'Dinozaurët' e arsimit publik

'Dinozaurët' e arsimit publik
  • 14 March 2018 - 10:22

Metodat e vjetra të ligjërimit 

SHKRUAN: MUSTAFË KADRIAJ

Pa hyrë shumë në shkencën psikologjike si një vend i panjohur për mua, në përgjithësi njeriut edhe kur i ndodh ndonjë rast i mirë ose i keq, kjo nuk i bën përshtypje shumë në kohën kur i ndodh, e aq më shumë kur është në moshën e re, që i duket sikur nuk prek me këmbë në tokë nga fuqia rinore. Pra, pengesat janë vetëm si term i dëgjuar. Si çdo kohë që e ka nostalgjinë e vet, edhe koha e studimeve është zeniti i kujtimeve dhe nostalgjive që secili i ri mban në vetvete një kryevepër me kujtime. Thuhet që studimet janë koha më e artë e njeriut, ndoshta mund të jetë ashtu, por te ne ndodh e kundërta kur studentët janë përballë profesorëve dinozaurë. Lexuesi do të pyesë pse të cilësohen profesorët dinozaurë? Është kështu sepse dinozaurët janë zhdukur nga rritja e tyre ekstreme që organet vitale nuk kanë mundur t'i furnizojnë pjesët ekstreme, njëra nga tezat për dinozaurët. Për çdo hap dhe veprim që bën njeriu e shtyn një motiv, por mua në këtë rast të vetmin motiv që kam është që ta krahasoj kohën e studimeve publike me ato private. Si një vend i dalë nga lufta me probleme prej më të ndryshmeve, e në veçanti në arsim për shkak të luftës së fundit, por edhe të një arsimi paralel gjatë viteve të '90-ta, më shumë vendnumëro se hap para, por sidoqoftë kishte një të mirë që si gjeneratë nuk mbetëm analfabetë. 

Dinozaurët e Universitetit Publik

E kishim fatin e mirë ose të keq të jemi gjenerata e parë e regjistruar me reforma sipas Kartës së Bolonjës. Reformat dikush i pret me gëzim, sepse pret diçka më mirë në shërbim, por ata që duhet zbatuar e presin me rezerva dhe frikë, dhe nëse e pranojnë publikisht, por në praktikë kur u jepet rasti e kundërshtojnë, ose mënyra më e mirë e sabotojnë duke u sjellë sikur nuk e njohin ende si praktikë. Vitet e fundit si rezultat i keqqeverisjeve nga paslufta, e sidomos në arsim rezultoi mospuna e tyre, e sidomos në arsim rezultatet e PISAas, por edhe duke e sjellë në pikëpyetje Kartën e Bolonjës, duke u cilësuar si dështim arsimi i lartë dhe sa herë zihet në gojë dështimi në arsim nga të gjithë, duke pretenduar si profesionistë dhe njohës të arsimit vazhdimisht shënjestra është në arsimin privat. Pra, të gjitha tytat si shënjestër e kanë arsimin privat, por edhe si ish-student i Universitetit Publik në Fakultetin Ekonomik të gjithë profesorët arsyetimin e abuzimit të tyre me punë dhe studentë gjithnjë me klishenë "nuk jemi kolegje private" dhe për çdo padrejtësi, si në administratë, profesorët na mbyllnin gojën me "ne nuk jemi kolegje private", sa edhe atë maltretim që e merrnim e kthenim në krenari, sepse ne po edukohemi në Universitet Publik. Me shprehjet e kryeministrit aktual, të jemi të sinqertë, nuk po dua të humb kohë duke e ditur beckraundin e tij në shkollim dhe vetë dhënia të drejtë vetes që të ofendojë dhe të akuzojë me këdo që zihet duke i thënë "hajn ordiner", "kriminel ordiner", shumë sinqerisht do të kërkoja vetëm shpjegimin e termit "ordiner", që dyshoj se ai di, sepse nuk do ta përdorte, por vetëm hyj në gjynah nëse kryeministrin e përmend shumë herë emrin e tij, por do ndalem te dinozaurët e Universitetit Publik. Dhe, për gjithë këtë katrahurë dhe tollovi mediatike jam interesuar t'i vizitoj kolegjet private që ta bind edhe më shumë vetveten që nëse diçka është e dështuar janë bartësit e arsimit privat, e sidomos kolegjet, sepse dinozaurët pa një pa dy "kolegjet private e shkatërruan arsimin. Duke u bazuar në renditjen e fundit menjëherë pas Universitetit Publik u radhitën dy kolegjet private (AAB dhe Universum) dhe këtu e vë në dyshim që Agjencinë e Akreditimit në Arsimin e Lartë, e cila ka bërë lëshimin që mos po del fjala e kryeministrit për krime ordinere. 

