Italia merr një vendim të ashpër ndaj elitës

Italia merr një vendim të ashpër ndaj elitës
  • 15 March 2018 - 09:36

MIOPIA E KLASAVE POLITIKE

Fitorja e populistëve zvogëlon gjasat e Romës që t'iu bashkohet Francës dhe Gjermanisë 

Shkruan: TONI BARBER

Zgjedhjet parlamentare të së dielës në Itali zor se mund ta kishin marrë ndonjë vendim më dënues ndaj miopisë së klasave politike, të cilat kanë qeverisur vendin gjatë çerekshekullit të fundit. Rendi politik i vënë pas kolapsit të demokristianëve dhe komunistëve, në fillim të viteve 1990, është duke kërcitur nën peshën e dështimeve politike dhe një qëndrimi arrogant, vetë-shërbyes në pushtet, i cili ka tjetërsuar me miliona votues italianë. Nëse rezultat i kësaj ishte një triumf i 'populizmit', ai ishte edhe dështim i 'elitës populiste'. Matteo Renzi dhe Silvio Berlusconi, dy ish- kryeministrat 'e rëndomtë', secili prej tyre u ngrit në pushtet duke përdorur një stil të mençur populist. Por, në këto zgjedhje, ata u ndëshkuan. Votuesit, të ngopur nga dy dekada të ngecjes ekonomike dhe nga valët e njëpasnjëshme të migrimit të çrregullt në Itali, i lanë ata anash. Kjo, në fakt, ishte fitore kryesisht për forcat e djathta antiestablishment dhe radikale të djathta. Kjo mund të ketë pasoja serioze për një iniciativë të shumëpritur të iniciativës franko-gjermane për një integrim më të madh të eurozonës dhe BE-së. Një pengesë ndaj kësaj iniciative u zhduk të dielën, pasi që socialdemokratët gjermanë votuan në favor të një qeverie tjetër të madhe të koalicionit me kristiandemokratët e Angela Merkelit. 

Skeptikët gjermanë

Establishmenti burokratik, financiar dhe industrial i Italisë dëshiron me çdo kusht që t'i bashkohet iniciativës franko-gjermane. Por, partitë italiane të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë, të cilat në shumë aspekte e kanë këtë pikëpamje të përbashkët, kanë përjetuar një mposhtje poshtëruese. Sa iu përket politikave të BE-së, këto parti më nuk janë në gjendje që të 'vrenjtin e kthjellin' në politikë. Me paraqitjen e lëvizjeve kritike ndaj qëndrimeve fiskale dhe ekonomike të BE-së, të cilat përjetuan një sukses të papritur zgjedhor në Itali, mbetet e hapur pyetja se deri ku Gjermania dhe vendet e Evropës veriore, do të duan të shkojnë rrugës së një integrimi më të thellë të eurozonës. Në një rrezik të veçantë mund të jetë projekti i kompletimit të unionit bankar evropian. Skeptikët gjermanë do ta përdorin shansin që të thonë se, ndarja e rrezikut me Italinë, në sektorin financiar, është edhe më i papranueshëm sesa para së dielës. Më gjerësisht, evropianët e veriut me gjasë do të kërkojnë dëshmi të qëndrueshme se qeveria e ardhshme italiane do të jetë e përkushtuar ndaj disiplinës fiskale dhe politikave ekonomike të orientuara kah reformat. Kjo mund të jetë tepër për të kërkuar nga secila qeveri që përfshinë në vete Lëvizjen "Pesë yjet", apo partinë e ekstremit të djathtë, me qëndrim antiimigrant, Liga e Veriut. Pasi që ka marrë më shumë se 30% të votave, "Pesë yjet" do të jetë partia më e madhe në parlament. Liga e Veriut ka dalë si partia më e fortë në të djathtën, duke ia zënë kështu vendin "Forza Italia", të Silvio Berluskonit. Me javë, apo ndoshta edhe me muaj të tërë, nuk do të jetë e qartë nëse "Pesë yjet", apo "Liga e Veriut" do ta mbështesin kryeministrin e ri italian. Por, asnjëra prej këtyre partive nuk ka një trashëgimi të vlerësimit të qëndrueshëm ekonomik, sikur që nuk kanë as përvojë administrative. Me të vërtetë, "Pesë Yjet" nuk është testuar në nivel kombëtar, derisa Liga ishte vetëm një partner i vogël në qeveritë e koalicionit, të udhëhequra nga Berlusconi. Dallimet e thella rreth qëllimit të politikës, ndajnë midis veti anëtarët e "Pesë Yjeve". Disa nga liderët e kësaj lëvizjeje duken tepër ambiciozë, duke pretenduar pushtetin në nivel nacional. Ca të tjerë, megjithatë, misionin e tyre e shohin si shkatërrimtarë të sistemit ekzistues politik, ku, pasi që ta arrijnë një gjë të tillë, ata planifikojnë që ta shuajnë lëvizjen dhe të shkojnë në shtëpi. 

Reformat strukturore

Pikëpamja rreth pozitës financiare të Italisë dhe të borxhit të saj, prej më shumë se 130% të GDP-së së saj, nuk dmth të jetë aq e zbehtë. Qeveritë e fundit italiane kanë pasur bilance pozitive të buxhetit edhe pas heqjes së pagesave të interesave të borxheve. Profili i borxhit sovran të Italisë është i favorshëm, me një maturitet mesatar prej më shumë se 7 viteve. Që nga vitet 1990, shteti italian është përkujdesur që të mbrojë financat publike nga manipulimet politike dhe t'i rezistojë presionit për shpenzime të pamatura. Meritën për këtë e ka profesionalizmi i Ministrisë së Financave dhe Bankës qendrore, të mbështetur nga homologët e tyre në eurozonë. Kjo është arsyeja kryesore pse shqetësimet evropiane rreth drejtimit politik të Italisë, nuk kanë gjasë që, në një të ardhme të afërt, të kalojnë në një ankth të veçantë. Megjithatë, ka dyshime të justifikuara rreth asaj se a do të vazhdojë qeveria e re e Italisë me reformat strukturore, të filluara nga qeveria teknokrate e Mario Montit, në vitin 2011 dhe të vazhduara nga qeveritë e qendrës së majtë, pas vitit 2013. Dështimi i vazhdimit të këtyre reformave do të ishte gabim i tmerrshëm. Çdo vit, me dhjetëra mijëra italianë të ri, nga më të mirët dhe më të mençurit, shkojnë për të punuar jashtë vendit. Kur rritet ekonomia evropiane, ekonomia e Italisë gjithmonë mbetet paksa mbrapa. Në rast të ndonjë recesioni, rënia në Itali gjithmonë është më e madhe. Rezultatet e zgjedhjeve nuk ofrojnë ndonjë përgjigje në lidhje me atë se si do t'i adresojë Italia këto sfida. 

(Kosova Sot)