Çka duhet të bëjë SHBA-ja rreth kërcënimeve bërthamore të Putinit - Opinione - Kosova Sot
Çka duhet të bëjë SHBA-ja rreth kërcënimeve bërthamore të Putinit

Çka duhet të bëjë SHBA-ja rreth kërcënimeve bërthamore të Putinit

Pasojat serioze për marrëdhëniet bilaterale midis SHBA-së dhe Rusisë

Mungesa e vendosmërisë së Amerikës nuk ndihmon përpjekjet për parandalimin e proliferimit global 

Shkruan: Caroline Dorminey

Fjalimi i Vladimir Putin-it i mbajtur të enjten rreth gamës së re dhe ‘të pamposhtur’ të armëve bërthamore, arriti shumicën e objektivave të tij. Fjalimi ia dha atij pamjen e një lideri të fortë, sidomos kur dihet se, më 18 mars do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Fjalimi e shpalli Rusinë triumfuese, pas viteve të tëra të problemeve ekonomike dhe të ngecjes ushtarake. Dhe, vlerësimi i tij rreth ‘rrezes, praktikisht, të pakufizuar’ të veprimit të këtyre armëve të reja bërthamore, vunë një hije dyshimi mbi sistemet amerikane mbrojtëse.

Nëse është e vërtetë, atëherë paraqitja e kësaj aftësie të re mund të ketë pasoja serioze për marrëdhëniet bilaterale midis SHBA-së dhe Rusisë, si dhe implikime për përpjekjet mbarë botërore për pengimin e proliferimit të armëve bërthamore. Analistët bërthamorë u ngutën që të analizonin videon e teknologjisë së re, të shfaqur gjatë fjalimit të Putinit.

Disa thanë se sistemi i ri mund të jetë mashtrim, i dedikuar për të ndihmuar kampanjën parazgjedhore. Të tjerët vinin në pyetje shkallën e zhvillimit të këtyre armëve, bazuar në të dhënat kontradiktore rreth grimcave radioaktive, të cilat mbesin në atmosferë par testimit të armëve bërthamore.

 Teknologjitë e reja

Por, pa informata shtesë teknike rreth kësaj rakete, është vështirë të përcaktohet e vërteta në lidhje me deklaratat e Putinit. Sido që të jetë, krijimi i një lloji tërësisht të ri të armëve bërthamore, komplikon edhe më shumë raportet, edhe ashtu të tendosura, midis SHBA-së dhe Rusisë. Në vitin 2010 që të dy vendet nënshkruan një Traktat të ri START – një marrëveshje bilaterale, për zvogëlimin e arsenaleve të tyre bërthamore dhe për të kufizuar numrin e armëve të vendosura.

Marrëveshja e re START kishte për qëllim që të ishte e tillë, një fillim (start) i ri për marrëdhëniet midis Rusisë dhe Amerikës, si dhe për përpjekjet globale kundër proliferimit. Dy vendet me arsenalin më të madh, ia bënë me dije botës se kishte ardhur koha për zvogëlimin dhe dekomisionimin e këtyre armëve. Një marrëveshje e tillë pengonte përdorimin e armëve të tilla në ndonjë konflikt të mundshëm, meqë kostoja e fillimit dhe përfundimit të kësaj lufte do të ishte tepër e madhe.

Marrëveshja po ashtu lejon modernizimin e armëve bërthamore ekzistuese, për këtë qëllim. Por, ajo komplikon krijimin e teknologjive të reja, për shkak të asaj se si do të inkorporoheshin dhe llogariteshin ato armë në kuadër të marrëveshjes së re START. Neni V thotë se, nëse ndonjëri prej vendeve prodhon ndonjë lloj të ri të armëve strategjike ofensive, atëherë ai vend duhet ta ngrejë çështjen e konsiderimit të Komisionit bilateral konsultativ, i cili është i ngarkuar me implementimin e marrëveshjes.

 

Amerika nuk mund t’ia lejojë vetes dështimin e masave kundër proliferimit

Nëse qeveria ruse ka prodhuar raketën e re pa konsultime, atëherë kjo mund të shihet si shkelje e marrëveshjes së re START. Kjo marrëveshje edhe ashtu është në krizë, pas zërave rreth mungesës së respektimit të saj nga Rusia, në vitin 2016. Nëse marrëveshja e re START bie poshtë tani, atëherë kjo do të jetë një goditje ndaj përpjekjeve globale të mos proliferimit të armëve bërthamore.

Pra, si duhet Uashingtoni të përgjigjet ndaj retorikës agresive të Putinit?

Së pari, politikëbërësit amerikanë nuk duhet të bëjnë reagim të tepruar, sidomos para marrjes së informatave shtesë. Edhe me raketën e re të Rusisë, SHBA-ja vazhdon që ta mbajë kontrollin ndaj njërit prej grumbullit më të madh dhe më të përparuar të armëve bërthamore. Përdorimi i këtij arsenali luftarak do të rezultonte me një shkatërrim të një shkalle tepër më të madhe sesa ai gjatë Luftës së dytë botërore. Por, qëllimi duhet të jetë që këto armë kurrë të mos përdoren në luftë. Politikëbërësit amerikanë nuk duhet ta harrojnë këtë.

SHBA-ja vazhdon që të mbetet shteti i vetëm në botë, që ka përdorë armët bërthamore në luftë, një vendim i cili pati kosto të tmerrshme për jetët e japonezëve. Një vend i cili bartë këtë barrë, duhet të jetë avokat i vendosur kundër proliferimit të armëve bërthamore.

Kur Amerika vendosë barrën e emrit të saj prapa ndonjë marrëveshjeje për kontrollin e armëve, ajo dërgon një mesazh të fuqishëm të forcës dhe vendosmërisë. Kjo u tregua e vërtetë si në rastin e Konventës për armët biologjike, të vitit 1972, e cila bëri të jashtëligjshëm prodhimin dhe përdorimin e armëve biologjike, si dhe në rastin e Konventës së armëve kimike, në vitin 1993, e cila ndalon prodhimin dhe përdorimin e armëve kimike.

Amerika nuk mund t’ia lejojë vetes dështimin e masave kundër proliferimit, sidomos kur kihen parasysh tensionet aktuale rreth programeve bërthamore në vendet e tjera. Presidenti Donald Trump shpesh e ka kritikuar marrëveshjen me Iranin për armët bërthamore dhe ka pasur një qëndrim konfrontues ndaj Koresë veriore. Ky qëndrim është i rrezikshëm dhe Uashingtoni nuk mund ta lejojë një krizë të re, nëse lihet anash marrëveshja e re START.

Sikur Amerika t’i injoronte përpjekjet kundër proliferimit, ky veprim do të ftonte shtetet e tjera që të prodhonin armë bërthamore. Kjo mund ta shkaktojë një jostabilitet të gjerë dhe, në rastin më të keq, të çojë deri te një garë e re e armëve konvencionale, apo bërthamore, sikur gjatë Luftës së ftohtë. Në kuadër të krekosjeve të Putinit, mungesa e vendosmërisë së Amerikës nuk ndihmon përpjekjet për parandalimin e proliferimit global.

 

(Caroline Dorminey është analiste politike në Institutin “Cato” me seli në Uashington)

(Kosova Sot)

21 orë e 44 minuta më parë
23/09/18