"Ne nuk jemi kolegje private"

Me rastin e jubileut të dhjetë të Pavarësisë së Kosovës, Kolegji AAB e organizon një konferencë po me këtë tematikë, e pjesëmarrja ime ishte me shumë me qëllim që të shoh sepse konferenca nuk ishte qëllimi dhe pa i ngarkuar lexuesit, ishte një konferencë që në nivel të Kosovës ishte në nivel të lartë, e kur u mendoja Universitetin Publik, diçka që kurrë nuk ka ndodhur që nga paslufta, sidoqoftë thashë me vete që meqë është ranguar i dyti, kjo është normale. Natyrisht pista e interesimit ishte pikërisht rangimi i tretë i kolegjit Universum, e për t'u bërë i sinqertë e kisha një ndjenjë që këtu do të gjej dështime dhe marr pjesë në një ligjëratë më të ndjeshme dhe problematike dhe duke i kujtuar trumbetimet e dinozaurëve në Fakultetin Ekonomik në UP), që na e ligjëronin lëndën e kontabilitetit e kisha një ndjenjë që do t'i prek dështimet. Që nga hyrja e deri tek salla çdo gjë ishte në rregull, pastërti etj., por prapë mendoja që kështu ekziston një treg, sepse më kujtoheshin fjalët e dinozaurëve "ne nuk jemi kolegje private". U ulën në sallë përafërsisht 30 studentë, të gjithë të qetë, pa stres dhe pa frikë (sepse këta nuk kishin dinozaurët e gjeneratave tona). Profesor i lëndës së kontabilitetit ishte Artan Haziri, e kur i mendoja dinozaurët e Fakultetit Ekonomik (në UP) në start ky paragjykimi nuk mund të jetë në nivel të dinozaurëve, sepse ashtu na kishin hipnotizuar. Fillon t'i shpjegojë problematikat e kontabilitetit me shembuj konkretë për ta bërë më interesante, shkëput batuta, duke i shpjeguar rastet me elokuencë, ndërsa studentët të qetë duke shtruar pyetje për çdo gjë të paqartë, ndoshta edhe jo me rëndësi, por profesori u përgjigjej shpejt dhe pa përtesë. Interesante që gjatë shpjegimit më shumë kishte motiv dhe frymëzim se si të jenë në tregun e punës si ekonomistë dhe kontabilistë të ardhshëm. Të mos harroj që përveç ligjërimit, profesori e respekton pushimin prej 10 minutave dhe orën dytë e përfundon ligjëratën me shembuj aq të prekshëm dhe me humor, për çka studentët instinktivisht duartrokasin, dhe duke folur nën zë shprehen "ky profesor është i qartë" (një shprehje kjo e gjeneratës së re kur diçka u pëlqen shumë). Si lëndë kontabiliteti duhet që edhe ushtrimet që i mban asistent Hazbi Kadriu, po i njëjti nivel me vëmendje dhe qenie në shërbim të studentëve, ua shpjegon detyrat dhe problematikat e kontabilitetit, përvojë e ligjërimit te fjalimet TED, më e rënda nuk mund të mendoja (kur më kujtoheshin dinozaurët e Fakultetit Ekonomik në UP), meqë në Kosovë ligjërohet në këtë nivel. Prapë nuk mund ta hidhja poshtë paragjykimin e ngulitur nga dinozaurët "ne nuk jemi kolegje private". E vizitoj Kolegjin e Biznesit, marr pjesë në ligjëratat e profesor Vehbi Ramaj në lëndën Menaxhimi i Cilësisë, një shpjegim me elokuencë si vetë lënda që nëpërmjet teknologjive se si t'i menaxhojmë bizneset me një shpjegim mbresëlënës dhe vetë- mohues nga profesori i lëndës. 

