte, duke u përqendruar te politika e brendshme dhe duke e vënë Amerikën në rend të parë edhe të politikës së jashtme. Por, Trump nuk mund t'i ikë luajtjes së një roli në Lindjen e Mesme. Na mbetet të shpresojmë që ky do të jetë një rol konstruktiv. 

(Christopher R. Hill aktualisht është dekan i Shkollës Korbel për studime ndërkombëtare, në Universitetin e Denverit) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)