Kur trauma bëhet pjesë e jetës sonë?!

Kur trauma bëhet pjesë e jetës sonë?!
  • 17 March 2018 - 08:21

Demoralizimi, humbja e vullnetit na ka futur në rrethin vicioz

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQ

Ky represion dhe kjo torturë politike dhe ekonomike nuk është pritur në kushte të paqes, kur i kemi organet tona të shtetit, kur vetë po qeverisim me vendin. Trauma sikur po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e jetës sonë, aq më keq që po bëhet edhe pjesë e sistemit tonë

Varret e çelura,traumat, dhembjet nga e kaluara e hidhur nuk po përfundojnë edhe sot kur nuk e kemi Serbinë mbi kokë. Për 90 vite nuk e kishim lirinë, të drejtën për të jetuar në shtetin tonë. Por, megjithatë gjetëm forcë që të vazhdojmë rrugën deri te liria dhe pavarësia. Kjo histori e dhimbjes, e padrejtësive historike, të cilat i përjetuam edhe me humbje të shëndetit, vrasjeve, burgosjeve, represionit të egër politik të njerëzve tanë më të mirë, u harruan , dhe çka është më keq shumë nga këto të këqija sikur po na përsëriten nga njerëzit tanë. Ky represion dhe kjo torturë politike dhe ekonomike nuk është pritur në kushte të paqes, kur i kemi organet tona të shtetit, kur vetë po qeverisim me vendin. Trauma sikur po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e jetës sonë, aq më keq që po bëhet edhe pjesë e sistemit tonë. Dhuna e ushtruar politike mbi masën po na abrogon nga jeta normale, po na lë mbrapa nga bota e civilizuar. Nga kjo logjikë traumatike po rrezikohen edhe gjeneratat e reja , po rrezikohet e mbarë shoqëria.

Heshtje varri para këtyre hileqarëve

Trauma, pasiguria dhe frika për të nesërmen shumicës ju ka hy thellë në palcë. Trupi dhe truri kanë mbamendje, kurse shpirti rënkon. Të gjithë kemi menduar se nuk do t'i kemi këto fenomene aq vrastare për shtetin dhe kombin, se nuk do të përballemi në mënyre të tërbuar më njeri-tjetrin sikur të ishim armiq e jo vëllezër të një gjaku. Kemi ecur të zbathur të veshur keq për t'i mbaruar shkollimet në kushte të okupimit klasik dhe kurrë nuk jemi ndalur as nuk jemi dorëzuar para sfidave të kohës, para armiqve shekullorë, të cilët janë përpjekur pa reshtur për të na zhbërë nga sipërfaqja e dheut. Kemi qëndruar vertikalisht, të palëkundur deri në fitoren përfundimtare. Është çudi e madhe kjo heshtje varri para këtyre hileqarëve, të cilët janë katapultuar lartë në politikëbërje. Kjo heshtje varri deshëm ne ose nuk deshëm na bënë pjesëmarrës të së keqes. Po bëhemi rob i vetvetes, kemi mbetur pa vullnet për ndryshime pozitive , kemi mbetur pa ide dhe pa koncepte, pa vullnet politik, kemi mbetur të papërgjegjshëm për të ardhmen tonë. Erëra dhe furtuna të forta janë duke e goditur pamëshirshëm trupin dhe shpirtin tonë. Një shumicë janë duke përjetuar ditë dhe natë të vështira për mbijetesë që është absurditeti më i madh i shekullit 21. 

KEMI MENDUAR SE NUK DO T'I KEMI KËTO FENOMENE AQ VRASTARE PËR SHTETIN DHE KOMBIN

(Kosova Sot)