Kur kemi hyrë në amfiteatër të Fakultetit Ekonomik na cilësonin si dele

Nga përvoja në këto kolegje, dola dy herë i thyer në shpirt për ato akuza që ua kemi bërë kolegjeve private, natyrisht pa të drejtë, dhe kur e mendoj se ligjëratat që i kemi marrë nga dinozaurët e Fakultetit Ekonomik (UP) me dhimbsej vetja. E them këtë, sepse nga dinozaurët e Fakultetit Ekonomik (në UP) nëse nuk kemi marrë dije, kemi marrë nënçmimin më të madh, injorimin më të madh, ngulitje të pesimizmit si profesionistë të ardhshëm, e të mos flas për abuzime në provime, duke i ndryshuar datat pa paralajmërim, e po ashtu me konsultime formale sa pak po të bëheshin nervoz i ndërpritnin edhe konsultimet. Kur akuzon, gjithnjë forca e kundërshtimit është tri herë më e madhe, por nëse kam respekt, dhe kam, vetëm për titullin profesor, një emër i shenjë, jo për dinozaurët që abuzojnë me këtë emër. Nuk do të kem respekt për ata profesorë dinozaur, që kur kemi hyrë në amfiteatër të Fakultetit Ekonomik na cilësonin si dele, nuk do të kem respekt për atë profesorë që deri kur e kemi mbrojtur temën e bachelorit na e kanë futur frikën dhe injorimin me arrogancë dhe nënçmim, nuk do të kem respekt për ata profesorë që i thonë studentit magar, dhe e përmirëson aty për aty në gomar, sa studentët ua plasin të qeshurave, sepse këto ofendime i pranonim si kompliment, sepse ne ishim studentë të Universitetit Publik. Nuk do të kem respekt për ata profesorë që e largojnë studentin nga provimi vetëm pse pyet, dhe kur studenti fillon t'i arsyetohet, po ai profesor e urdhëron "dil jashtë dhe mos më bëj këtu ash, sh, sh, sh….", për çka u kërkoj falje gjuhëtarëve që nuk di si të shkruaj shprehjen "elokuente" të profesorit të tillë. Dhe, më e rënda që po këta dinozaurë dhe kuadro të reja i kanë nënçmuar gjoja që këta nuk kanë përgatitje dhe sidomos ata kuadro që kanë doktoruar në disa universitete private jashtë vendit, e sidomos objekt i sulmeve ishte Universiteti Evropian i Tiranës (UET), si një fabrikë e doktorëve, sa edhe një televizion e ka lakuar pikërisht UET-in. Për kujtesë të dinozaurëve, produkt i UET-it ishte pikërisht profesori Artan Haziri që e ligjëron lëndën e kontabilitetit në Kolegjin Universum si dhe atyre pseudo-medieve që punojnë me tendencë dhe të porositura, por që nuk bëjnë hulumtime të mirëfillta, por edhe të institucioneve dhe përgjegjësive dhe bëjnë dy gabime. E para, i akuzojnë pa të drejtë kolegjet private, sepse vazhdimi i një kontrate në kolegjet private varet nga opinioni që japin studentët për atë profesorë, e mund ta merrni me mend dinozaurët në UP cila është performanca e tyre, që nga paslufta ligjërojnë me të njëjtat shënime pa i rifreskuar. Po t'i pyesësh sesa lexojnë literaturë, i ngushton, sepse u është ndalë ora me mbarimin e luftës. Shkaktar që arsimi lëngon janë pikërisht këta dinozaurë që fshihen pas institucionit publik dhe atyre vendimeve të përhershme, që nuk mund t'i largojnë nga puna. Nëse për çdo specie në zhdukje shtetet dhe shoqëritë organizohen dhe ndajnë buxhetet për t'i mbrojtur, në këtë rast këta dinozaurë të Universitetit Publik duhet t'i izolojmë dhe t'i ruajmë për të vetmin qëllim: që t'u tregojmë gjeneratave që do të vijnë, pasi ne jemi ata heronjtë që jemi përballur me këta dinozaurë.

(Kosova Sot)