Politika amatore po e sjell Kosovën para kolapsit?!

Politika amatore po e sjell Kosovën para kolapsit?!
  • 25 February 2018 - 08:08

Tranzicionit nuk po i shihet fundi

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQI

Kjo klasë politike po numëron vetëm humbje, si në planin politik ashtu edhe në planin zhvillimor të përgjithshëm. Jemi në defanzivë përballë planeve hegjemoniste të serbosllavëve, të cilët nuk kanë hequr dorë nga gllabërimi i tokave shqiptare. Humbëm tokë në kufi me Maqedoninë dhe duket se do të humbim tokë edhe me rastin e shënjimit e vijës kufitare me Malin e Zi

Nëse politikanët, Akademia e Shkencave Serbe, Kisha Ortodokse etj., e kanë preferuar rrenën, duke e shmangur të vërtetën për t'i arritur objektivat politike e nacionale, për çka edhe patën sukses, këta njerëzit tanë të politikës po e preferojnë rrenën, por më shumë në dëm të shtetit. Serbët preferuan rrenën si armë të fuqishme propagandistike. Kjo në të kaluarën atyre u solli rezultate në zgjerimin e shumëfishtë të territorit. Duket se rrugën e trasuar nga babai i kombit, Dobrica Qosiqi, është duke e vazhduar edhe serbi Aleksandër Vuçiq me garniturën e vet pushtetare. E vura këtu një paralelizëm se çka janë në gjendje të bëjnë serbët për interesat e tyre shtetërore e nacionale. Shtrohet pyetja: ku jemi ne në mbrojtën e interesave tona? Politikanët, por edhe intelektualët e akademikët, nuk po e mbrojnë të vërtetën shqiptare. E fituam luftën kundër Serbisë me miqtë tanë ndërkombëtarë, e jemi duke e nëpërkëmbur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në kushte të paqes. As nuk po ndërtojmë shtet demokratik dhe ligjor, as nuk po i mbrojmë interesat nacionale! Veçmas në këtë rrafsh kanë rënë në provim njerëzit e politikëbërjes, po nuk mund të shfajësohen në këtë drejtim as intelektualët, të cilët kanë preferuar heshtjen e madhe. 

Interesat vitale

Kaluan 18 vjet e nuk po i shihet fundi fazës së tranzicionit. Kjo klasë politike po numëron vetëm humbje, si në planin politik ashtu edhe në planin zhvillimor të përgjithshëm. Jemi në defanzivë përballë planeve hegjemoniste të serbosllavëve, të cilët nuk kanë hequr dorë nga gllabërimi i tokave shqiptare. Humbëm tokë në kufi me Maqedoninë dhe duket se do të humbim tokë edhe me rastin e shënjimit e vijës kufitare me Malin e Zi. Edhe me Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në veri të vendit po rrezikohet seriozisht të humbet territor. Kompetencat vendimmarrëse te minoritit serb janë kërcenim se në të ardhmen jo të largët do të formohet një tjetër Republika Serpska edhe në Kosovë, pos asaj në Bosnje. Nesër do të vijë në radhë edhe Demarkimi i vijës kufitare me Serbinë. Kështu siç janë duke rrjedhur ngjarjet politike, duket se do të përjetojmë gjëra që nuk flasin aspak mirë për interesat vitale shtetërore të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.

Politika profesionale e bën të mundur që të votohen më të mirët

Demokracia është mënyrë që të ndërrohen ata që janë në pushtet. Shfaqja e pakënaqësive qytetare do të duhej të ndikonte në sjelljen dhe në punën e pushtetit, e kjo në Kosovë pak po vjen në shprehje. Nëse deri më sot alternativë ka qenë 'zgjedhja e të keqes më të vogël", kjo formulë politike nuk do të ishte dashur të jetë më alternativë. Për të ndërtuar shtet demokratik dhe ligjor, na nevojitet që të bëjmë zgjedhje pa asnjë të keqe. Motivacion që të votojmë krejt ndryshe ekziston. Sigurisht se ka kuptim që të zgjedhim të mirët, e jo të zgjedhim të keqen më të vogël. Duhet t'i perceptojmë drejt se cilat janë vlerat karshi antivlerave. Jemi larguar nga proceset demokratike në vend që këto procese të forcohen. Pakënaqësitë tona të deritashme do të duhej të reflektojnë në të ardhmen krejt më ndryshe. Nuk po shikohen programet e partive politike, por po shikohen njerëzit së cilët janë vendosur në krye të këtyre partive. Kjo ka gjeneruar keq te elektorati, i cili është mashtruar shumë me fajin e vet. Ka ardhur koha e fundit që të respektohet vullneti i shumicës. Kjo nuk përkon me demokracinë dhe me sistemin shumëpartiak pluralist, të cilin e kemi zgjedhur pas sundimit afër 50- vjeçar të sistemit një partiak komunist. Që të stabilizohen proceset demokratike nevojitet të vijë në shprehje ana profesioniste e atyre të cilët udhëheqin shtetin. Amatorët janë duke e sjellë shtetin para kolapsit politik dhe kolapsit ekonomiko-social. Njerëzit të cilët politikën e kanë profesion do të duhej që ta vlerësojnë secilën votë. Politika profesionale e bën të mundur që të votohen më të mirët dhe bën të mundur kështu edhe avancimin e proceseve demokratike. Mundëson gjithashtu që të kemi udhëheqje stabile shtetërore.

QË TË STABILIZOHEN PROCESET DEMOKRATIKE NEVOJITET TË VIJË NË SHPREHJE ANA PROFESIONISTE

(Kosova Sot)