Populli kundruall demokracisë

Populli kundruall demokracisë
  • 16 March 2018 - 08:59

TENDENCAT AUTORITARE

Edukimi qytetar mund të jetë vendimtar në ndihmën e të rinjve për t'i menaxhuar mosmarrëveshjet

Shkruan: JAN-WERNER MUELLER

Rezultati i zgjedhjeve në Itali, ku populistët dhe partitë e ekstremit të djathtë morën numrin më të madh të votave, pas fatkeqësive 'binjake' të Brexitit në Britani dhe zgjedhjes së Donald Trumpit në SHBA, duket sikur do ta përforcojë besimin e rëndomtë liberal: vet populli ia solli vetes këto të zeza. "Qytetarët e rëndomtë", sipas kësaj pikëpamjeje, janë aq irracionalë dhe të keqinformuar, sa që bëjnë përzgjedhje të tmerrshme. Disa prej tyre shkojnë edhe një hap më tej dhe atyre ua atribuojnë preferencat koherente ndaj liderëve antidemokratikë. Në fakt, një libër i ri vlerëson se kemi të bëjmë me problemin e Popullit kundruall demokracisë. Diagnozat e tilla janë tepër të gabuara. Duke u përqendruar te besimet e qytetarëve të veçantë, ata nuk vërejnë arsyet strukturore për rreziqet të cilat sot i kanosen demokracisë. Si rezultat i kësaj, edhe ata janë të prirë që të nxjerrin mësime të gabueshme praktike. Nëse ndokush me të vërtetë beson sesi votuesit nuk janë kompetentë apo liberalë, hapi tjetër, i logjikshëm, është heqja e një sasie edhe më të madhe të vendimmarrjes nga ta. Por, në vend të tërheqjes te teknokracia, ne duhet të trajtojmë problemet specifike strukturore të cilat kanë ndihmuar triumfin e politikanëve populistë. 

Evropa tani është e ndarë

Ka mjaft dëshmi se qytetarët nuk janë të informuar aq mirë, sa që do të dëshironte teoria demokratike. Sidomos në SHBA, shkencëtarët politikë vazhdimisht kanë treguar se një pikë- pamje realiste e njerëzve, dallon në mënyrë dramatike nga mençuria e librave shkollore. Por, zgjedhjet nuk janë as teste e as provime të qytetarisë në programet master të administrimit publik. Votuesit nuk kanë nevojë për njohuri të detajuara de preferenca për çdo çështje politike. Mjaftojnë orientimet e përgjithshme dhe aftësia për të nxjerrë përfundime nga autoritetet e besuara - politikanët, gazetarët, apo, ruana Zot, ekspertët. Problemi lindë kur qytetarët i shikojnë të gjitha çështjet thjesht si çështje të identitetit partiak, kështu që, psh, kredibiliteti i shkencës klimatike, varet nga ajo se a është personi republikan, apo demokrat. Gjërat bëhen edhe më keq kur identiteti partiak bëhet aq i fuqishëm, sa që nuk depërtojnë kurrë argumentet e palës tjetër. Trump nuk u zgjodh si kandidat i ndonjë lëvizjeje të humbësve të bardhë, të zemëruar ndaj globalizimit, por si lider i një partie tradicionale. Shumë kohë para Trumpit, kjo parti kishte filluar me demonizimin e kundërshtarëve të vet dhe iu kishte thënë ithtarëve të saj se kurrë, në asnjë rrethanë, nuk duhet të përcaktoheshin për 'socialistë të stilit evropian' apo për ndonjë kategori tjetër 'jo amerikane'. Kështu, republikanët të cilët edhe ashtu pranuan se Trump nuk ishte i kualifikuar që të ishte president, e votuan atë, përkundër kësaj. Në Shtetet e Bashkuara, polarizimi nuk është një reflektim objektiv i dallimeve kulturore të dhëna; ai ka qenë së paku pjesërisht një projekt elitar i ndërgjegjshëm për të ndarë vendin për përfitime politike dhe ndonjëherë edhe për përfitime personale. Në fund të fundit, polarizimi është gjithashtu biznes i madh, pasi një vështrim i shpejtë në të ardhurat e figurave kryesore në Fox News dhe emisioneve foljore të radios, mund ta konfirmojë këtë. Vëzhguesit të cilët pohojnë se Evropa tani është e ndarë mes një Perëndimi liberal-demokratik dhe një Lindje ku elektoratet thellësisht joliberale kanë sjellë populistët në pushtet, bëjnë të njëjtin gabim për të shpjeguar të gjitha rezultatet politike në aspektin e kulturës. Ata, gjithashtu, atribuojnë rezultatet autoritare për atë që votuesit, gjoja, "vërtet donin". Por, kujtoni zgjedhjet vendimtare në Hungari në vitin 2010 dhe, në Poloni, në vitin 2015: siç ka theksuar kolegu im Kim Lane Scheppele, votuesit pastaj bënë pikërisht atë që teoria demokratike u tha atyre që duhet të bëjnë në një sistem dypartiak. Në Hungari, një rekord i dobët ekonomik dhe korrupsioni, diskredituan partinë kryesore të majtë, kështu që ishte koha për të votuar për anën tjetër. Në Poloni, Platforma Qytetare e qendrës së djathtë kishte një rekord të shkëlqyeshëm ekonomik, por u perceptua gjerësisht se u bë e vetëkënaqur pas shumë vitesh në pushtet.

