Sot është dita "D

Sot është dita
  • 23 February 2018 - 08:47

Porosi për deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës 

Ju sot duhet të jeni në sallë të gjithë bashkë, së paku të jeni prezentë në sallë, sepse këtë e keni obligim, të diskutoni arsyeshëm, pa kalkulime politike e elektorale, sepse ne nuk do dëgjojmë sot asnjë arsyetim tuajin (sepse të gjitha i dimë), përveç votës suaj, votë që po e presim që tri vite

SHKRUAN: PROF.DR. REMZI SMAJLI  

Qytetarë e votues: Oooooo deputetë 

Ky titull, siç duket është gjëmë apo një piskame e madhe e popullit, të cilën nuk di a po e dëgjoni, që nuk mund ta përballonte asnjë altoparlant i zakonshëm apo një thirrje mirëkuptimi për ju o deputetë të nderuar - pa përjashtim. Unë u drejtohem të gjithë juve, deputetëve që sot keni në dorë perspektivën ose errësirën e Kosovës. Ju drejtohem, sepse kam të drejtë si qytetar, si votues, si tatimpagues, por edhe si vëzhgues, hulumtues e studiues i aktualiteteve politike ekonomike, por edhe absurdeve që sjell çdo ditë kjo politikë. Ju drejtohem për të ju apeluar që sot të jeni më të angazhuar, përkushtuar, zgjuar e ndërdijësuar për përgjegjësinë që keni ndaj këtij populli që ju ka votuar ta përfaqësoni dhe ndaj të cilit keni përgjegjësi. Sot është dita "D", madje ditë e madhe, sepse është kruciale për drejtimin e këtij populli drejt perspektives apo drejt errësirës edhe për dekada të tjera.

Vendosni arsyeshëm

Ju sot keni një përgjegjësi për një vendim që duhet ta merrni dhe i cili vërtet nuk është i lehtë, por nëse vërtet keni punuar e menduar mirë që tri vite, atëherë vërtet ju do të vendosni arsyeshëm. Tri vite të humbura me dy tema ditore për të cilat nuk është fajtor populli i mbyllur, por ekskluzivisht ju përfaqësuesit e popullit dhe udhëheqësit tanë, të cilët nuk treguat as patriotizëm as profesionalizëm, por as pjekuri politike për ta menaxhuar dhe tejkaluar këto tema. Nga këto fakte dhe arsye ju thërrasim që sot të lodheni shumë duke menduar dhe rezonuar pozitivisht që kjo teme të kalohet dhe marrëveshja për demarkacion të kalojë sepse tanimë kemi edhe aneks marrëveshje, e cila garanton rishikimin e gabimeve eventuale. Këtë aneks marrëveshje na mundësuan vetë shteti ynë fqinj, Mali i Zi, i cili po ashtu nuk e ka pas lehtë dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët po dalin se duan Kosovën me shumë se vetë ne kosovarët. Ju sot duhet të jeni në sallë të gjithë bashkë, së paku të jeni prezentë në sallë, sepse këtë e keni obligim, të diskutoni arsyeshëm, pa kalkulime politike e elektorale, sepse ne nuk do dëgjojmë sot asnjë arsyetim tuajin (sepse të gjitha i dimë) përveç votës suaj, votë që po e presim që tri vite (me kërkim falje për deputet e rinj në këtë legjislacion).

Përfitimet nga lëvizja e lirë

Në fund të fundit ju nuk do të keni përgjegjësinë fundamentale, sepse këtë vlerësim, ekspertizë dhe përcaktim e ka bërë Komisioni shtetëror për demarkim, cilido qoftë ai. Madje keni para vetes edhe vlerësimet e dy komisioneve, njëri ndërkombëtar dhe tjetri nga profesionistët e Republikës së Kosovës. Rezultati: Për ata që sot do të votojnë pro ose kundër demarkacionit duhet ta dinë se po prej atij momenti Republika e re e Kosovës nuk do të fitojë vetëm lëvizjen e lirë të qytetarëve të vet, por do të FITOJË/HUMBAS këto pasuri: Bruto Produkti Vendor vjetor për një miliard euro, Buxheti të Kosovës për pesëqind milionë euro, punësim për 10 %, eksporti për 25 %, studime të rregullta për 3000 studentë. Eksporte për 1000 prodhues, importe më të lira për 10000 tregtarë, shpëtim për 1000 persona të sëmurë me nevoja urgjente dhe lëvizje të lirë për dy milionë kosovarë për ta shijuar mallin e familjarëve të vet në mbarë Evropën. Të jemi të sigurt qe nuk do këtë ekzod, nuk do ketë azilkërkues as nuk do këtë dyndje siç trumbetojnë disa analiste mediokrit, jo sepse ky popull tanimë është i vetëdijshëm për të mirat që ka Kosova dhe për sentimentet që ka Evropa. Shumë prej tyre do shkojnë, do t'i shijojnë, por edhe do kthehen shpejt të dëshpëruar. Prandaj, mos hezitoni që sot të lini mënjanë INATET dhe diskrepancat e panevojshme në mes veti, por gjeni arsyen dhe bëhuni bashkë për të mirën e qytetarëve tuaj, të cilët jo vetëm që ju deleguan për këto përgjegjësi, por të cilët edhe ju paguajnë çdo ditë nga taksat e tyre për të marrë vendime, madje edhe të vështira. Nga sot na priftë e mbara e të fillojmë të merremi me tema të zhvillimit e prosperitetit politik ekonomike social të këtij vendi dhe shpresojmë të mbarojë tradita e prodhimit të krizave të panevojshme që na zgjasin me vite. Nesër besoj se do të jeni më të lehtësuar. Ju, ne dhe miqtë e shumtë anembanë botës prej nesër së bashku mund të tejkalojmë edhe tema tjera të rënda, të cilat me një përkushtim dhe profesionalizëm të përbashkët na çojnë drejt integrimeve ndërkombëtare, botës së civilizuar dhe zhvillimit global. E pra, me shpresë për arsye e sukses, URIMEEEEEEEEEE

(Kosova Sot)