Lufta kulturore

Në vitin 2010, Viktor Orban nuk bëri fushatë për një premtim për të hartuar një kushtetutë të re, për të dobësuar kontrollet dhe balancat dhe për të reduktuar rrënjësisht pluralizmin e medias. Përkundrazi, ai u paraqit si një demokristian tradicional. Në Poloni, partia Ligji dhe Drejtësia" (PiS) doli nga rruga e saj, për të theksuar karakterin e saj si një parti e arsyeshme konservatore e cila thjesht donte të ofronte më shumë përfitime për familjet me fëmijë. Shumë njerëz kujtuan punën dëshpëruese dhe polarizuese të udhëheqësit të partisë PiS, Jaroslaw Kaczynski si kryeministër, nga viti 2006 deri në vitin 2007. Por, Kaczynski qëndronte jashtë vëmendjes, dhe lejoi që dikush tjetër të udhëhiqte qeverinë. Edhe sot, ai është nominalisht një anëtar i thjeshtë i Sejmit (parlament) - edhe pse e kontrollon administratën nga prapa skenave. Pasi kanë marrë pushtetin, populistët si Orbani janë angazhuar në luftë kulturore. Në emër të "bashkimit të kombit", ata kanë ndarë shoqëritë e tyre, duke u përbetuar që, pasi ta marrin shumicën e mediave nën kontrollin e tyre, ata mund të manipulojnë opinionin publik për të mbetur në pushtet. Ashtu si në SHBA, imperativi nuk është të qajë për tendencat autoritare të njerëzve, por për të trajtuar problemet strukturore që ua kanë mundësuar populistëve 'të bëjnë mirë'. Për shembull, jo çdo gjë që thonë populistët rreth atyre që "lënë pas" është e gabuar; as nuk është gjithmonë gabim të dyshohet se pjesë të shtetit janë kapur nga interesa të veçanta. Por, këto ankesa të nivelit të parë gjithmonë duhet të artikulohen dhe të përfaqësohen me ndihmën e mediave dhe partive politike. Janë mediat dhe sistemet partiake që janë të dështuara në shumë vende dhe kërkojnë rindërtim sistematik. Thënë të vërtetën, edhe një arsimim më i madh qytetar do të ndihmonte. Një arsim i tillë ka qenë në rënie për dekada, sepse nuk i përshtatet lehtësisht kurrikulës që mbështetet shumë te testimi i standardizuar. Nëse bëhet siç duhet, gjithashtu kërkon shumë kohë dhe, në këtë mënyrë, tërhiqet nga subjektet që duken më të dobishme në afat të shkurtër, në kuptimin që ato duhet të kontribuojnë më drejtpërdrejt në suksesin ekonomik. Edukimi qytetar mund të jetë vendimtar në ndihmën e të rinjve për të menaxhuar mosmarrëveshjet dhe njohjen e qytetarëve të tjerë si kundërshtarë legjitimë në konfliktet demokratike. Dallimet kulturore nuk do të zhduken dhe nuk duhet të zhduken, por nëse vetë njerëzit janë mësuar të jetojnë me to, populistët nuk do të kenë sukses në përdorimin e tyre si armë politike.

(Jan-Werner Mueller është profesor i politikës në Universitetin "Princeton". Libri i tij i fundit mban titullin "What is Populism?")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot.

(Kosova Sot)